2008-10-12 09:38:37

Sot në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa shpalli katër Shenjtorë të rinj


(12.10.2008)RealAudioMP3 Sot në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI kremtoi Meshën solemne me ritin e kanonizimit, gjatë së cilës shpalli katër shenjtorë të rinj. Ndërmjet tyre, Shenjtorja e parë indiane: Alfonsa e Zojës së Papërlyer (në shekull, Anna Muttathupadathu), rregulltare e Kongregatës së Klariseve të Urdhërit të Tretë të Shën Françeskut.
Të tjetrët janë:
prifti italian Gaetano Erriko, themelues i Misionarëve të Zemrës së Krishtit e të Zojës së Bekuar:
Maria Bernarda Bytler, virgjër, themeluese e Kongregatës së Motrave Françeskane Misionare të Zojës Ndihmëtare;
Narçiza e Jezusit Martilo Moràn, laike ekuadoriane.
Tri të fundit, ndonëse jetuan në kohë të ndryshme, i bashkon veprimtaria ungjillëzuese në të njëjtat troje: në Ekuador.

Alfonsa e Zojës së Papërlyer (në shekull, Anna Muttathupadathu), rregulltare e Kongregatës së Klariseve të Urdhërit të Tretë të Shën Françeskut, lindi në Kudamalur, më 19 gusht 1910, në një familje të lashtë fisnike, shumë të njohur në Indi.
Lindi e u rrit nën shenjën e Kryqit, që nga dalja në dritë parakohe, deri tek vdekja e parakohshme, më 1946. Ishte vetëm tri vjeçe, kur i vdiq e ëma. Mbeti në duart e hallës, grua e rreptë, që ëndërronte ta shikonte mbesën nuse, në një nga familjet më të pasura të vendit. Po mbesa zgjodhi një Dhëndërr tjetër. Më 2 gusht 1928 nisi rrugën rregulltare në Kongregatën e Klariseve françeskane, me emrin Alfonsa e Zojës së Papërlyer. Që nga ky çast Krishti e mori për dore e i priu në rrugën e vuajtjes. E ajo vuajti në heshtje, për hatër të Atij, të cilit ia kishte kushtuar jetën, deri në vitin e fundit, që qe një agoni e pacak. “E ndjej se Zoti më ka caktuar të flijohem për shëlbimin e njerëzve – shkruan – prandaj dita kur nuk vuaj, më duket ditë e humbur!”.
Motër Alfonsa u shpall e lume nga Gjon Pali II më 8 shkurt 1986, në Kotaijam të Indisë.
Me kanonizimin e sotëm Kisha në Indi u paraqet për nderim besimtarëve të mbarë botës, Shenjtoren e vet të parë, e cila u përket dy traditave të mëdha: lindore e perëndimore, romake e malabareze, që motër Alfonsa i harmonizoi në jetën e saj të shenjtë.

Prifti italian Gaetano Erriko, themelues i Misionarëve të Zemrës së Krishtit e të Zojës, lindi më 19 tetor 1791. Gjashtëmbëdhjetë vjeç hyri në seminarin kryeipeshkvnor të Napolit. U shugurua meshtar më 23 shtator 1815 dhe nisi menjëherë punën si mësues, profesion që e ushtroi për njëzet vjet, duke u kujdesur posaçërisht të rrënjoste në shpirtin e nxënësve, parimet e krishtera.
Një vegim, që pati në vitin 1818, ia ndryshoi krejtësisht rrjedhën e jetës: iu duk Shën Alfonsi e i kumtoi se Zoti donte që ai të themelonte një Kongregatë rregulltare, duke i dhënë si shenjë, ndërtimin e një Kishe në nderim të Zojës së Dhimbshme në Sekondiliano. Më pas, duke u lutur para të Shenjtnueshmit Sakrament, ndjeu zërin e Zotit, që i kërkonte t’ia kushtonte Kongregatën e re, Zemrave të Krishtit e të Zojës. E ai i shkriu gjithë vitet, që i mbeteshin, për realizimin e kësaj porosie hyjnore. U bë, kështu, themelues i Kongregatës e sot, edhe Shenjt.
Po si arriti të ngjitej kaq lart? E fshehta e parë e shenjtërisë së tij është gjunjëzimi i vazhdueshëm në lutje, kudo, kurdoherë, edhe në dyshemenë e dhomës së tij, ku mbetën si dëshmi shenjat e gjunjëve të Shën Errikos.
Vdiq në Sekondiliano, në moshën 69 vjeçare, më 29 tetor 1860, duke shqiptuar porosinë e fundit për sivëllezërit: “Duajeni njëri-tjetrin e respektoni Rregullat!”.
U shpall i Lum nga Gjon Pali II më 14 prill 2002. Më 6 korrik 2007 Benedikti XVI nënshkroi dekretin, përmes të cilit miratohej mrekullia, që e lartoi sot në nderimet e elterit, duke shtuar radhët e shenjtorëve të Kishës katolike.

Ishte ende adoleshente Maria Bernarda Verena Bytler, me origjinë nga kantoni zviceran i Argovisë, kur ndjeu për herë të parë thirrjen e Zotit. Kaloi nga adoleshenca, në rini, me këtë thirrje në zemër, që e bëri të jetojë një përvojë të thellë fetare: “T’ua shpjegosh këtë gjendje shpirtërore, njerëzve që nuk e kanë provuar kurrë një gjë të tillë – shkruan – është tepër e vështirë, për të mos thënë, e pamundur”. Në moshë tashmë të pjekur, trokiti në portën e kuvendit të kapuçineve, kushtuar Zojës Ndihmëtare, në Altstätten, në kantonin e Sankt Gallen. Kaloi dhjetë vjet të ngarkuara me përkushtim e me përgjegjësi, që vijonin të bëheshin gjithnjë më të rënda, derisa u vu në krye të një bashkësie të pasur me thirrje e realizoi ëndrrën e vjetër: të nisej për në mision. E priste një tokë e re: Ekuadori. U vendos në Chone, ku hapi një kuvend të ri, pranë të cilit, një infermieri e një shkollë për vajza të vogla. Iu desh të përballojë kundërshtime jo të pakta, luftëra e sëmundje. Ia kushtoi të gjitha energjitë përmirësimit të jetës së të varfërve. Kështu Instituti i ri nisi të bëhej tepër i dashur për popullsinë vendase. Mosmarrëveshjet me kuvendin e Altstätten-it e bënë të shkëputet e të krijojë një Institut të ri: Motrat Françeskane Misionare të Zojës Ndihmëtare. Në fund të tetëqindës, persekutimi kundër të krishterëve e detyroi ta transferojë kuvendin në Kolumbi, ku edhe vdiq, në Kartagjenë, në vitin 1924.

Viti 1869 – kur Maria Bernarda bënte kushtet e përkohshme – ishte edhe viti i fillimit të Koncilit të parë të Vatikanit, që u thirr nga Papa Piu IX. Ndërsa ditën e hapjes së mbledhjes së madhe kishtare, më 8 dhjetor, mbyllte sytë për dritën e kësaj bote Narçiza e Jezusit Martilo Moràn.

Punëtore e madhe, jetime pa i mbushur të njëzetat, detyrohet të jetojë ndër papafingo e skuta, ku kalon orë e orë në lutje e pendesë të rënda trupore. E megjithatë jeta e saj rrezaton gëzim e dashuri të krishterë, siç rrëfen, në mikrofonin e Radio Vatikanit, postulatori i Çështjes së shenjtërimit, atë Vito Tomaz Gomez:

Përgjigje: - E Lumja Narçiza e perceptoi qartë thirrjen e saj për të ecur në rrugën e shenjtërisë, që kur mori sakramentin e Krezmimit. E, kujtojmë, ishte vetëm shtatë vjeçe. Iu bë, më pas, zakon të shkonte e vetme në mes të një pylli të vogël, pranë shtëpisë, për të kundruar lirisht realitetet hyjnore. Nisi një rrugë të vështirë pendese, për t’u lidhur më ngushtë me Krishtin në kryq e për të bashkëpunuar me Të për shpërblimin e botës. Por jeta e saj nuk ishte vetëm kundrim, i shkëputur nga veprimtaria praktike. Zoti ishte me të edhe kur i ndihmonte nënës në punët e shtëpisë e babait në punët e rënda bujqësore. Qe vajzë me mend në kokë e me zemër që i rrihte në kraharor për Zotin e për njeriun. Ishte edhe gojëmbël, e dashur bamirëse, paqësore. Pa ishte edhe e bukur, shtatlartë, me sy të kaltër, si qielli në një ditë të kthjelltë pranvere. E jo më pak, katekiste e shkëlqyer. U transmetonte fëmijëve të fqinjëve, gjithë zjarrin hyjnor që i digjej papushuar në kraharor.

 
Pyetje: - Përshpirtëria e kësaj vajze ishte tepër e fortë: e Lumja Narçiza shpesh herë kalonte shumë kohë duke u lutur, por edhe duke e munduar veten…Si mund t’i vlerësojmë sot këto çaste?

Përgjigje: - E shtyrë nga dëshira për të arritur pësosurinë e krishterë dhe e këshilluar nga një meshtar françeskan, më 1868 u nis për në Limë e jetoi si shekullare në Kuvendin domenikan të Patroçinios. Zoti vijonte t’i bënte dhurata të jashtëzakonshme, për të treguar sa e vlerësonte edhe në çastet e provave të shpirtit. Shembulli i jetës së saj, kaluar me punë e apostullim, transmeton një mesazh tepër aktual: mesazhin e vlerës së punës e të lutjes, deri në fund. Kur e ndjeu se po vdiste, u tha motrave se së shpejti do të nisej për një shtegtim shumë të gjatë. Menduan se po bënte shaka. Por pas pak, një nga motrat e ngarkuara për të bekuar qelitë, pa një dritë të veçantë që dilte nga qelia e Narçizës shoqëruar me një aromë tepër të këndshme. Hyri brenda dhe pa se rregulltarja kishte vdekur. Ishte 37 vjeçe.







All the contents on this site are copyrighted ©.