2008-10-10 18:22:56

365 ditë: "Leoni Shaptal, infermierja që lufton për mbrojtjen e fëmijëve".


(10.10.2008 RV)Leoni Shaptal kapërcen rrugën që ndan Pallatin Uillson nga Pallati i Gjenevës, seli e Shoqërisë së Kombeve. Do të flasë për një çështje, të cilën e ka shumë për zemër: për mbrojtjen e fëmijëve. Por një britmë e mprehtë e bën të hidhet përpjetë. Dikush e thërret: “Zonjushe Ninì!”.
Një zonjë, jo fort e re, por tepër shkathët, vrapon pas saj.
“Nuk ju kujtohem? Jam Madalena e Fontanblu. Ju më mjekuat me dashuri tridhjetë vjet më parë, kur isha e sëmurë nga tuberkulozi. Jam shumë e lumtur që m’u dha rasti t’ju falënderoj!”.
Të gjithë të sëmurët, që ka mjekuar Leonì – e s’janë pak – do të dëshironin të bënin të njëjtën gjë. Leonì ka bërë shumë për të gjithë!
E ka nisur punën që kur ishte tetëmbëdhjetë vjeçe në lagjen pariziane të Plesansë. Është lagjja më e degraduar e Parisit, ku mbretërojnë tuberkulozi, uria, alkoolizmi e vdekja në moshë foshnjore. Leonì e i bie kryq e tërthor, pa pushim, duke mjekuar e duke ndihmuar sa më shumë njerëz që mundet. Më pas, me paratë që ka arritur të mbledhë, hap një dispanseri të specializuar për mjekimin e tuberkulozit. Rezultatet nuk vonojnë: shumë të sëmurë shërohen.
Leonì merret edhe me gratë shtatzëna, me nënat e foshnjat e tyre: i këshillon si të mbrojnë shëndetin e tyre e të fëmijëve të tyre. Hap një qendër ndihme mjekësore për fëmijët. U mëson njerëzve të respektojnë rregullat e higjienës, për të parandaluar sëmundjet... Në pak vjet, falë energjive të Leonisë, në lagjen Plesancë varfëria bëhet më e durueshme .
Në moshën njëzet e gjashtë vjeçare, merr diplomën e inferimieres dhe vendos të hapë një shkollë për ata që dëshirojnë ta ushtrojnë këtë profesion, në shërbim të shëndetit të njerëzve. Por gjëja më e rëndësishme janë fjalët e saj të ëmbla, gjestet plot mirësjellje, buzëqeshjet, që i qetësojnë të sëmurët e i mbushin plot me shpresë.
Më pas Leonì përfaqëson Francën në kongrese ndërkombëtare për luftën kundër tuberkulozit; jep ndihmesën për miratimin e një ligji mbi normat themelore të higjienës, bën të dëgjohet zëri i fëmijëve që mbron, në Kombet e Bashkuara të Gjenevës.
Zonja plakë e Fontanblusë, kishte të drejtë që e donte aq shumë zonjushën Ninì! Me energjitë e saj të pashterrshme e me fenë e saj, që tund malet, e shndërroi jetën e mijëra njerëzve, duke ua kthyer përsëri shpresat e humbura!







All the contents on this site are copyrighted ©.