2008-10-14 17:39:42

Në Sinodin e Ipeshkvijve, reflektimi i Papës mbi vlerën e ekzegjezës biblike. Emocion për dëshmitë e të krishterëve në Irak


(14.10.2008 RV)RealAudioMP3 Reflektimi i Papës Benedikti XVI mbi vlerën e ekzegjezës biblike ishte momenti qendror i punimeve të sotme të Sinodit të Ipeshkvijve në Vatikan, mbi temën “Fjala e Zotit në jetën dhe në misionin e Kishës”. Në veçanti, Ati i Shenjtë iu referua Kushtetutës dogmatike mbi Zbulesën Hyjnore “Dei Verbum”, një nga dokumentet kryesore të Koncilit II të Vatikanit. Para ndërhyrjes së Papës, kujtimi i situatës dramatike në të cilën jeton popullsia e Irakut, shkaktoi emocion të thellë në të gjithë sallën.
Imzot Faraj Rahau, atë Ragid Gani, dy meshtarë të tjerë e gjashtë të rinj janë viktimat e fundit të krishtera të dhunës në Irak. Martirë të rinj, u quajtën në Sinodin, që sipas kardinalit Emanuel III Deli, Patrik i Babilonisë së kaldejve, mund të bëjë vetëm këtë:
“Gjëja e vetme që mund të bëjë është të flasë me përgjegjësit, të cilët mund t’i japin paqe e qetësi vendit. Të gjithë ata që mund të bëjnë diçka, por të gjithë munden përmes lutjes e edhe përmes fjalës, të flasin me përgjegjësit e çdo qeverie”.
Ndërkaq, nga Vietnami arrijnë sinjale shprese. Në një vend me numër shumë të madh abortesh, u lejohet katolikëve të pagëzojnë foshnjet e abortuara dhe t’i varrosin.
Kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i shtetit të Vatikanit, foli sërish për të rinjtë, duke theksuar se edukatorët e tyre duhet t’i ndihmojnë të vënë në jetë Fjalën e Zotit, duke e dëshmuar ata vetë të parët. Të rinjtë e meditojnë pak Biblën, por janë të etur për dëshminë e vërtetë të Ungjillit. Nga shumë persona u theksua nevoja e formimit të katekistëve dhe e rëndësisë së rolit të tyre, që brezat e rinj ta kuptojnë që Zoti e lumturia nuk janë dy gjëra të ndara. Të dëgjojmë një reflektim për këtë, pikërisht nga njëri prej relatorëve, që marrin pjesë në Sinod si dëgjues. Është fjala për prof. Andrea Rikardin, themelues i Bashkësisë së Shën Egjidit:
Është një Sinod që dëshiron të marrë në dorë Fjalën e Zotit e të pyesë se ç’do të thotë kjo për popullin e krishterë. Bashkësia e Shën Egjidit jeton duke u nisur nga Fjala e Zotit, të cilën e dëgjon çdo mbrëmje, e cila udhëheq bamirësinë e të çon në zemër të Eukaristisë. Unë besoj e shpresoj që ky Sinod të jetë fillimi i një kohe të re, gjatë së cilës populli i Zotit të rritet e të lejojë që të rritet brenda tij Fjala e Zotit. Duhet të kemi besim në Zotin që na flet, sepse është feja në Jezusin, sepse Fjala e Zotit është fjala e Jezusit dhe takimi me Të.
U fol edhe për shekullarizmin e për globalizimin. Një koment i juaji?
Shekullarizmi është në ajër, klima është një botë që ka dalë nga rruga e Zotit, thotë Emil Pulà. Nëse dalim nga rruga e Zotit, gjejmë veten, gjejmë humnerën e frikës që karakterizon jetën pa Zot. Atëherë, duhet ripropozuar Fjala e Zotit, duhet rikomunikuar Ungjilli duke ringjallur në zemër atë që në fund të fundit, ndoshta edhe pa vetëdije, e kërkon çdo burrë e grua: rrugën që të çon tek Zoti.







All the contents on this site are copyrighted ©.