2008-10-13 16:40:06

Papa: t’i jepet fund dhunës ndaj të krishtërve në Indi, Irak e Kivu.


(13.10.2008 RV)RealAudioMP3 “Një grua shpirtndritur, që me shembullin e saj mund t’i ngushëllojë të krishterët e Indisë, të cilët po kalojnë çaste të vështira”. Përballë një turme prej rreth 40 mijë vetësh, mbledhur dje në Sheshin e Shën Pjetrit për të ndjekur Meshën solemne, Benedikti XVI mori shkas nga kanonizimi i shenjtores së parë indiane, për të bërë, gjatë lujtes së Engjëllit të Tënzot, një thirrje të fuqishme për paqe në të gjitha vendet e botës, ku të krishterët vijojnë të persekutohen egërsisht. Ati i Shenjtë kërkoi t’i jepet fund dhunës kundër Kishës indiane e të rivendoset paqja. Në këtë thirrje Papa përfshiu edhe Irakun e zonën veriafrikane të Kivu-së, në Republikën demokratike të Kongos, ku vijon konflikti. Përfundoi, kështu, kremtimi, gjatë të cilit Ati i Shenjtë shpalli katër Shenjtorë të rinj. Duke i propozuar katër Shenjtorët e sapo shpallur si shembuj, që meritojnë të ndiqen, në përfundim të Meshës zëri i Papës u ngrit për të kërkuar përfundimin e dhunës në të katër anët e botës dhe bashkëpunimin për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë. Ishte një kërkesë e frymëzuar kryesisht nga virtytet e Shenjtores së parë të Indisë, Alfonsës së Zojës së Papërlyer:

“As the Christian faithfull…
Ashtu si të krishterët e Indisë, falënderoj Zotin për bijën e tyre të parë që paraqitet për nderim publik e dëshiroj t’i siguroj se lutem për ta në këtë çast të vështirë. Ia porosis kujdesit providencial të Hyjit të Gjithëpushtetshëm, të gjithë ata që luftojnë për paqe e pajtim, ndërsa u bëj thirrje nxitësve të dhunës të heqin dorë nga këto akte e të bashkohen me vëllezërit e motrat për të punuar së bashku në ndërtimin e qytetërimit të dashurisë”.

 
Para lutjes mariane, besimtarët ndoqën fragmentin ungjillor të së dielës, që fliste për gostinë e shtruar nga Zoti, në të cilën njerëzit nuk deshën të merrnin pjesë, sepse të zënë me interesat e tyre. Këtë fragment Papa e shfrytëzoi si kornizë, ku vendosi figurat e katër të Shenjtorëve të rinj, që shkrinë jetën në shërbim të Kishës, nga Azia në Amerikë. E Sheshi i Shën Pjetrit u shndërrua për disa orë në një planet të vogël, nën diellin e ngrohtë vjeshtarak, i mbushur siç ishte, me mijëra besimtarë, ipeshkvij, meshtarë e rregultarë, ardhur nga dioqeza shumë të largëta njëra nga tjetra. Pika e takimit – elteri, mbi të cilin, figuret e Alfonsës së Zojës së Papërlyer, meshtarit napoletan Gaetano Erriko, themelueses Maria Bernarda Bytler, lindur zvicerane, por apostulle e Ekuadorit dhe e Kolumbisë si dhe laikes ekudoriane, Narciza e Jezusit Martilo Moran. Historitë e tyre u lexuan para se të fillonte Mesha e u rikujtuan më pas në homelinë e Atit të Shenjtë. Shembëlltyra e dasmës, për të cilën na flet Ungjilli – vërejti Papa – na bën të meditojmë për përgjigjen që jep njeriu. Zoti i fton të gjithë, por përveç skamnorëve, shumëkush nuk denjohet t’i përgjigjet kësaj ftese:

“Bujarisë së Zotit njeriu duhet t’i përgjigjet me vullent të lirë. Kjo është rruga fisnike që ndoqën edhe ata, të cilët sot po i nderojmë si shenjtorë. Ata morën në Pagëzim rroben dasmore të hirit hyjnor, e ruajtën të paprekur, e pastruan dhe e bënë të ndritshme gjatë gjithë jetës, përmes Sakramenteve. Tani marrin pjesë në banketin dasmor në Qiell”.
 
Secili nga të katër shenjtorët u ul në sofrën hyjnore, në epoka e situata të ndryshme. Shenjtorja indiane, Alfonsa e Zojës së Papërlyer, së pari duke mbrojtur vendimin e saj për t’ia kushtuar gjithë jetën Zotit, e pastaj duke e mbartur me duresë ndërmjet simotrave, sëmundjen që ia dëmtoi rëndë shëndetin:

“This exceptional women...
Kjo grua e jashtëzakonshme, që sot i paraqitet popullit indian si Shenjtorja e parë e kanonizuar, qe e bindur se kryqi i saj ishte mjeti i vërtetë për të arritur me kohë në gostinë qiellore, të përgatitur për të nga Ati. Duke e pranuar ftesën për dasëm e duke e zbukuruar veten me petkun e hirit të Hyjit, përmes lutjes e pendesës, u bë një me Krishtin e tani kënaqet në “banketin me mish të majmë e verë të zgjedhur të mbretërisë qiellore”.
 
Maria Bernarda Bytler, që kujtohet e duhet posaçërisht në Kolumbi, ku themeloi Institutin e Motrave Françeskane Misionare të Zojës Ndihmëtare, spikat - shpjegoi Ati i Shenjtë – për dashurinë ndaj Eukaristisë e Fjalës së Zotit:

Esta es fuente y el pilar…
Ky është burimi e kjo shtylla e përshpirtërisë së kësaj Shenjtoreje të re, ashtu si edhe zelli i saj misionar, që e shtyu të lërë vendin ku kishte lindur, Zvicrën, për të hapur horizonte të reja ungjillëzimi në Ekuador e në Kolumbi. Iu desh të përballojë shumë vështirësi, ndërmjet të cilave, mërgimin, duke mbartur me vete, të vulosur në zemër, thirrjen e Psalmit, që dëgjuam sot: “Edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, s’trembem nga e keqja, sepse Ti je me mua”.

 
Gjithnjë në Ekuador, 50 vjet para se të arrinte atje Maria Bernarda Bytler, një laike e re, e pajisur me fe të zjarrtë, Narçiza e Jezusit Martilo Moràn – tha Papa - qe shuar në moshën 37 vjeçare, pasi kishte kaluar një jetë, që synonte përsosurinë e krishterë:

“En su amor apasionado a Jesús...
Me dashurinë e pasionuar për Krishtin, që e shtyu të niste rrugën e lutjes, të mundimit e të përpjekjes për t’u bërë një me misterin e Kryqit, na jep një dëshmi mahnitëse e një shembull të ndritshëm të një jete kushtuar plotësisht Hyjit e vëllezërve”.

 
Gaetano Erriko, meshtari italian, që jetoi në tetëqindën, në lagjen napoletane të Sekondilianos, qe njeri i mëshirës. U mësoi të gjithëve se Zoti e falë njeriun që gabon. E këtë mësim, gjithnjë aktual – tha Papa – e dha përmes sakramentit të rrëfimit:

“Këtij sakramenti meshtari Gaetano Erriko, themelues i Kongregatës së Misionarëve të Zemrave të Krishtit e të Zojës, iu kushtua me zell e duresë, pa thënë kurrë jo e pa e kursyer vetveten. Ai radhitet, kështu, ndërmjet figurave të jashtëzakonshme të meshtarëve që, pa u lodhur kurrë, e bënë rrëfyestoren vend ku dhurohej mëshira e Hyjit, duke i ndihmuar njerëzit të rigjenin vetveten, të luftonin kundër mëkatit e të përparonin në rrugën e jetës shpirtërore”.

 
Në përfundim – thirrjet gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot. Pasi përshëndeti besimtarët e Indisë dhe të pranishmit, të cilëve iu drejtua në pesë gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI u foli kështu besimtarëve napoletanë, të cilët tani e nderojnë si Shenjt Gateano Errikon:

“Më pëlqen të nënvizoj, në këtë muaj të tetorit, lidhjen e ngushtë të Shenjtorëve me Rruzaren, si rrugë e bashkimit të përditshëm me Krishtin, si burim frymëzimi e ngushëllimi, si mjet ndërmjetësimi për nevojat e Kishës, sipas ndjeteve të Papës. Ju ftoj, prandaj, të luteni për pajtim e paqe në disa situata, që shkaktojnë alarm e vuajtje të madhe: mendoj për popullsitë e Veriut të Kivu-së, në Republikën Demokratike të Kongos, e mendoj edhe për ushtrimin e dhunës në Irak e në Indi kundër të krishterëve, të cilët i kujtoj çdo ditë në lutjet drejtuar Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.