2008-10-07 16:59:13

Bota hesht përballë persekutimeve kundër të krishterëve në Indi


(07.10.2008 RV)RealAudioMP3 Në Indi tragjedia e të krishterëve vijon. Janë me mijëra që vazhdojnë të kërkojnë një strehë të sigurtë nga dhuna nëpër pyje ndërsa bota bën sehir. Mbi situatën në vendin aziatik të dëgjojmë në mikrofonin e Radio Vatikanit drejtorin e agjencisë Azhianjuz Atë Bernardo Çervelera:

Përgjigje: - Situata në Indi është tragjike. Çdo ditë vriten e priten njerëz që i detyrojnë të ndërrojnë fé, domethënë i shtrëngojnë të braktisin krishtërimin për t’u kthyer në hinduizëm nën kërcënimin e armëve. Që tani ka mjaft martirë që kanë refuzuar të ndërrojnë fé dhe janë vrarë. Ka pastaj edhe shumë të shpërngulur që iu është shkatërruar shtëpia dhe që jetojnë në pyjet e Orisës, të sëmurë, pa ushqim, pa barna. Ka të tillë rreth 30 mijë vetë. Ka pastaj persona që jetojnë nëpër kampet e refugjatëve të ngritura nga qeveria, por që edhe këtu sulmohen nga fondamentalistët hindu. Pra situata është me të vërtetë shumë tragjike dhe për më tepër shoqërohet me një ironi therëse sepse fondamentalistët hindu kanë filluar këtë masakër kundër të krishterëve duke thënë se të krishterët janë përgjegjës për vrasjen e një udhëheqësi të tyre. Ndërkaq, pikërisht këto ditë, udhëheqësi maoist i Orisës doli me një deklaratë të hapur ku thuhet se kanë qenë ata, maoistët, që e kanë vrarë liderin hindu.

Pyetje: - Të shtunën e kaluar, gjatë lumnimit të Dom Françesko Bonifaços, Imzot Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, denoncoi indiferencën e botës përballë persekutimeve ndaj të krishterëve. “Bëhen fushata për mbrojtjen e kafshëve, tha ai, por asnjë fushatë nuk është bërë deri tani për mbrojtjen e të krishterëve të persekutuar.” Pse nuk bëhet asgjë?

Përgjigje: - Unë mendoj se para së gjithash duhet thënë se India shpeshherë, qeveria indiane – qoftë ajo vendore, qoftë ajo ndërkombëtare, qoftë ajo qendrore – ka bërë pak sepse ka arsye politike që e shtyjnë të mos lëvizin fort. Tani po afrohen edhe zgjedhjet e kështu që nuk duan të humbasin votat e hinduve. Prandaj lejojnë që të vriten të krishterët. Mbi të gjitha pastaj, ka edhe heshtje nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht në Perëndim. Problemi është se shumë shpesh dhuna kundër të krishterëve quhet si një gjë dytësore. Pra, liria fetare e edhe jeta e të krishterëve quhen dytësore në krahasim me tregjet financiare, në krahasim me politikën. Ky, pra, është problemi. Në të vërtetë ndodh që meqë Perëndimi po e fshin Zotin nga jeta e vet atëherë mendohet se, edhe nëse ka bashkësi fetare që masakrohen nuk është e rëndësishme, mbasi bota, përkundrazi, rri në këmbë vetëm nga fuqia e parasë dhe e ekonomisë.

Pyetje: - Çfarë mund të bëjnë të krishterët në botë?

Përgjigje: - Të krishterët para së gjithash, siç thuhet në Letrën dërguar Hebrenjve, duhet të mbajnë, duhet të bashkëndajnë vargojtë me ata që janë të lidhur, pra duhet të bashkëndajnë në ndonjë mënyrë, jetën dhe fatin e këtyre të krishterëve, duke u lutur, duke i ndihmuar, duke i mbështetur por edhe duke debatuar, duke ngritur zërin. Sepse problemi është ky, siç thoshte Gjon Pali II, liria fetare është një letër lakmusi për të gjitha të drejtat e tjera fetare. Po nuk pati liri fetare, herët a vonë nuk do të ketë as treg të lirë, as tregti të lirë, as vëllazërim e as solidaritet nëpër botë, për të cilët sot, në këtë krizë ndërkombëtare do të kishim tepër nevojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.