2008-10-14 18:59:14

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi për vizitë në Itali


(14.10.2008 RV) nga ATSH-ja. Presidenti Bamir Topi vlerësoi të martën mbështetjen që Italia dhe institucionet e saj i kanë dhënë vendit tonë gjatë gjithë viteve të tranzicionit, për pritjen dhe mikpritjen e një numri të madh emigrantësh shqiptarë, të cilët konsiderohen si më të integruarit në vendin fqinj.
Në konferencën e përbashkët për shtyp në Romë, me homologun e tij italian, z. Topi cilësoi se kjo "mbështetje në planin ndërkombëtar është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, sepse Shqipëria më shumë se kurrë, është pranë anëtarësimit në NATO dhe po bën hapa të sigurtë drejt anëtarësimit në BE".
Duke folur për takimin kokë me kokë me homologun e tij italian, z. Topi tha se kishte vlerësuar qëndrimin e Italisë ndaj çështjes së Kosovës, ndërsa e kishte siguruar z. Napolitano se Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol moderator në rajonin ballkanik.
Në takim, siç informoi Presidenti Topi, iu kushtua një rëndësi shumë e veçantë vlerësimit të marrëdhënieve tradicionale mes Shqipërisë dhe Italisë. "Evidentova faktin që shumë investitorë italianë kanë ardhur gjatë këtyre viteve në vendin tonë dhe kushtet e reja për biznesin në Shqipëri patjetër do të afrojnë investitorë të rinj, duke i shtuar këtu edhe elementët e sigurisë së vendit, meqenëse Shqipëria do të jetë muajt e ardhshëm vend me të drejta të plota në NATO", tha z. Topi.
Ai shprehu bindjen se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë do të jenë gjithmonë të ngrohta e vëllazërore.
I ftuar nga Presidenti italian në këtë vizitë, z. Topi tha se "dëshiroj që edhe këtu para jush t'i bëj të njëjtën ftesë Presidentit Napolitano që të vijë e vizitojë Shqipërinë. Natyrisht, zoti Napolitano ka qenë në Shqipëri, por kësaj radhe do të jetë me një cilësi të re, si Presidenti i Italisë, me të cilën nuk na bashkon vetëm distanca e afërt gjeografike, i njëjti ekosistem, jo vetëm detet tona të përbashkëta, detet Adriatik dhe Jon, por një pafundësi vlerash të përbashkëta".







All the contents on this site are copyrighted ©.