2008-10-15 19:04:11

Sot në Sinod: diskutimi i kardinalit Jozef Çen Zhë-Qyn: Kina nuk duhet të ketë frikë nga liria e fesë.


(15.10.2008 RV)Sot paradite Sinodi i ipeshkvijve kushtuar Fjalës së Zotit, që vijon në Vatikan, u hap me një reflektim për Kishën katolike në Hong-Kong. Në qendër të vëmendjes së Kongregacionit të 15-të të përgjithshëm, ishte edhe problemi i alfabetizimit, në lidhje të ngushtë me përhapjen e Biblës dhe me ekzegjezën biblike, duke u mbështetur në fjalimin që mbajti dje Benedikti XVI mbi këtë argument.
Fjala e Zbuluar nuk ka arritur ende në masën e duhur në Hong-Kong, por gjithsesi ekziston harmonia ndërmjet tri feve vendase: jehona e Lindjes së largët arriti kështu, sot paradite, në sallën e Sinodit. Posaçërisht u theksua se t’u mësosh të rinjve virtytet e traditës kineze, do të thotë t’u mësosh të bëjnë një hap para drejt shenjtërisë, duke shmangur rrezikun e perëndimit të vlerave të shenjta të jetës, të martesës, të familjes. Perëndim ky – u kujtua - që të çon deri në atë pikë, sa ta ndotësh qumështin, në emër të fitimeve të arritura pa djersë. I veçantë, pastaj, reflektimi i kardinalit Jozef Çen Zhë-Qyn, ipeshkëv i Hong-Kongut, që vuri në dukje një farë përkimi ndërmjet Kishës katolike në Kinë e kofucionizmit. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:

Pyetje: - Në diskutimin tuaj, ju kujtuat një farë aleance ndërmjet Kishës katolike në Kinë dhe vlerave të konfucionizmit. A mund të na e shpjegoni këtë më konkretisht?

Përgjigje: - Në Hong–Kong ne kemi miqësi të madhe me të gjitha fetë. Konfucionizmi nuk është fe më vete, ndonëse në Hong–Kong konsiderohet si e tillë. Ne punojmë mirë së bashku, edhe sepse ndjekësit e konfucionizmit janë të gjithë njerëz me përgatitje klasike, që kanë kryer shkolla të rregullta. Gjejmë, prandaj, në këtë rrymë, shumë vlera të krishtera, ndonëse pa këtë emër. Në këto kohë, kur kërcënohemi në të katër anët nga materializmi sundues, doktrina konfuciane natyrisht është aleate e fuqishme. Kohë më parë, një nga ipeshkvijtë e pranishëm në Taivan, pati bërë një përpjekje për të studiuar përmbledhtas pikat e takimit ndërmjet e konfucionizmit e krishterimit. Duhet të mbrojmë në radhë të parë ndershmërinë natyrore e, prej këndej, t’u kundërvihemi të gjitha padrejtësive që bëhen, në kundërshtim me këtë ndershmëri. Fjala e Zotit është krijuese e ndërgjegjes e vijon t’i flasë kësaj ndërgjegjeje, zëri i së cilës është tepër i çmuar. Prandaj besoj se, në përfundim, ky Sinod do të na japë një orientim të mjaftueshëm edhe në këtë aspekt, me rëndësi të dorës së parë.

Pyetje: - Ju prekët edhe marrëdhëniet ndërmjet shkencës e fesë…

Përgjigje: - Po, sepse edhe shkenca për një njeri, që nuk është katolik, por që ka ndërgjegje, është rrugë e cila e ndihmon të arrijë te Zoti. Mrekullitë e gjithësisë janë edhe më të dukshme para syve të shkencëtarit, kur bën ndonjë zbulim të madh, kur provon ndjesinë e mahnitjes, gati-gati të frikës përballë misterit të pafundmë të Universit. Kjo është rrugë feje e, prandaj duhet t’i japim vlerën e duhur kësaj rruge, kësaj metode, që e ka zgjedhur vetë Zoti.

Pyetje: - A mund të na bëni një bilanc mbi situatën aktuale të katolikëve në Kinë?

Përgjigje: - Askush nuk është në gjendje ta bëjë një bilanc të tillë, edhe sepse askush nuk ka në dorë shifra të besueshme. Është e vërtetë se ndjehet një zbraztësi e se pikërisht kur është fare bosh, njeriu kërkon fenë; por është e vëretetë edhe se shekullarizmi po e përmbyt botën e se shumkush beson se mund të jetojë fare mirë edhe pa vlerat e mbinatyrshme. Vështirë, prandaj, të bëhet një bilanc. Shpesojmë se zemrat do të hapen gjithnjë për të dëgjuar zërin e Zotit.

Pyetje: - E dimë se Kina kontinentale nuk përfaqësohet këtu, në Sinod: a mund të urojmë që të jetë e pranishme në Sinodet e ardhshme, në asambletë e ardhshme?

Përgjigje: - Këtë e shpresojmë, por është e nevojshme që qeveria t’i hapë me të vërtetë portat e të kuptojë se liria fetare nuk dëmton askënd, por është në dobi të të gjithëve.

Një temë tjetër qëndrore ishte edhe alfabetizimi i besimtarëve, të cilët kanë nevojë për dëshmi konkrete që të afrohen tek Bibla. Por ekziston edhe problemi i kundërt, i atyre që janë tepër të ditur e nuk arrijnë ta kuptojnë vlerën njerëzore të Fjalës së Hyjit. Këtyre njerëzve – u tha në Sinod – duhet t’u mësohet kuptimi i frymëzimit të Shkrimit Shenjt, në mënyrë që të arrijnë tek kuptimi i vërtetë i Fjalës Hyjnore.

Një ndihmë me vlerë mund të japin edhe mjetet e komunikimit masiv, që po ndikojnë fuqimisht mbi vetë kulturën e komunikimit, duke e bërë publikun më të pavarur në zgjedhjen e rrugëve të reja. Sfida para së cilës ndodhet Kisha sot – u tha në Sallë – është pikërisht ajo e gjetjes së formave më të qarta, që krijojnë më shumë mundësi për dialog, kur punohet për përhapjen e Fjalës së Hyjit. Një rol i dorës së parë në këtë drejtim, i takon radios, posaçërisht në vende si Afrika; këtu Etërit Sinodalë dhanë mendimin të krijohet një qendër të dhënash, ku dioqezat mund të gjejnë materialet e duhura për reflektime, që kanë të bëjnë me jetën liturgjike.

U fol edhe për ekumenizmin: në këtë rrugë - u kujtua në Sinod - Fjala e Hyjit është mjeti kryesor udhëheqës për njërën e tjetrën Kishë, sepse element i përbashkët, mbi të cilin mund të takohen e të ballafaqohen. Reflektimet që patën shumë jehonë në këtë drejtim, ishin ato të delegatëve vëllezër, që përfaqësuan Kishën ortodokse të Rusisë e atë të Rumanisë: të dy delegatët ripohuan sa e nevojshme është që të gjithë ta kenë në dorë Shkrimin Shenjt, duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm të Fjalës së Zotit në zhvillimin e veprimtarisë misionare.







All the contents on this site are copyrighted ©.