2008-10-07 17:02:03

Sot Kisha kremtoi Zojën Rruzare


(07.10.2008 RV)RealAudioMP3 Sot shenjti dhe kujtesa historike e ditës bashkohen në një duke na kujtuar të kremten e Zojës Rruzare dhe betejën e Lepantos.
Më 7 tetor 1571 në Lepanto, në ngushticën që ndan Gjirin e Patrasit dhe Korinthit, koalicioni i formuar nga Venediku, Spanja dhe Shteti papnor arriti një fitore të paparë deri në atë kohë kundër flotës turke, të përbërë nga 274 anije e të komanduar nga Ali Pasha. Anijet turke u mbytën të gjitha, ndërsa komandanti mbeti i vrarë gjatë betejës. Ishte një ngjarje që pati jehonë të jashtëzakonshme në gjithë botën e krishterë, gjë që e shtyu papën Piu V të caktonte një festë falënderimi, e cila u quajt "Shën Maria e Fitores".
Kjo festë më 1716 u shtri në mbarë Kishën universale dhe u fiksua përfundimisht më datën 7 tetor nga Shën Piu X, në vitin 1913. Festa e Zojës Rruzare, siç u quajt më pas - do të përmblidhte të gjitha festat e Zojës dhe misteret e Krishtit, që pati gjithnjë pranë Nënën e tij të Virgjër.
Nga Shenjtëroret e shumta që i kanë lartuar popujt në të katër anët e botës, Zoja Rruzare u drejton të gjithë besimtarëve ftesën ta kumtojnë Krishtin, në një shoqëri që po largohet nga vlerat e krishtera.







All the contents on this site are copyrighted ©.