2008-10-07 17:48:39

Krishterimi është liri për ta pranuar Ungjillin e për t’i shërbyer.


(01.10.2008 RV)Të dashur vëllezër e motra
Respekti e nderimi që pati gjithnjë Pali për të Dymbëdhjetët, nuk pakësohet kur ai mbron me zemër të hapur të vërtetën e Ungjillit, që nuk është tjetër, veçse Jezu Krishti, Zoti. Dëshiroj sot të ndalem tek dy episode, që dëshmojnë për nderimin e, njëkohësisht lirinë, me të cilën Apostulli i drejtohet Kefës e dhe Apostujve të tjerë: tek i ashtuquajturi ‘Koncili i Jeruzalemit’ dhe tek aksidenti i Antiokisë së Sirisë, për të cilat shkruhet në Letrën drejtuar Galatasve (cfr 2,1-10;2,11-14).
Çdo Koncil e çdo Sinod i Kishës është ‘ngjarje e Shpirtit Shenjt’ e përfshin, në sa kryhet, instancat e mbarë popullit të Zotit: këtë e provuan personalisht të gjithë ata që patën dhuratën të merrnin pjesë në Koncilin II të Vatikanit. Prandaj Shën Luka, duke na dhënë njoftime mbi Koncilin e Kishës, mbajtur në Jeruzalem, e hap kështu letrën që Apostujt ua dërguan me këtë rast bashkësive të krishtera të diasporës: “Vendosëm, pra, Shpirti Shenjt e ne …” (Vap 15,28). Shpirti Shenjt, që vepron në mbarë Kishën, i merr për dore Apostujt e u prin në rrugë të reja për realizmin e planeve të tij: është ai
Mjeshtri kryesor i ndërtimit të Kishës.

Asambleja e Jeruzalemit u mbajt në një çast tensioni jo të paktë në gjirin e Bashkësive të zanafillës. Ishte fjala për t’iu përgjigjur pyetjes në se duhej t’u kërkohej paganëve, që po e pranonin Jezu Krishtin, Zotin, të rrethpriteshin, apo duheshin lënë të lirë nga Ligji mosaik, dmth nga rregullat që duheshin respektuar për të qenë njerëz të drejtë, që i nënshtroheshin Ligjit, e posaçërisht, të liruar nga normat që kishin të bënin me pastrimet e kultit, me ushqimet e pastra e të papastra e me të shtunën. Për Asamblenë e Jeruzalemit flet edhe Shën Pali në Gal 2,1-10: katërmbëdhjetë vjet pas takimit me Krishtin e ngjallur në Damask – jemi në gjysmën e viteve 40 pas Krishtit – Pali niset së bashku me Barnabën nga Antiokia për në Siri, i shoqëruar nga Titi, bashkëpunëtori i tij besnik i cili, duke qenë me origjinë greke, nuk ishte detyruar të rrethpritej për të hyrë në Kishë. Në këtë rast Pali u paraqet të Dymbëdhjetëve, të njohur si njerëzit më të rëndësishëm, ungjillin e tij të lirisë nga Ligji (cfr Gal 2,6). Në dritën e takimit me Krishtin e ngjallur, ai kishte kuptuar se në çastin e kalimit tek Ungjilli i Krishtit, nuk ishte më e nevojshme që paganët të rrethpriteshin, t’u nënshtroheshin rregullave që kishin të bënin me ushqimin e me të shtunën, për t’u dalluar si të drejtë: Krishti është drejtësia jonë, prandaj është ‘e drejtë’ gjithçka përkon me Të. Nuk është nevoja për shenja të tjera dalluese, që të jesh i drejtë. Në Letrën drejtuar Galatasve, tregon, me pak fjalë, zhvillimin e asamblesë: me entuziazëm kujton se ungjilli i lirimit nga Ligji qe miratuar nga Jaku, Kefa e Gjoni, “shtyllat” , që i dhanë atij e Barnabës dorën e djathtë si shenjë bashkimi kishtar në Krishtin (cfr. Gal 2,9). Në se, siç kujtuam më parë, për Lukën Koncili i Jeruzalemit shpreh veprimin e Shpirtit Shenjt, për Palin përfaqëson njohjen vendimtare të lirisë, që e pranuan të gjithë pjesëmarrësit: lirim nga detyrimet me prejardhje nga rrethprerja e nga Ligji; ajo liri për të cilën “Krishti na liroi, që të mbeteshim krejt të lirë” e të mos lejonim më të na vinin zgjedhën e skllavërisë (cfr Gal 5,1). Të dyja mënyrat me të cilat Pali e Luka e përshkruajnë asamblenë e Jeruzalemit, kanë të përbashkët veprimin çlirues të Shpirtit Shenjt, sepse “Aty ku është Shpirti i Zotit, aty është edhe liria”, do të thotë në Letrën e dytë drejtuar Korintianëve (cfr 3,17).
Gjithsesi, siç duket qartë në Letrat e Shën Palit, liria e krishterë nuk mund të identifikohet kurrë me liberalizmin apo shthurjen e as me dëshirën për të bërë si të duash; ajo realizohet në përkim me Krishtin e, prej këndej, në shërbimin ndaj vëllezërve, sidomos atyre që kanë më shumë nevojë. Prandaj përshkrimi që i bën Pali asamblesë, mbyllet me kujtimin e porosisë që dhanë Apostujt: “Na porositën vetëm t’i kujtojmë të vobektët; gjë që jam kujdesur ta bëj në mënyrë të veçantë” (Gal 2,10). Çdo Koncil lind nga Kisha e në Kishë kthehet: në këtë rast kthehet me vëmendjen për të varfërit që, sipas shënimeve të ndryshme të Palit në Letrat e tij, janë sidomos ata të Kishës së Jeruzalemit. Në shqetësimin për të varfërit, për të cilin shkruhet posaçërisht, në Letrën e parë drejtuar Korintianëve (cfr 8-9) e në pjesën përfundimtare të Letrës drejtuar Romakëve (cfr Rom. 15), Pali tregon se është besnik ndaj vendimeve të marra gjatë asamblesë.

Ndoshta nuk jemi më në gjendje ta kuptojmë plotësisht vëmendjen që Pali e bashkësitë e tij i kushtonin mbledhjes së lëmoshëve për të varfërit e Jeruzalemit. Ishte fjala për një nismë krejt të re në panoramën e veprimtarive fetare: nuk ishte e detyrueshme, por e lirë, e vetvetishme, tipike për të gjitha Kishat që themeloi Pali në shtegtimin e tij drejt Perëndimit. Mbledhja e lëmoshës shprehte detyrimin e bashkësive për Kishën e tyre nënë të Palestinës, nga e cila kishin marrë dhuratën e parrëfyeshme të Ungjillit. Aq e madhe është vlera që i jep Pali këtij gjesti të ndarjes së përbashkët të pasurisë, sa rrallë herë e quan thjeshtë ‘lëmoshë’: për të ky është ‘shërbim’, ‘bekim’, ‘dashuri’, ‘hir’, madje ‘liturgji”(2 Kor 9). Na çudit në mënyrë të veçantë termi i fundit, që i jep mbledhjes së parave vlerë kultuale: nga njëra anë, është gjest liturgjik ose ‘shërbim’, që çdo bashkësi e kryen për Zotin; nga ana tjetër është veprim dashurie i bërë në favor të popullit. Dashuria për të varfërit e kulti i brendshëm i Kishës shkojnë krah për krah, dashuri për të varfërit e liturgji. Të dy horizontet janë të pranishme në çdo liturgji të kremtuar e të jetuar në Kishë, e cila për vetë natyrën e saj, i kundërvihet ndarjes së kultit nga jeta, fesë nga veprat, lutjes nga bamirësia për vëllezërit. Kështu Koncili i Jeruzalemit lindi për të zgjidhur çështjen mbi qëndrimin ndaj paganëve, që vinin në fe, duke zgjedhur rrugën e lirimit nga rrethprerja e nga respektimi i detyrimeve të imponuara prej Ligjit; e çështja zgjidhet në një instancë kishtare e baritore, që ka në qendër fenë e Krishtit dhe dashurinë për të varfërit e Jeruzalemit e të mbarë Kishës.

Rasti i dytë është episodi i njohur i Antiokisë, në Siri, i cili dëshmon për lirinë shpirtërore që gëzonte Pali: ç’ qëndrim duhej mbajtur në rastin e uljes në një sofër me besimtarët e prejardhur nga hebrenjtë e ata me prejardhje nga paganët? Lind këtu një tjetër epiqendër e nënshtrimit ndaj ligjit mosaik: dallimi ndërmjet ushqimeve të pastra e të papsastra, që hapte një hendek të thellë ndërmjet hebrenjve praktikantë e paganëve. Në fillin Kefa, Pjetri, ulej në sofër me njërën e me tjetrën palë, por me arritjen e disa të krishterëve, të lidhur me Jakun, ‘vëllain e Zotit’(Gal 1, 19), Pjetri nisi t’i shmangej uljes në një sofër me paganët, për të mos i shkandulluar të krishterët, që ndiqnin rregullat e pastërtisë së ushqimit; e kështu nisi të bëjë edhe Barnaba. Një veprim i tillë i ndante thellësisht të krishterët e ardhur nga rrethprerja nga të krishterët e ardhur nga paganizmi. Kjo sjellje, që kërcënonte realisht bashkimin dhe lirinë e Kishës, shkaktoi reagimin e zjarrtë të Palit, që arriti deri atje, sa t’i akuzonte Pjetrin e të tjerët për hipokrizi: “Në se ti që je hebre, jeton si paganët e jo si hebre, pse i detyron paganët të jetojnë si hebrenj?” (Gal 2, 14).
Në të vërtetë shqetësimet e Palit, nga njëra anë, dhe të Pjetrit e të Barnabës, nga ana tjetër, nuk ishin të njëjta: për këta të fundit, ndarja nga paganët shikohej si mënyrë për t’i mbrojtur e për të mos i shkandulluar besimtarët, që vinin nga judaizmi: ndërsa Pali e shikonte si rrezik, që mund të krijonte keqkuptime për shëlbimin universal në Krishtin, i cili u flijua njëlloj si për paganët, ashtu edhe për judenjtë. Në se shfajsimi realizohet vetëm për virtyt të fesë në Krishtin, nga përkimi me Të, pa kurrfarë veprimi nga ana e Ligjit, ç’kuptim do të kishte të respektohej akoma pastërtia e ushqimeve gjatë ngrënies në sofër? Ndoshta kishte edhe shumë ndryshime të tjera në perspektivat e Pjetrit e të Palit: së pari, për të mos i humbur judenjtë, që kishin pranuar Ungjillin; së dyti për të mos ia pakësuar vlerën shëlbuese vdekjes së Krishtit për të gjithë besimtarët.
 Është për t’u çuditur, por duke u shkruar të krishterëve të Romës, disa vjet më vonë (rreth gjysmës së viteve 50 pas Krishtit), Pali vetë do të gjindej përballë një situate të njëjtë e do t’u kërkonte të fortëve të mos hanin ushqime të papastra, për të mos i humbur ose për të mos i shkandulluar të ligshtit: “Është mirë të mos hash mish e të mos pish verë e të mos hash ndonjë gjë tjetër, që mund të shkandullojë vëllaun tënd” (Rom 14,21). Aksidenti i Antiokisë u bë, kështu, mësim sa për Pjetrin, aq edhe për Palin. Vetëm dialogu i sinqertë, me zemër të hapur për të vërtetat e Ungjillit, mund ta orientojë rrugën e Kishës: “Në të vërtetë mbretëria e Hyjit nuk është çështje gjellësh a pijesh, por është drejtësi, paqe e gëzim në Shpirtin Shenjt” (Rom 14, 17). Është një mësim që duhet ta nxëmë të gjithë: me karizmat e ndryshme, që iu besuan Pjetrit e Palit, ta lemë të gjithë veten të udhëhiqemi nga Shpirti Shenjt, duke u përpjekur të jetojmë në lirinë, që orientohet nga besimi në Krishtin dhe konkretizohet në shërbimin ndaj vëllezërve. Themelore është të jesh gjithnjë më shumë në përkim me Krishtin. Kështu njeriu mund të bëhet vërtetë i lirë e kështu mund ta shprehim thelbin kryesor të ligjit, që është dashuria për Hyjin e për të afërmin. T’i lutemi Zotit të na mësojë t’i jetojmë ndjenjat e tij, për të mësuar prej Tij lirinë e vërtetë e dashurinë Ungjillore që përfshin çdo qenie njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.