2008-10-03 18:12:55

U paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit Sinodi i Ipeshkvijve kushtuar Fjalës së Hyjit, që do të hapet nga Papa të dielën e ardhshme.


(03.10.2008 RV)RealAudioMP3 “Për t’u bërë anëtarë të familjes së Jezu Krishtit e të Kishës së Tij, duhet dëgjuar e duhet vënë në jetë Fjala e Hyjit”: kështu imzot Nikola Eteroviç, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve e paraqiti sot paradite zhvillimin e Asamblesë XII të përgjithshme të zakonshme të takimit Sinodal, që do të mbahet në Vatikan nga 5 deri më 26 tetor, me temë ‘Fjala e Hyjit në jetën e në misionin e Kishës”.
Priten shumë të reja nga Sinodi, që do të hapet pas dy ditësh, duke nisur nga kremtimi eukaristik i përurimit të takimit sinodal, që do të mbahet në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve e jo në Bazilikën e Shën Pjetrit, për të kujtuar se Kisha kremton Vitin Kushtuar Apostullit të Popujve. Por risi janë edhe diskutimet e përfaqësuesve të feve të tjera, si Patriku Ekumenik Bartolomeu I, i cili më 18 tetor do të kryesojë, në Sallën e Sinodit, Lutjet e para mbrëmësore së bashku me Benediktin XVI e do t’u drejtojë, për herë të parë, fjalën Etërve Sinodalë. Një fjalim tjetër, që do të mbahet për herë të parë, do të jetë edhe ai i Kryerabinit të Haifës, Kohen, i cili do të tregojë si e lexon dhe e shpjegon populli hebraik Shkrimin Shenjt. Për herë të parë do të zbatohet edhe Ordo Synodi Episcoporum, i rishikuar në vitin 2006, e po për herë të parë do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Kishave Lindore katolike sui iuris. Së fundi, për t’u shënuar, pesë referatet, nga një për çdo kontinent, që do të mbahen më 6 tetor, duke nisur nga ora 16. 30: ‘Është një e re metodologjike – shpjegoi imzot Eteroviç – që do të na krijojë mundësitë të kemi njoftime më të sakta për realitetin e Kishave të veçanta në të pesë kontinentet. Në program, pastaj çdo mbrëmje, edhe një orë, nga 18. 00 deri në 19.00, për diskutime të lira, për të cilën imzot Eteroviç u shpreh kështu:

“Shërben për të siguruar një pjesëmarrje sa më të gjërë në asamblenë sinodale e edhe për të mbështetur qëllimin kryesor të Sinodit, duke siguruar konsensusin për temat që kanë më shumë interes”.

Në Sinod do të marrin pjesë 253 Etër Sinodalë: më të shumtët (90) vijnë nga Evropa, ndërsa më të paktët (9) nga Oqeania. Do të marrin pjesë edhe 41 specialistë e 37 dëgjues, ndërmjet të cilëve, edhe disa gra. Përveç Kryerabinit Kohen, do të jenë të pranishëm edhe dy të dërguar të tjerë të posaçëm: i nderuari Miler Miloi, sekretar i përgjithshëm i Shoqërisë së Bashkuar Biblike dhe vëllau Alois, epror i Bashkësisë së Tezesë. Të pranishëm, pastaj, edhe delegatët vëllezër të dhjetë Kishave e bashkësive kishtare, ndërmjet të cilëve, përfaqësuesit e Patriarkanave të Moskës, të Serbisë e të Rumanisë.
Kanë arritur tashmë në Romë edhe përfaqësuesi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, ipeshkvi i Sapës, imzot Lucian Avgustini si dhe Imzot Zef Gashi, kryeipeshkëv i Tivarit, përfaqësues i Konferencës ipeshkvnore ndërkombëtare të Shën Qirilit e Metodit, anëtarë të së cilës janë 2 ipeshkvij shqiptarë, 2 hungarezë, 2 kroatë , 2 greko-katolikë dhe 1 slloven.
Përsa u përket ipeshkvijve kinezë, do të jenë të pranishëm prelatët e Hong Kongut e të Makaos, por do të mungojnë ata të Kinës Kontinentale, siç shpjegoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:

“Nuk u arrit marrëveshja me autoritetet kineze, për pjesëmarrjen e ipeshkvijve të tjerë”.

Së fundi, do të ketë katër kremtime eukaristike të kryesuara nga Papa: përveç kremtimit të 5 tetorit, Ati i Shenjtë do të kremtojë një Meshë me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Piut XII; më 12 do të shpallë shenjtorë katër të Lum, që u dalluan për dëgjimin e Fjalës së Hyjit, ndërsa më 19 do të jetë në Shenjtëroren e Pompeit, për t’ia besuar Virgjërës Mari përfundimet e Sinodit.
Prania e Papës parashikohet edhe më 16 tetor kur, me rastin e 30-vjetorit të zgjedhjes në fronin e papnisë të Gjon Palit II, do të shfaqet një film në kujtim të Papës Vojtila. Për t’u shënuar edhe se disa nga Etërit Sinodalë, ndërmjet të të cilëve, edhe imzot Eteroviç, do të lexojnë fragmente nga Bibla, duke marrë pjesë në nismën “Bibla ditë e natë”, që do të vijojë nga 5 deri më 11 tetor.








All the contents on this site are copyrighted ©.