Sinodi: reflektim i Papës mbi ekzegjezën biblike. Kujdes nga leximi shekullarizues
e pa fe i Biblës.
(15.10.2008 RV)Papa ndërhyn jashtë programit në punimet e Sinodit dhe tërheq
vëmendjen të jemi të ruhemi nga leximi shekullarizues dhe pa fe i Biblës Reflektimet
e Papës Benediktit të XVI mbi vlerën e ekzegjezës biblike, ishte momenti qendror dje,
në punimet e Sinodit të Ipeshkvijve, që po zhvillohet në Vatikan mbi Fjalën e Zotit.
Në mënyrë të veçantë, Ati i Shenjtë Jozef Racinger iu referua dokumentit ‘Dei Verbum’
, Kushtetutës dogmatike mbi Dëftimin Hyjnor njërit prej dokumenteve kryesore të Koncilit
të II të Vatikanit . Për ta lexuar Biblën, shkenca është themelore, por jo e mjaftueshme,
ndihmon të kuptojmë se Shkrimet e Shenjta Biblike nuk janë mitologji, por histori
e vërtetë, mirëpo shkenca mund edhe të rrezikon ta mendojë e konsiderojë Biblën si
një tekst që i përket së kaluarës. Prandaj metoda historiko-kritike duhet kompletuar
me leximin e Biblës me fe, në gjirin e bashkësisë, sipas traditës, magjisterit e
etërve të Kishës. Kjo me pak fjalë është domethënie e ndërhyrjes së Papës dje
në sallën e Sinodit të Ipeshkvijve mbi Fjalën e Zotit. “Metoda historiko-kritike –
tha Papa Racinger duke folur pa tekst para pjesëmarrësve të Sinodit – sjell shumë
elemente të mira e të dobishme për ti kuptuar tekstet biblike si histori të vërtetë
e ta kuptojmë njësinë e thellë të tërë Biblës, mirëpo – tërhoqi vërejtën Benedikti
XVI – mund të sjell ta mendojmë e konsiderojmë Biblën si një libër që ka të bëjë vetëm
me të kaluarën. “Kujdes ndaj rreziqeve të një ekzegjeze ekskluzivisht historiko-kritike,
- tha Papa, sepse duhet ti konsiderojmë edhe rreziqet që sjell kjo metodë shkencore.
“Nëse zhduket hermeneutika e fesë – tha Benedikti XVI – në vendin e saj afirmohet
hermeneutika pozitiviste apo shekullarizuese , sipas së cilës hyjnorja nuk shfaqet
(duket) në histori. E kështu gjithçka reduktohet në njerëzoren, si rrymën kryesore
e ekzegjegjes në Gjermani, e cila mohon ngjalljen e Krishtit e themelimin e Eukaristisë
nga ana e Birit të Zotit”. Duke folur para etërve sinodal, të mbledhur në Vatikan
mbi temën e Fjalës së Zotit, Benedikti XVI iu referua kryesisht, dokumentit mbi interpretimin
e Biblës në Kishë botuar nga Komisioni Biblikë Papnor më 1992, Komision i udhëhequr
prej tij në cilësinë e prefektit të Kongregatës së Vatikanit për doktrinën e fesë.