(04.09.2008 RV)Rrëfejnë se një ditë të bukur pranvere, Shën Françesku ngjitej
nga Porciunkola, qëndër e tubimit me vëllezërit e tij, për t'u lutur në kishën e
Shën Damianit, ku ndjeu për herë të parë thirrjen që t'i vinte shpatullat Kishës së
Krishtit, në rrezik për t'u shembur. Me këmbët zbathur në sandalet e thjeshta thurur
prej dy rripash, me zhgunin prej thesi e litarin e vrashtë në përmjet, ai ndjehej
njeriu më i lumtur në botë. E pra nuk kishte asgjë mbas shpirtit e s'kishte vënë ushqim
as pije në gojë që kur kishte zbardhur agimi. Nuk kishte kurrfarë sigurie për ditën
që shkrepte me rreze ari mbi majat e maleve të Umbries. E megjthatë i dukej vetja
njeriu më i pasur i botës. I tiji ishte ai qiell i kaltër, që ndehej si pëlhurë mbretërore
mbi qilimin e butë, të blertë të barit. Ishin të tijat arat e pafundme, lulet e pranverës,
ujtë e akullt, që gurronte prej burimeve, kodrat e ullishtat, ku gjunjëzohej shpesh
për t'u lutur, e tija bota e madhe, nëpër të cilën, ashtu veshur me thes - mund të
shtegtonte kur e ku të donte. Në zemër kishte paqen; në shpirt - Krishtin, të cilit
mundohej t'i përngjiste sa më shumë. Shkonte e lutej pa zë, me gjithë zemër: "O Zoti
im, Jezu Krisht, të lutem të më bësh dy ndere, përpara se të vijë e të marrë përdore
motra vdekje. Nderi i parë që po të lypi është që në trupin e në shpirtin tim, sa
të jem gjallë, të provoj, për sa mundet një krijesë njerëzore, ato dhëmbje që ti,
o Zoti im, provove në orët trishtuara të mundimeve tua. Së dyti - bëj që në zemrën
time të ndjej, përsa është e mundur, atë hov dashurie me të cilin ti, Bir i Zotit,
u ndeze aq, sa të mbartje me ëndje gjithë ato mundime për të na shpëtuar ne, mëkatarët" Lutej
kështu, ndërsa pranë e pranë tij ecte njëri nga shokët e parë: Fra Leoni i cili,
i mërzitur nga heshtja e zgjatur, ia ndërpreu lutjen e i tha: - Atë Françesk, gjithë
bota s'bën tjetër, veçse të grindet. Vetëm ne s'grindemi kurrë. A ta provojmë njëherë
ç'është kjo grindja, nga se shkaktohet, nga vjen e nga shkon? Kështu do ta kuptojmë
më mirë ç'mund të bëjmë për t'i shpëtuar njerëzit nga ky ves, që po na thonë se u
rrezikon korp e shpirt. I shkëputur brutalisht nga urata, Shën Françesku e pa me
çudi sivëllaun e vet. Mandej, si heshti pak, i tha: - E si është kjo grindja? Si mund
ta fillojmë grindjen, ne që jemi vëllezër e nuk kemi shndërruar kurrë asnjë fjalë
të keqe. Kollaj fare - ia pat tjetri - ja, e shikon atë tullë aty, ndonjë metër
para nesh? Kur t'i kalojmë pranë, unë do të them: - Kjo tullë është imja, sepsè e
kam lënë vetë aty, për ta marrë më vonë! Ti menjëherë do të më përgjigjesh: "Jo, tulla
ëshë imja, isha unë që e pashë i pari!”. E kështu, jo imja, jo jotja, do të vijojmë
grindjen, duke shpresuar të mos përfundojmë në grushte a në vrasje. Se kështu bëjnë
të gjithë. Në themel të grindjes është gjithnjë tulla. Tani ne po themi tullë, po
mund të jenë para, shtëpi, vreshta. … Pastaj fillon dialogu imja - jotja e në vijim
nxiren thika e shpata e rrjedh gjak i kuq njeriu, që lag vreshta, shtëpi, ara, tulla,
të cilat mbeten shkret, mollë sherri, të gatshme për fillimin e grindjes së re, për
derdhjen e gjakut të ri. - Shenjti, që e fillonte ditën me urimin "Paqe e të mira",
që s'kishte as shtëpi, as vreshta, as ara e as një tullë të shkretë u çudit e u mrekullua.
Siiii - tha- kështu po filloka e po mbaroka grindja ndërmjet njerëzve?? - Kështu,
kështu - shpejtoi Fra Leoni, - po ta lëmë mënjanë këtë e t'ia fillojmë sherrit për
tullën. Më duket një lojë tepër e çuditshme! E ndërsa bisedonin kështu, rrethuar
nga të dyja anët prej blerimit të harlisur të fushave të Umbries, arritën atje ku
dergjej tulla e pafajshme e cila, në duart e njerëzve, mund të shndërrohej sakaq në
një mjet krimi. Tha fra Leoni: - E shikon atë tullë? Është imja. E lashë dje aty,
për ta marrë sot! Ruaju se guxon të ma cikësh me dorë. Tha kështu dhe e në sy iu ndez
një dritë e keqe. Ia nguli kërcënueshëm sytë Shenjtit dhe priti. Ai, duke iu përgjigjur
shikimit të ndezur me sytë e tij butë, të ëmbël e të pasherr, ia ktheu aty për aty,
pa u turbulluar fare, ndërsa tjetri dihaste si i prishur menç: imja, imja, imja… -
Merre, vëlla, merre! Mos i jep kaq zor vetes, se po të zihet fryma. Mua nuk më interson
fare tulla. Qoftë jotja! Thua të ishte kjo "Jotja" -çelsi magjik që i jep fund
të gjitha sherreve? Ndërsa "Imja" çelës që hap gjithë portat e luftërave e të krimeve? Fra
Leoni mbeti me gojë hapur. Loja ishte prishur. Tulla, imja, jotja nuk kishin pikë
rëndësie për atë, që kishte fituar paqen e lirinë, duke hequr dorë nga gjitha të mirat
e kësaj bote. Ishte, pra, kjo udha, për të qenë i lirë, i lumtur, në paqe? Në
udhëkryqet e botës edhe sot ka shumë tulla e shumë njerëz që njohim si fjalën më të
rëndësishmen: "Imja", fjalë që u dashka zevendësuar shpejt e shpejt me "Jotja". Ndoshta
shi kjo është e fshehta e lumturisë së vërtetë, që mund t'i shtyjë njerëzit të shkëmbejnë
agimeve, në sa vijojnë shtegtimin në këtë tokë, në vend të imja-jotja, përshëndetjen
françeskane-simbol: "Paqe e të mira"? Po ec e zevendësoje fjalën "imja" me " e jotja"
se!