2008-10-08 18:31:22

Dita e katërt e punimeve në Sinod iu kushtua sesionit të parë të ‘Rretheve të vogla”. Dje, mesazhi i Këshillit Ekumenik të Kishave.


(08.10.2008 RV)RealAudioMP3 Sesioni i parë i Rretheve të vogla - sot paradite për Etërit sinodalë, të mbledhur në Asamblenë XII të përgjithshme, me temë “Fjala e Zotit në jetën e në misionin e Kishës”. Gjatë punimeve folën disa Etër sinodalë, nga vende të ndryshme të botës, ndërsa pasdite rifilloi diskutimi i përgjithshëm, në kuadrin e Kongregacionit V.
Dje pasdite delegati vëllazëror, krypeshkopi metropolit, Nifoni i Targovistes, lexoi mesazhin e Samuel Kobias, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Botëror të Kishave. “Tema e zgjedhur për Asamblenë XII të përgjithshme të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve – lexohet në tekst – ka në vetvete premtimin e një risimi të thellë shpirtëror. Mënyra sesi Fjala e Hyjit pasqyrohet në jetën tonë, si na shndërron e na shtyn të bëjmë vepra dashurie – vijon mesazhi – është vërtetë në qendër të misionit shëlbues të Kishës”. Më pas theksohet edhe se Kisha është gjithnjë në kërkim të unitetit, përmasë e domosdoshme në jetën e në misionin e saj.
Para se të lexohej mesazhi, punimet u përqendruan kryesisht tek tri tema. Së pari u fol për kërkimin e mjeteve sa më të frytshme në vlerësimin e Shkrimit Shenjt, lidhur ngushtë me homelinë, si mjet themelor për ungjillëzimin. Së dyti, u reflektua për nevojën e formimit të rregulltarëve e të laikëve, duke u bazuar gjithnjë mbi Fjalën e Zotit, duke pasur mirë parasysh ndikimin që kanë sot mbi të, tendencat e ndryshme kulturore.
U fol edhe për temën e sekteve, posaçërisht në vendet afrikane. Duke prekur këtë temë, imzot Laurent Monsengvo Pasinia, Sekretar i posaçëm i Asamblesë së përgjithshme të Sinodit e kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Republikës Demokratike të Kongos, u shpreh kështu:

Përgjigje: - Sektet përbëjnë një rrezik të vërtetë, kryesisht për shkak të interpretimit fondamentalist të Biblës. Kështu e bëjnë gjithnjë më të ndërlikuar veprimtarinë ungjillëzuese të Kishës dhe njohjen e vërtetë të Biblës. Në se nuk i kushtojmë vëmendjen e duhur këtij fenomeni, ndodhemi përballë rrezikut që të krishterët tanë të largohen nga Kisha katolike!

Pyetje: - E si mund t’i kundërvihemi një fenomeni të tillë?

Përgjigje: - Duhet të nisemi sidomos nga Bibla: Bibla shpjegohet në bashkim me Kishën, sipas disa kritereve të garantuara nga Kisha, në koherencë me gjithë Shkrimin Shenjt. Nuk mjafton të marrësh një verset e ta shpjegosh të shkëputur nga konteksti. Çdo fragment duhet parë në lidhje të ngushtë me gjithë Biblën. Kemi, pastaj, edhe një kriter tjetër: teksti biblik nuk mund të ketë kurrë një kuptim, i cili i kundërvihet fesë që kemi marrë nga Apostujt.







All the contents on this site are copyrighted ©.