2008-10-09 17:44:27

Çmimi Nobel për letërsinë: francezit Jean-Marie Gustav Le Clézio


(09.10.2008 RV)RealAudioMP3 Akademia e Stokholmit shpalli sot Çmimin Nobel për letërsinë: ndërmjet disa kandidatëve të njohur, fitoi francezi Jean-Marie Gustav Le Clézio. Shkrimtari, i lindur në Nicë në vitin 1940, nisi të shkruajë që në moshë të njomë, 7– 8 vjeçe. Sot, që është 68 vjeç, ka më se 30 vepra të botuara (libra, përralla, sprova e novela), që e bënë shumë të njohur në Francë e në mbarë botën. Vepra e tij e parë është ‘Procesverbali’, shkruar kur ishte 23 vjeç.
Ndër veprat më të njohura, kujtojmë: “Kontineti i padukshëm’, “Diego e Frida”, “Afrikani” etj.
Në motivacionin e Akademisë, vlerësohet si “shkrimtar i rrugëve të reja, i aventurës poetike dhe i ekstazës shqisore”.
Temat më të pëlqyera nga shkrimtari, në pjekurinë e tij artistike, janë ajo e fëmijërisë, e pakicave etnike, e shtegtimeve. Përveç lavdisë, njëherësh me Çmimin, Le Clézio do të marrë edhe dhjetë milionë korona suedeze (rreth një milion euro) e natyrisht, një mori opinionesh në mbrojtje e kundër “aventurës së tij” të gjatë letrare, të cilat tashmë kanë filluar të duken në faqet e shtypit e të internetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.