2008-10-15 19:05:15

Atë Nikollë Keta në përvjetorin e vdekjes e Dhimitër Berati, në përvjetoin e lindjes.


(15.10.2008 RV)RealAudioMP3 Më 15 tetor 1803 ndërroi jetë Atë Nikollë Keta, prift atdhetar, një nga personalitetet më të shquara të kulturës arbëreshe, lindur më 1742 në fshatin Kontessa Entelina në Sicili.
Që shpejt ndjeu thirrjen për rrugën e meshtarisë. U përgatit për këtë rrugë e, pas shugurimit, punoi si prift e më vonë si rektor i Seminarit të Palermos, ku përgatiteshin meshtarët e rinj në shërbim të arbëreshëve.
Krahas kryerjes së detyrës së përditshme meshtarake e didaktike, u muar me studime në fushën gjuhësore dhe me krijimtari poetike. Ndërmjet vjershave të tij, një pjesë e mirë e të cilave me karakter fetar e patriotik, spikat një tingëllimë autobiografike, që vlerësohet nga kritika letrare si e para e llojit në letrat shqipe. Atë Keta hartoi edhe fjalorin italisht-shqip e anasjelltas.
Një nga veprat e tij më të njohura gjuhësore është ajo me titull "Etimologjia e gjuhës shqipe", ndërsa paraqet interes të veçantë historik e letrar vepra "Katalog mbi familjet e mëdha arbëreshe". Vepër tjetër e tija është edhe "Thesa njoftimesh mbi maqedonasit".
Kjo sintezë e jetës dhe e krijimtarisë së tij dëshmon se Atë Keta meriton jo vetëm të kujtohet, por edhe të shikohet si shembull që meriton të ndiqet nga të gjithë ata, të cilët e kanë bërë prej kohe të vetën devizën e përhershme të klerit shqiptar "Për Fe e Atdhe!".

Më 15 tetor 1886 lindi në Korçë Dhimitër Berati, atdhetar, politikan e publicist. Punoi disa kohë si mësues i gjuhës shqipe, ndërkohë mori pjesë në Kongresin e Elbasanit dhe në Kongresin II të Manastirit. Ishte i pranishëm në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 1912, më pas qe delegat në Kongresin e Paqes në Paris, përkrah Imzot Bumçit e Atë Fishtës; para vendosjes së diktaturës drejtoi ministri të ndryshme në disa qeveri si dhe gazetën "Përlindja e Shqipërisë".
U detyrua të largohej nga atdheu nën këcënimin e diktaturës. U vendos në Romë, ku bashkëpunoi me pjesën më të përparuar të mërgatës dhe me revistën "Shejzat" të Ernest Koliqit.







All the contents on this site are copyrighted ©.