2008-10-05 16:05:38

Papa në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve për hapjen e Sinodit të Ipeshkvijve, kushtuar Fjalës së Hyjit: “Njeriu i kohës sonë nuk duhet ta zhdukë Zotin nga horizonti i tij!”.


(05.10.2008 RV)RealAudioMP3 “Të ushqehet me Fjalën e Zotit, që e shndërron zemrën e njeriut: kjo është detyra kryesore e Kishës”: këtë nënvizoi Benedikti XVI gjatë Meshës, kremtuar në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve, me të cilën sot paradite hapi Asamblenë XII të përgjithshme të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, me temë: “Fjala e Hyjit në jetën e në misionin e Kishës”. Sinodi do të vijojë në Vatikan deri më 26 tetor. Rreth Papës bashkëkremtuan etërit sinodalë e bashkëpunëtorët: 52 kardinaj, 14 anëtarë të Kishave Lindore, 45 kryeipeshkvij, 130 ipeshkvij e 85 meshtarë. Papa ripohoi se nuk mund të ketë Kishë, pa kumtimin e Ungjillit dhe i nxiti njerëzit e kohës sonë të mos e zhdukin Zotin nga horizonti i jetës së tyre. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar më pas në Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë i ftoi familjet ta kenë Fjalën e Zotit pranë për gjithë jetën.

 
Vetëm Fjala e Zotit mund ta shndërrojë me të vërtetë zemrën e njeriut: ky është mesazhi që Benedikti XVI u dorëzoi gjithë besimtarëve në Meshën për hapjen e Sinodit kushtuar ‘Fjalës së Hyjit në jetën e në misionin e Kishës”. Në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, Papa i nxiti Etërit Sinodalë të punojnë për ta bërë gjithnjë më frytdhënës kumtimin e Ungjillit në kohën tonë:

“E vërejmë të gjithë sa e nevojshme është të vemë në qendër të jetës sonë Fjalën e Zotit, ta pranojmë Krishtin si Shëlbuesin tonë të vetëm, si vetë Mbretërinë e Zotit, kështu që drita e tij të ndriçojë çdo mjedis njerëzor: nga familja tek shkolla, nga kultura tek puna, nga koha e lirë tek fushat e tjera të shoqërisë e tek jeta jonë”.

 
Duke marrë pjesë në kremtimin eukaristik – vijoi Papa – e vërejmë gjithnjë më shumë lidhjen që ekziston ndërmjet kumtimit të Fjalës së Hyjit e Flijimit eukaristik: është i njëjti Mister, që na dhurohet për kundrim. Kur Zoti flet – nënvizoi Benedikti XVI – kërkon gjithnjë përgjigje; veprimtaria e tij shëlbuese kërkon bashkëpunimin njerëzor, dashuria e tij pret dashurinë e njeriut:

“Vetëm Fjala e Hyjit mund ta shndërrojë thellësisht zemrën e njeriut, prandaj ka shumë rëndësi që besimtarët e veçantë e bashkësitë të kenë marrëdhënie gjithnjë më të ngushta me të. Asambleja e përgjithshme do t’i kushtojë vëmendje kryesore kësaj së vërtete themelore për jetën e misionin e Kishës. Ushqimi me Fjalën e Zotit është detyra e saj e parë e kryesore”.

 
Në të vërtetë – vijoi Papa – në se kumtimi i Ungjillit përbën arsyen e qenies së saj e misionin e saj, është e domosdoshme që Kisha ta njohë e ta jetojë atë që kumton, që predikimi i saj të jetë i besueshëm, pavarësisht nga ligështitë dhe varfëritë e njerëzve të cilët i shërbejnë. Dyke pasur parasysh kremtimin e Vitit kushtuar Shën Palit, Papa kujtoi edhe shembullin e Apostullit të Popujve, “dëshmitar sypatrembur e kumtar i Fjalës së Zotit” dhe britmën e tij: “Mjer unë, në se nuk e predikoj Ungjillin!”. Shumë njerëz – konstatoi Benedikti XVI – nuk janë takuar ende me Ungjillin; të tjerë, ndonëse kanë marrë formim të krishterë, më pas janë ftohur e kanë lidhje të cekta, pa entuziazëm, me Fjalën e Zotit; të tjerë, akoma, janë larguar nga praktimi i fesë dhe kanë nevojë për një ungjillëzim të ri; e nuk mungojnë edhe njerëzit e drejtë, që bëjnë pyetje ekzistenciale, të cilave vetëm Krishti mund t’u përgjigjet. Prej këndej, thirrja e fuqishme Papës:

"Është, atëherë, e domosdoshme për të krishterët e të pesë kontinenteve, të jenë gati për t’iu përgjigjur çdo njeriu, që kërkon arsyen e shpresës së tyre (cfr 1. Pt 3,15), duke e kumtuar me gëzim Fjalën e Zotit e duke e jetuar Ungjillin, pa asnjë kompromis”.
 
Papa u ndalua edhe tek faqja ungjillore e së dielës, në qendër të së cilës - shembëlltyra e Jezusit për vreshtarët që mbysin të birin e pronarit, të bindur se kështu do të mund ta shtinin në dorë vreshtin. Është një fragment - vërejti Ati i Shenjtë – që na kujton mënyrën si mendojnë e veprojnë shumë nga ne, posaçërisht popujt që e morën kumtimin e Ungjillit. Duke shfletuar historinë – pohoi Papa – shikojmë shpesh ftohtësinë e rebelimin e të krishterëve, që nuk i qëndruan besnikë fesë së tyre. Si pasojë, ndonëse nuk hoqi kurrë dorë nga premtimi i shëlbimit, Zotit iu desh t’i ndëshkonte. Kjo të kujton bashkësitë e krishtera, fillimisht të lulëzuara, por më pas të zhdukura, që sot kujtohen vetëm në librat e historisë. E pas reflektimit për të kaluarën, Papa bëri një sërë pyetjesh për të sotmen:

Por ku njeriu e zhduk Zotin nga horizonti i vet, kur deklaron se Zoti ka vdekur, a bëhet vërtetë më i lumtur? A bëhet vërtetë më i lirë? Kur njerëzit e shpallin veten zotër absolutë të vetvetes e pronarë të vetëm të gjithësisë, a mund të ndërtojnë vërtetë një shoqëri, në të cilën mbretërojnë liria, drejtësia e paqja?”.

 
Në të vërtetë – vërejti me hidhërim Papa – duke vepruar kështu nuk lulëzon liria, por pushteti arbitrar, interesat egoiste, padrejtësia e shfrytëzimi, dhuna e çdo shprehje e saj. E, në fund të fundit, njeriu ndjehet më i vetmuar e shoqëria, më e përçarë e më e pështjelluar. Por nuk duhet harruar se në Fjalët e Jezusit ka një premtim: “Vreshti nuk do të shkatërrohet!”. Prandaj, në se në disa zona feja arrin deri atje, sa të shuhet, në të tjera – siguroi Papa – do të ketë gjithnjë popuj të gatshëm për ta pranuar. E keqja e vdekja nuk do ta thonë kurrë fjalën e fundit – pohoi me forcë Ati i Shenjtë – sepse në fund të fundit do të fitojë Krishti:

“Kisha nuk lodhet kurrë s’e kumtuari Lajmin e Mirë, ashtu si sot, në këtë bazilikë kushtuar Apostullit të Popujve, i cili e përhapi së pari Ungjillin në shumë vise të Azisë së vogël e të Evropës”.

 
Këtë kumtim – tha Papa – do ta përtërijmë gjatë Sinodit të Ipeshkvijve - e në vijim i përshëndeti etërit sinodalë, delegatët vëllezër të Kishave e të bashkësive kishtare të cilët, në mënyra të ndryshme bashkëpunuan për përgatitjen e kësaj ngjarjeje të madhe kishtare. Benedikti XVI e përfundoi homelinë e tij të gjatë e të pasionuar, duke iu lutur Virgjërës Mari të na mësojë t’i dëgjojmë Shkrimet Shenjte e t’i meditojmë në një proces shpirtëror pjekurie, që të mos e ndajë kurrë mendjen nga zemra.
Ndërmjet të të pranishmëve në kremtim, edhe përfaqësuesi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, ipeshkvi i Sapës, imzot Lucian Avgustini si dhe Imzot Zef Gashi, kryeipeshkëv i Tivarit, përfaqësues i Konferencës ipeshkvnore ndërkombëtare të Shën Qirilit e Metodit, që na flet për rrugën e vështirë të përkthimit të Biblës në gjuhën shqipe:RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.