2008-10-03 18:13:35

Nesër do të shpallet i Lum don Françesko Piancola, apostull i punëtorëve, e don Françesko Bonifaci, vrarë nga milicët e Titos, sepse ishte meshtar.


(03.10.2008 RV)RealAudioMP3 Nesër Kisha do të shpallë dy të Lum të rinj: meshtarin lombard, don Françesko Piancolën, që njihet si ‘prifti i punëtorëve’, dhe meshtarin istrian, don Françesko Bonifacin, njeri i pajtimit në kohë urrejtjesh ndëretnike, vrarë nga milicët e Titos në vitin 1946.
Ishin dy meshtarë që, në mënyra të ndryshme, e shkrinë jetën e tyre për dashuri të Krishtit.
Don Piancola, që do të shpallet e i Lum nesër pasdite, në Katedralen e Vigjevanos, çoi Ungjillin në Lomelinë e gjysmës së shekullit XIX. E kreu misionin e tij pranë punëtorëve që punonin në orizoreve e në fabrika, që shfrytëzoheshin, që nuk gëzonin asnjë të drejtë, duke jetuar mes tyre e si ata. Kërkonte ta thërrisnin ‘don Askushi’. Themeloi Motrat Misionare të Mbretëreshës së Papërlyer të Paqes dhe Oblatët dioqezanë të Zojës së Papërlyer.
E nesër, në Katedralen e Shën Justit në Trieshtë, do të shpallet i Lum edhe Don Françesko Gjovani Bonifaci, fgura e të cilit na kujton menjëherë martirët tanë, çështja e lumnimit të të cilëve është në vijim e sipër. I lindur në Pirano të Istries, në vitin 1912, meshtari katolik u vra pranë Grisinjanës, më 11 shtator 1946, për shkak të urrejtjes kundër fesë, dhe u flak në një gropë të thellë karstike, që në gjuhën italiane quhet foiba. I shuguruar meshtar në vitin 1936 në Trieshtë, dom Bonifaci, 34 vjeç, u kap nga titistët në Vila Lardosi, u zhvesh, u pështy, u gjuajt me gurë, u ther me thika e pastaj u pushkatua. Sapo kishte përfunduar Lufta II Botërore, kohë kur në vendet satelite të Bashkimit Sovjetik, nisën arrestimet, internimet e ekzekutimet në masë. Në vitin 1946 në Jugosllavinë titiste, e edhe në anën tjetër të kufirit, në Shqipëri, u hapën gropa të shumta, të panjohura edhe sot e kësaj dite. Ishte koha e dënimeve, e internimeve, e pushkatimeve!
Ndërsa tani është koha e lumnimeve!
  







All the contents on this site are copyrighted ©.