2008-10-08 19:06:08

Indi: maoistët pranojnë vrasjen e Svamit, shkëndijë e sulmit kundër të krishterëve.


(08.10.2008 RV)Svami është vrarë nga maoistët hinduistë, ndërsa qeveria e Orisës i ka fshehur provat. Akuzat e rënda arrijnë në AziaNjuz, nga lideri maoist, Sabiasaki Panda, i cili ripohon autorësinë e vrasjes së Svami Laksamananda Sarasvatit, pas së cilës filloi sulmi tragjik kundër të krishterëve të Orisës. Ai pohon se autorët e vrasjes lanë dy letra në vendin e krimit, por qeveria heshti, për t’i fajësuar të krishterët e për t’u lënë rrugë të lirë fanatikëve hinduistë që të nisnin sulmin kundër tyre, ‘me qëllime thjeshtë elektorale’. Svami, një nga krerët e grupit radikal Vishna Hindu Parishad, u vra më 23 gushtin e kaluar nga një grup i armatosur. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, hindustët fanatikë nisën sulmet kundër të krishterëve, ndonëse dyshonin se autorë të vrasjes ishin maoistët. “E dënuam me vdekje edhe e vramë – pohon Panda - sepse i detyronte indianët tribalë e të krishterë dalit, të ndërronin fenë e të bëheshin hinduistë, duke i kërcënuar e duke u premtuar ndihmë ekonomike”. Fushatat antikristiane, që mbështeten nga pronarët e tokave dhe tregtarët, të cilët nuk e duan emnancipimin e dalitëve e të tribalëve, kanë shkaktuar deri tani vdekjen e 61 personave, djegien e 4 mijë shtëpive që banoheshin nga të krishterët, shkatërrimin e 181 kishave e kapelave si dhe të 13 shkollave e qëndrave shoqërore. Në shumë fshatra, sidomos në Kandamal, vijonë sulmet e rrufeshme. Sipas liderit maoist, kryeministri i Orisës, Neven Patnaik, duhet të japë menjëherë dorëheqjen, sepse nuk i ka mbrojtur të krishterët dhe pronat e tyre. Edhe organizatat e krishtera akuzojnë qeverinë e Orisës e atë qëndrore. Por ato kërkojnë t’i jepet fund veprimtarisë së grupeve radikale hinduiste, të akuzuara si organizata të mirëfillta terroriste.







All the contents on this site are copyrighted ©.