2008-10-05 16:55:34

365 ditë: "Bakita, emër i ngarkuar me lumturi".


(05.10.2008 RV)“Mesa duket, Bakita ka gjetur lumturinë! – thonë rregulltaret, duke parë simotrën e tyre të re, një zezake njëzet e gjashtë vjeçe. Murgeshat luajnë me fjalë. Në të vërtetë Bakita në gjuhën arabe do të thotë e lume, fatbardhë. Një emër i tillë është shumë simbolik…
Sigurisht, më 8 dhjetor 1869 Bakita ka vërtetë arsye për të qeshur; sapo i është kushtuar plotësisht Zotit në një kuvend të Venedikut. Që kur u pagëzua, gjashtë vjet më parë, kishte vetëm një ëndërr: të bëhej murgeshë. E ja që ëndrra e saj më e bukur, u realizua. Prandaj nuk është për t’u çuditur që fytyra e saj shkëlqen nga gëzimi. E më parë? Duke e shikuar kështu plot gëzim, beson se ka qenë gjithnjë e lume. Por nuk është ashtu. Bakita nuk është emri që i vunë prindërit kur lindi: ajo nuk e di fare emrin e saj të vërtetë. Një ditë, kur ishte vetëm nëntë vjeçe, doli të shëtiste në rrethinat e fshatit të saj afrikan, në Sudan. Papritmas e rrëmbyen disa tregtarë skllevërish. Ishin ata që ia vunë emrin Bakita, për t’u tallur me të.
E shitur dhe e rishitur shumë herë, Bakita kaloi një jetë të tmerrshme, nën thundrën e pronarëve arabë ose turq. Pastaj, një ditë të bukur, e bleu konsulli italian në Sudan. Duke nisur nga ky çast, ajo i harroi kamxhikun e plagët.
Më 1885 konsulli u kthye në Itali, duke e marrë me vete edhe Bakitën, të cilën ia besoi familjes Mikeli, miq të tij, që kishin një vajzë të vogël e kërkonin dado. I nisën, më pas, vajzën me gjithë dadon në një kolegj motrash në Venedik, për t’u dhënë edukatë të mirë.
Atje Bakita zbuloi Zotin… të cilin e priste prej kohe! Më pas do të tregonte:
“Duke parë diellin, hënën, yjet e bukuritë e tjera të natyrës, thosha me vete: “Kush do të jetë, vallë, mjeshtri që i bëri të gjitha këto mrekulli? E kisha një dëshirë të zjarrtë ta shikoja, ta njihja, ta admiroja!”.
Si arriti në Venedik, Bakita mori përgjigjen e kësaj pyetjeje. Kërkoi të pagëzohej e zgjodhi emrin Gjyzepinë. Nga ky çast jeta e saj, në Itali, do të vihej plotësisht në shërbim të ‘Pronarit’ të ri, siç e quante murgesha, që vitet më të bukura i kishte kaluar si skllave në duart e sa e sa pronarëve. E ja që më 8 dhjetor, ajo gjeti lumturinë e kërkuar aq shumë, një lumturi tepër të thjeshtë. Deri ditën që vdiq, më 1947, Nëna Zeshkane (siç nisi të quhej, duke iu shtuar kështu një emër i ri) zgjodhi në kuvend veprimtaritë më të përvujta: punonte në kuzhinë, hekuroste, rrinte tek porta.
Por kjo nuk e pengoi të ecte në rrugën e shenjtërisë, prandaj në vitin 2000, ish-skllavja sudanese, u shpall shenjte nga Gjon Pali II.







All the contents on this site are copyrighted ©.