Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, kushtuar Shën Palit: “Jezusi jeton sot,
me ne”.
(08.10.2008 RV)“Për të krishterin,
Jezusi nuk është personalitet i së kaluarës”: kështu u shpreh sot paradite Papa në
audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, përplot me
shtegtarë e turistë – rreth 25 mijë vetë – nga mbarë bota, që e ndoqën Atin e Shenjtë
në një ditë të ëmbël e të ndritshme tetori romak. Përsëri Shën Pali në qendër të
katekizmit të Benediktit XVI, i cili sot foli për lidhjen e Apostullit të Popujve
me Jezusin e Nazaretit, më mirë të themi me ‘Jezusin tokësor’, ose me “Jezusin historik”.
Shën Pali dallon dy mënyra për ta njohur Jezusin, ose çdo njeri tjetër. Mënyra e parë
është ajo thjeshtë njerëzore, siç shkruan ai vetë në Letrën e dytë drejtuar Korintianëve:
“Kështu pra, qysh tani nuk njohim më askënd në mënyrë thjeshtë njerëzore, por edhe
në se e kemi njohur Krishtin në mënyrë njerëzore, nuk e njohim më ashtu”. Kur flet
për mënyrë njerëzore, Pali ka parasysh njohjen sipas pamjes së jashtme, e cila gjithsesi
nuk na siguron se e kemi njohur vërtetë tjetrin, sepse, siç theksoi Papa:
“Vetëm
me zemër njihet vërtetë njeriu”.
E edhe sot kemi
dy mënyra për ta njohur Jezusin - vijoi Benedikti XVI:
“Ka njerëz të
ditur që e dinë me hollësi jetën e Krishtit e, megjithatë nuk e njohin; ashtu si ka
njerëz të tjerë të thjeshtë të cilët, megjithëse që nuk i njohin fare këto hollësi,
njohin vetë Jezusin”.
Në se Pali, para se ta takonte
Krishtin e ngjallur në rrugën e Damaskut, e njihte Jezusin në mënyrë thjeshtë njerëzore,
pas Damaskut nuk e gjykon më në të njëjtën mënyrë:
“Shën Pali nuk mendon
për Jezusin duke e parë me syrin e historianit, si një personalitet të së kaluarës.
Natyrisht e njeh traditën e madhe mbi jetën, fjalët, vdekjen e ngjalljen e Jezusit,
por nuk i shikon këto si ngjarje që i përkasin së kaluarës; i propozon si realitet
të Jezusit të gjallë. Për Palin, fjalët e veprat e Jezusit nuk kanë të bëjnë me kohë
historike, me të kaluarën. Jezusi jeton tani e flet tani me ne, e jeton për ne e me
ne”.
Në përshëndetjet përfundimtare, Papa u kërkoi
posaçërisht besimtarëve të luten për sinodin e ipeshkvijve, që vijon në Vatikan, ta
thonë çdo ditë gjatë tetorit Rruzaren e të ndjekin shembullin e meshtarit francez,
Françesk Piancola, ‘predikatarit të urtë’, që u shpall i lum të shtunën e kaluar,
duke i porositur:
“Të jeni edhe ju, si ai, shenja të ndritshme të pranisë
së Krishtit, përmes besnikërisë plot bindje ndaj Kishës”.