2008-10-16 16:47:24

Imzot Miliore në OKB: shteti i së drejtës ndihmon zhvillimin ekonomik


(16.10.2008 RV)“Rëndësia në rritje e shtetit të së drejtës” edhe për ekonominë u nënvizua dje nga kryeipeshkvi Çelestino Miliore, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, i cili foli në Asamblenë e 63-të të Përgjithshme në Nju Jork.
Kriza aktuale ekonomike, nënvizoi imzot Miliore, vë në dukje se është i nevojshëm një shtet më i mirë i së drejtës, për të ndihmuar jo vetëm daljen prej problemeve aktuale, por edhe formimin e një sistemi më të drejtë ekonomik global. Në vendet në zhvillim, shteti i së drejtës mund të sigurojë rritjen shoqërore dhe ekonomike, ndërsa në vendet e zhvilluara, me shumë qëndrueshmëri dhe drejtësi ekonomike.
Sipas imzot Miliores, shtet i së drejtës do të thotë, para së gjithash, respektim i të drejtave të njeriut. Por as kjo nuk mjafton. Të drejtat e personave, shpjegoi Vëzhguesi i Vatikanit, nuk janë thjesht një grumbull me norma ligjore, por përfaqësojnë vlera themelore. Këto vlera duhet të njihen nga shoqëria, përndryshe rrezikojnë të zhduken edhe nga tekstet legjislative.
Më pas, imzot Miliore trajtoi disa aspekte të veçanta të shtetit të së drejtës. Kujtoi lidhjen e ngushtë me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, që sivjet mbush 60 vjet. Pastaj mbrojtjen e personave, që është përgjegjësi e çdo shteti, por që kërkon ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare, kur një vend nuk është në gjendje ose nuk dëshiron ta marrë përsipër këtë përgjegjësi themelore. Në këtë pikë, imzot Miliore theksoi se rruga për t’u ndjekur nuk është vetëm ajo e aksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, apo përdorimi i forcës, por edhe rruga e bashkëpunimit. Së fundi, sistemi i traktateve dhe i konventave ndërkombëtare, për të cilat imzot Miliore nënvizoi se nëse largohen nga qëllimet fillestare të palëve, humbin legjitimitetin dhe i shtyjnë vendet të mos i ratifikojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.