2008-10-06 17:49:16

365 ditë: "Roza Hothon, që e luftoi kancerin me bamirësi".


(06.10.2008 RV)E bija e shkrimtarit të madh Nataniel Hothon, Roza, ishte e kulturuar, e bukur, e pajisur me cilësi të rralla, e megjithatë, tejet e trishtuar. Në moshën 41 vjeçe, kur sapo i ka vdekur djali i vetëm, i sëmurë nga kanceri, detyrohet të pranojë edhe se martesa e saj ka dështuar plotësisht. Në raste të tilla zemra e shumkujt bëhet gur. Por jo zemra e Rozës. Pikërisht në këtë çast, kur jeta ia mbyll të gjitha portat, ajo vendos t’ia hapë portën e saj njerëzve më fatzez, posaçërisht të sëmurëve nga kanceri. Në fund të shekullit XIX spitalet nuk janë në gjendje ta mjekojnë këtë sëmundje e, me që nuk kanë asnjë shpresë për t’i shëruar njerëzit e prekur prej saj, i nisin në shtëpi. Madje, me që mendohet se kanceri është ngjitës, shumë të sëmurë mbyllen në një ishull pranë Nju Jorkut e lihen atje derisa vdesin. Gjendja e tyre është vërtetë e tmerrshme.
Pasi kaloi tre muaj në spitalin e Nju Jorkut, Roza vendosi të marrë një apartament me qira në zonën më të varfër të qytetit, në Lagjen Lindore, për të mjekuar të sëmurët nga kanceri që banonin atje. Kancerozët vrapuan me shumicë në shtëpinë e saj. Roza i pranonte të gjithë. E ata kalonin pranë saj gjithë kohën që u mbetej për të jetuar. Roza bënte çmos që kjo kohë të ishte sa më e qetë. Me që numri i të sëmurëve vijonte të shtohej çdo ditë, ajo nisi ta kuptojë se nuk ishte e lehtë të drejtohej një spital falas. Vuri lajmërime në gazetat, duke kërkuar njerëz të gatshëm për ta ndihmuar. Në lagjen e mjerë, ku jetonte Roza, arriti ndihmësja e parë: ishte Alisë Huber, studente në institutin e arteve të bukura. Kur hyri për herë të parë në apartamentin e shndërruar në spital, me dyshekë të shtruar në të katër anët, zuri hundët nga era e keqe. Por shumë shpejt braktisi studimet universitare e nisi të punojë përkrah Rozës.
Dy vjet pas arritjes së Alisës, në vitin 1899, dy mikeshat vendosën të veshin petkun e rregulltares: u bënë murgesha. Roza mori emrin Motër Meri Alfonsa e hartoi shpejt e shpejt disa rregulla të thjeshta, por themelore, për kongregatën që nisi të themelohej, në atë vend mjerimi: motrat nuk duhet të shprehnin kurrë neveri gjatë mjekimit të të sëmurëve, mjekim që duhet ta bënin plotësisht falas…
Pas vdekjes së Rozës, më 1926, me Alisën u bashkuan edhe motra të tjera. Bashkësia domenikane, që themeluan së bashku Roza e Alisa e që u quajt ‘Kongregata e Shën Rozës’, vijon edhe sot misionin e saj me një moto e tejet të thjeshtë: “Ne jemi për Zotin e për të varfërit!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.