2008-10-03 18:20:18

365 ditë: "Rerum Novarum mbron dinjitetin e të gjithë njerëzve".


(03.10.2008 RV)Alfonsi, pronari i një miniere qymyri, është krejt i tërbuar. E pra këtë vit, e jemi më 1891, puna në minierë shkon për mrekulli. Qymyri shitet me çmim të lartë e Alfonsi pasurohet me shpejtësi marramendëse. Por ja që Papa Leoni XIII sapo ka shkruar një tekst, përmes të cilit shpreh shqetësimin e tij për të gjithë punëtorët e botës. Ky tekst ka si titull dy fjalët latine, me të cilat fillon, Rerum Novarum.
Alfonsi nuk e ka lexuar, megjithatë vijon të jetë i sticuar.
“E ç’i duhet Papës të ndërhyjë në punë, që nuk i takojnë?!”.
Në orët e muzgut fton në shtëpi kolegun e tij, Eduardin, që ka një minerë pranë së tijës, për të shfryrë inatin kundër Papës.
“Eduard, Leoni XIII është me punëtorët. Na kujton se duhet t’i paguajmë më shumë. Pse nuk kërkon t’ua paguajmë edhe pushimet, e? E kështu do të na bëjë të gjithëve të falimentojmë me siguri!”.
Eduardi vë buzën në gaz:
“Alfons, e teprove fare! Papa nuk shprehet kështu si ti. Kërkon vetëm që punëtorët të paguhen me drejtësi e të trajtohen me dinjitet. Na kujton se edhe ata janë bijtë e Zotit e jo kafshë; se nuk duhet të përdoren vetëm për të prodhuar para, për të mbushur xhepat e atyre, që nuk dinë ç’është puna.”.
“Papa nuk është në gjendje të na japë këshilla për punën tonë, sepse nuk mund t’i njohë marrëdhëniet ndërmjet pronarëve e punëtorëve! Më duket se nuk ka qenë kurrë drejtor fabrike!”.
“Sigurisht që jo, por është interesuar fort për këto probleme, që kur ishte i ri. E nuk mund ta kritikosh për këtë: Papa dëshiron të japë ndihmesën e vet, që gjithë njerëzit të jetojnë të lum e në paqe me njëri-tjetrin. E ndër fabrikat, ku puna është tepër e rëndë, punëtorët nuk mund të jenë të lumtur!”.
“Leoni XIII do luftën, jo paqen! Me sa duket, po i nxit puntorët të krijojnë shoqata, në mënyrë që ‘këta soj zotërinjsh’ të mund t’i mbrojnë interesat e tyre kundër nesh”.
“Punëtorët do të mbrohen vetëm nga pronarët e padrejtë!”.
“Mos ma mbro Papën, Eduard. Po ta them copë se ai është përkrah punëtorëve e se po merret me punë që nuk i takojnë fare!”.
“Nuk është ashtu. Papa është edhe përkrah nesh. Shqetësohet edhe për lumturinë tonë!”.
“Siiii?”.
“Në Ungjillin e Jezu Krishtit thuhet se është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimë të gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e qiellit. Këtë dëshiron të na e kujtojë Papa. Nuk thotë se gjithë të pasurit duhet të heqin dorë nga pasuria e tyre, por se duhet ta përdorin me drejtësi, për t’u bërë njerëz të vërtetë. Mendon se mund të jesh krenar, në se ndonjë nga minatorët e tu jeton si kafshë?”.
Alfonsi hesht. Nuk gjen më fjalë për t’u përgjigjur.“Papa po na jep një këshillë miqësore”, shton me delikatesë Eduardi.







All the contents on this site are copyrighted ©.