2008-10-06 17:44:59

Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa e quajti themelor për Kishën Sinodin kushtuar Fjalës së Hyjit


(06.10.2008 RV)RealAudioMP3 Dje Benedikti XVI hapi, në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Murene, Asamblenë XII të përgjithshme të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, me temë: “Fjala e Hyjit në jetën e në misionin e Kishës”, që do të vijojë në Vatikan deri më 26 tetor.
Gjatë Meshës Papa theksoi se detyra kryesore e Kishës është “Të ushqehet me Fjalën e Zotit, që e shndërron zemrën e njeriut”.
Rreth Benediktit XVI bashkëkremtuan etërit sinodalë e bashkëpunëtorët: 52 kardinaj, 14 anëtarë të Kishave Lindore, 45 kryeipeshkvij, 130 ipeshkvij e 85 meshtarë. Papa ripohoi se nuk mund të ketë Kishë, pa kumtimin e Ungjillit dhe i nxiti njerëzit e kohës sonë të mos e zhdukin Zotin nga horizonti i jetës së tyre.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar më pas në Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë i ftoi familjet ta kenë Fjalën e Zotit pranë për gjithë jetën. Papa u shpjegoi shtegtarëve rëndësinë e ‘përmasës sinodale’ që – siç u shpreh ai vetë – është themelore për Kishën:

“Ajo konsiston në ardhjen nga çdo popull e kulturë, për t’u bërë një në Krishtin e për të ecur së bashku pas Atij, që ka thënë: “Unë jam rruga, e vërteta, jeta”.
 
Sinodi i ipeshkvijve, i themeluar nga Pali VI – kujtoi Papa - krijon mundësitë për bashkimin e bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Papës e ipeshkvijve të mbarë botës, duke favorizuar mirëkuptimin për çështjet e doktrinës e të veprimtarisë baritore. Kjo asamble – vijoi Papa - i jep Pasardhësit të Shën Pjetrit një ndihmë të madhe, duke shprehur e njëkohësisht duke fuqizuar bashkimin kishtar. Papa nënvizoi edhe pjesëmarrjen e gjërë në fazën përgatitore të Sinodit kushtuar Fjalës së Hyjit nga ana e Kishave të veçanta në të katër anët e botës.
Pas përfundimit të Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI u ndalua tek nisma e RAI, “Bibla ditë e natë’ , lexim i plotë i Shkrimit Shenjt nga ana e 1200 personave nga 50 vende të ndryshme. Këtë nismë, që shkon krah për krah me Sinodin e Ipeshkvijve kushtuar Fjalës së Hyjit, e hapi mbrëmë vetë Papa, duke lexuar Kapitullin I të Librit të Zanafillës, transmetuar në orën 19. 00 në Rai 1:

“Fjala e Hyjit mund të hyjë kështu nëpër shtëpitë, për të shoqëruar jetën e familjeve e të njerëzve, si një farë që, në se mbillet mirë, nuk vonon të japë fryte të begata”.
 
Më pas Papa përshëndeti të rinjtë, pjesëmarrës në Mitingun Vinçencian, organizuar nga Bijat e Dashurisë së Shën Vinçenc de’ Paolit të provincës romake, duke i ftuar të mësojnë nga shenjtorët ‘për t’i dashur Kishën e të varfërit”. Fjalë inkurajimi edhe për misionin “Jezusi në krye të vendit”, drejtuar të rinjve romakë.
Me Meshën e madhe, kremtuar dje në bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve, u hap pra Sinodi i ipeshkvijve kushtuar fjalës së Hyjit, punimet e të cilit filluan sot në Vatikan. Ndërmjet pjesëmarrësve në takimin e madh sinodal, është edhe don Gjorgjo Zevini, dekan i fakultetit të Teologjisë në Universitetin salezian të Romës i cili, në mikrofonin tonë, flet për qëllimet kryesore të Sinodit:

Përgjigje: - Mendoj se qëllimi kryesor i këtij Sinodi është t’i kushtohet temës së Fjalës, me të cilën Hyji, i madh e i mëshirshëm, dëshiron të hyjë në dialog me të gjithë njerëzit, duke na konsideruar miq. Ky bashkim që duhet jetuar me Të, natyrisht kërkon nga ne e nga mbarë Kisha, dëgjimin e dashurinë për Fjalën e Hyjit. Kështu Zoti i drejton Fjalën njeriut, përcakton thirrjen e tij, krijon bashkimin me të, e nis për në mision, që t’ua bëjë edhe të tjerëve atë dhuratë që e mori nga Zoti. Mendoj se qëllimi kryesor i këtij Sinodi është ai baritor e njëkohësisht, edhe ai misionar, sepse Kisha ka për qëllim t’i thellojë arsyet doktrinore e të ndriçohet prej tyre, në mënyrë që ta fuqizojë praktikën e takimit me Fjalën e Zotit, si burim jete. Pra, të dëgjohet Hyji, të flitet me Të, për ta përcjellë këtë mesazh të Hyjit, këtë ‘letër të mrekullueshme dashurie’ që Hyji i drejtoi njerëzimit, që të mund ta lexojnë të gjithë njerëzit. 







All the contents on this site are copyrighted ©.