2008-10-11 19:47:22

365 ditë:"Robert Baden-Pauell: kampet skaut".


(11.10.2008 RV)Pasi ka ngrënë zamër, Danieli vrapon në dhomë për të shtjelluar temën: “Tregoni si i kaluat pushimet, duke përshkruar atë që e keni ndjerë më shumë me të pesë shqisat: të parët, të dëgjuarit, të nuhaturit, të prekurit e të shijuarit. Danieli sapo është kthyer nga një kamp skautësh dhe e ka kokën përplot me ide.
Të parët… Nuk mund të mos flasë për katër çadrat e vjetra të ngulura në mes të blerimit të pyllit. Në secilën, gjashtë dyshekë alpinistësh, gjashtë çanta shpine, gjashtë palë këpucë, gjashtë djelmosha! Grupi me gjashtë skaut, formon një “skuadrilje”.
Të dëgjuarit?
Ehuuu, sa tinguj kanë hyrë në veshët e Danielit!
Zhurmat e pyllit, britmat e skautëve gjatë lodrave, këngët mbrëmjeve pranë zjarrit, shoqëruar me kitarrën e kapos së skudriljes.
Të nuhaturit? Natyrisht, së pari, era e zjarrit! Erë që të hyn aq thellë ndër rroba, sa i bën zonjat plaka të largohen, duke u munduar të mos bien edhe aq në sy, nga bankat e Kishës ku janë ulur skautët.
Të prekurit të nxit menjëherë të përshkruash punën në pyll. Me trungjet e me degët e pemëve, skuadriljet bënë kryevepra: disa tavolina, një mobilje për të vënë enët, një hu për të ngulur flamurin e skautëve. Duke përdorur drurin me energji të madhe, edhe Danieli bëri shumë punime të bukura e u dallua për talentin e tij prej ndërtuesi, madje edhe prej skulptori.
Së fundi, të shijuarit, do t’i japë mundësi ta mbyllë temën, duke e neveritur mësuesin e italishtes aq, sa ta humbasë fare oreksin. Danieli e ka ndër mend të përshkruajë patatet e tmerrshme, gjysma pjekur, gjysma papjekur e gjysma djegur në zjarrin e kampit. Që kur nis t’i hash, kanë shijen e hirit….
Danieli i shkëput sytë nga kopja e keqe, krejt i pakënaqur. Ajo që ka shkruar nuk ta jep mirë idenë e një kampi skaut: jeta në ajër të pastër, miqësia, lodrat në skuadër, arti për të çalltisur në çdo situatë... Kështu e mendoi Baden-Pauell, gjenerali anglez që e themeloi skautizmin në fillim të nëntëqindës. Po Danieli ka frikë se, duke i përshkruar kështu gjërat, mund të lërë në plan të dytë themeloren.
Me pamje ëndrrimtare, kujton premtimin që bëri gjatë kohës kur ndenji në kamp. Premtimi është një ceremoni, gjatë së cilës skauti zotohet të respektojë një ideal jete. Premton të jetë i gatshëm për çdo shërbim, t’i dojë të gjithë si vëllezër: premtimi përmban një program kërkesash, që duhen realizuar me ndihmën e Zotit. Për Danielin skautizmi është sidomos përpjekja e përditshme për të jetuar si i krishterë i vërtetë.
Por si t’ia bëjë për ta shpjeguar këtë ashtu si dëshiron? Duhet të shpikë një shqisë të gjashtë, që të mund ta përshkruajë si duhet, atë që është themelore…







All the contents on this site are copyrighted ©.