2008-10-14 17:40:10

Një kishë e djegur në Indi, një i krishterë i vrarë në Mosul. Dëshmia e një ipeshkvi të Orisës dhe e delegatit apostolik të Kaldejëve në Evropë.


(14.10.2008 RV)Një kishë e djegur në Indi, një i krishterë i vrarë në Mosul. Pas thirrjes së Papës për t’i dhënë fund dhunës kundër të krishterëve, dëshmia e një ipeshkvi të Orisës, njëkohësisht delegat apostolik i Kaldejve në Evropë.
Të krishterët indianë në Orisë, në Irak dhe ato kongolezë të Kivusë veriore, janë gjithnjë të pranishëm në uratët e Benediktit XVI, i cili të dielën gjatë Lutjes së Engjëllit të Tenzot shprehu përsëri afërsinë e tij shpirtërore me besimtarët e këtyre vendeve të përfshira nga dhuna.
Një mendim i posaçëm iu drejtua edhe bashkësisë indiane që të dielën përjetoi çaste gëzimi me kanonizimin e Shën Alfonsës të Zojës së Papërlyer, shenjtja e parë e Indisë. Megjithë fjalët e Atit të Shenjtë, dhuna që filloi në fund të gushtit nuk po ndalet. Gjatë orëve të fundit, sipas agjencisë Asianjuz, u dogj një kishë në afërsi të Bangalores. Bilanci i sulmeve të fondamentalistëve hindu po bëhet gjithnjë e më dramatik. Deri tani ka 61 të vdekur, 18 mijë të plagosur dhe 181 kisha të dëmtuara apo të shkatërruara, të cilave u shtohen edhe 4500 shtëpitë e djegura të të krishterëve. Mbi gjendjen e tmerrshme të të krishterëve në Orisë, të dëgjojmë në mikrofonin e Radio Vatikanit dëshminë e Imzot Lukas Kerketa, ipeshkëve i Sambalpurit:

The people are still in fear...
Përgjigja: Njerëzit kanë ende frikë. Pak minuta më parë më erdhi një nga meshtarët e famullisë. Atje ka një tempull indian ku ishte zhvilluar edhe një kremtim i madh dhe ku ishte dhënë kushtrimi që fshatrat dhe kishat rrotull atij vendi të digjen. Njerëzit kanë frikë dhe shpresojmë se kjo nuk do të ndodhë.

Pyetje: Të dielën Papa përsëriti edhe një herë thirrjen për paqë dhe për dialog në mbështetje të të krishterëve në Indi. Sa është i rëndësishëm dialogu për ju dhe për bashkësinë tuaj?

It is the only way...
Përgjigje: Është mënyra e vetme për t’i qëndruar pranë këtyre njerëzve, mbasi bashkësia ime është krejt e shkapërndarë dhe ne duhet të jetojmë me të. Pra, ky dialog është i rëndësishëm. Sot për sot kemi probleme me këta njerëz. Pas vrasjes së një udhëheqësi hindu janë bërë më të dhunshëm, nuk dëgjojnë, dhe disa prej tyre, në disa zona nuk e pranojnë dialogun. Por me të tjerët, dhe me besime të tjera jo hindu, kemi dialog dhe po përpiqemi të bëjmë takime paqeje, të bisedojmë me njëri-tjetrin. Kjo vazhdon edhe tani.

Pyetje: Pra, edhe pse gjendja është shumë e rëndë ju mendoni se dialogu është ende i mundur dhe Kisha po punon në këtë drejtim...

Yes, it is possible and we have to try...
Përgjigja: Po është e mundur dhe duhet ta provojmë, sepse nuk ka mundësi tjetër. Dhe po përpiqemi ta bëjmë edhe nëpërmjet zhvillimit shoqëror dhe veprimtarive shoqërore. Po përfshijmë krejt popullatën, edhe hinduistët. Pra në atë zonë, kemi pak a shumë një lloj dialogu.

Të dielën Ati i Shenjtë bëri thirrje edhe për gjendjen e të krishterëve irakianë, thirrje që u përqafua nga shoqata “Pax Christi Italia”, e cila në një komunikatë nënvizon “britmën e dhimbjes për popullin irakian dhe për situatën e dëshpëruar të të krishterëve” në Irak. Ndërkaq dhuna vijon, ndonëse qeveria irakiane ka krijuar një komitet emergjence për këtë çështje në qytetin verior të Mosulit.







All the contents on this site are copyrighted ©.