2008-10-10 18:10:14

Në Stamboll u hap Simpoziumi i primatëve të Kishave ortodokse. Papën e përfaqëson kardinali Montexemolo.


(10.10.2008 RV)RealAudioMP3 Në Turqi sot u bë një hap i rëndësishëm para në rrugën ekumenike: në Stamboll, e pikërisht në Kishën patriarkale të Shën Gjergjit, u hap Simpoziumi i primatëve të Kishave ortodokse në botë, me ftesën e Patrikut Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeut I, për të kremtuar së bashku Vitin kushtuar Shën Palit. Në takim merr pjesë edhe një delegacion katolik, që përfaqëson Benediktin XVI, i kryesuar nga kardinali Andrea Kordero Lanca di Montexemolo, kryeprift i Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve të Romës.
Ky simpozium, i thirrur në emër të Shën Palit Apostull, mund të kontribuojë për afrimin e Kishave ortodokse. Kështu figura e Shën Palit, që Papa, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, e quajti ‘ambasador endacak i Krishtit” dhe ‘ungjillëzues i popujve e i kulturave’, bëhet simbol i bashkimit të mozaikut të larmishëm ekumenik. Asambleja e Stambollit – sipas kryetarit të Konferencës ipeshkvnore katolike turke, imzot Luigji Padovezes, që bën pjesë në delegacionin katolik – mund të ketë ndikime pozitive edhe për dialogun ndërmjet katolikëve e ortodoksëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.