2008-10-15 19:05:34

Rubrika 365 ditë: "Zonjusha Gaherì, vajza e pasur në shërbim të të varfërve".


(15.10.2009 RV)Paris, 1911. Në shkollën e zonjushes Gaheri bie zilja për pushimin e madh. Është dita e parë e shkollës e dy vajza përfitojnë nga pushimi, për t’u njohur.
“Më quajnë Augustinë, po ty?”.
“Julietë. Jam në vitin e parë”.
“Unë jam në të dytin. Do ta shikosh, Julietë, se viti i parë është një mrekulli e vërtetë! Do të mësosh si të kujdesesh për fëmijët e vegjël. E me qenë se janë tepër kureshtarë, duhet të dish shumë gjëra. Do të studiosh histori, kopshtari, gjimnastikë, si të tregosh përralla. Është vërtetë një kënaqësi e madhe!”.
“E në vitin e dytë, çfarë mësohet?”.
“Gjëra nga më të ndryshmet. Të mësojnë si ta mbash në rregull shtëpinë, si të hekurosësh, të pastrosh… Më tërheq shumë ideja! Në se zonjusha Gaherì nuk do ta kishte themeluar këtë shkollë tri vjet më parë, sigurisht që duhej shpikur!”.
“Mua më pëlqen shumë drejtoresha jonë. Ka një fytyrë engjëlli”.
“Jo gjithmonë! Nganjëherë tërbohet aq shumë, sa s’ta merr dot mendja. Megjithatë, më pëlqen edhe ashtu. Nga ana tjetër, edhe më mirë që e ka këtë karakter të fortë, përndryshe kjo shkollë nuk do të ekzistonte”.
“E pse thua kështu?”.
“Sot zonjusha Gaherì është dyzet vjeçe, të gjithë e respektojnë dhe e pranojnë madhështinë e punës së saj. Por kur ishte njëzet vjeçe e filloi të mendonte për një shkollë të ekonomisë shtëpijake, pati jo pak kundërshtarë”.
“E kush ishin këta kundërshtarë?”.
“Familja e saj, miqtë… të gjithë të pasur. E qortuan rëndë pse donte të merrej me gratë e varfëra, si ne. I thoshin: Maria, nuk mund të ngatërrosh leckarkat me mbulesat e qindisura”. Të pasurit janë mbulesa të qindisura, ndërsa ne jemi lecka”.
“Ju falënderoj për komplimentin!”.
“Po zonjusha Gaheri s’deshi t’ia dinte, e kjo falë karakterit të saj energjik”.
“Me sa duket, ti e njeh mirë, Augustinë”.“Si jo! E kam njohur që kur isha fare e vogël. Rreth vitit 1890 themeloi një çerdhe pranë shtëpisë sime. E prindërit më çuan aty për vite me radhë. Kështu, në heshtje e pa bujë, i ndihmonte prindërit tanë të varfër të na edukonin. Shumë prindër nuk dinin të kujdeseshin për foshnjat, nuk dinin as si t’i lanin, për t’i shpëtuar nga sëmundjet foshnjore, aq më pak t’u mësonin gjëra të nevojshme. Ah, sa e urtë është zonjusha Gaheri! E sa familje ka bërë të lumtura. E gjithë kjo, sepse e kuptoi që nuk ka asnjë ndryshim ndërmjet leckave e mbulesave të qindisura, sepse jemi të gjithë bij të Zotit!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.