2008-10-02 17:15:42

Papa ipeshkvijve të Azisë qendrore: “Të sigurohet liria fetare, për të mirën e mbarë shoqërisë”.


(02.10.2008 RV)RealAudioMP3 “Kisha nuk e imponon, por e propozon lirisht fenë katolike dhe kërkon të garantohet liria fetare”: këtë pohoi sot paradite Benedikti XVI në fjalimin drejtuar ipeshkvijve të Azisë qendrore, të cilët i priti në vizitë ‘ad Limina’. Papa i dha zemër ‘grigjës së vogël’ të kësaj zone aziatike, që e dëshmoi me guxim fenë gjatë viteve të persekutimit sovjetik. Ati i Shenjtë vuri theksin mbi të drejtat e njeriut dhe mbi lirinë fetare, përballë fenomeneve shqetësuese, si terrorizmi dhe përhapja e fondamentalizmit, duke kërkuar ndërhyrje ligjore, që i kundërvihen këtyre shuplakave, por duke pasur mirë parasysh edhe se:

“Kurrë forca e së drejtës nuk duhet të shndërrohet në padrejtësi, ashtu si nuk duhet kufizuar kurrë praktikimi i lirë i fesë, sepse ta dëshmosh haptazi fenë, është një nga të drejtat themelore e të njohura universalisht”.

 
Nga ana tjetër – pohoi Ati i Shenjtë – Kisha nuk e imponon, por e propozon lirisht fenë katolike, me vetëdijen e plotë se kthimi është fryt misterioz i veprimit të Shpirtit Shenjt:

Feja është dhuratë e vepër e Hyjit. Prandaj është e ndaluar çdo formë e prozelitizmit, që e detyron, e shtyn apo e tërheq njeriun me mashtrime të kota që të ndërrojë fe (cfr Ad gentes, n.13). Njeriu mund t’ia hapë zemrën fesë pas një reflektimi plot pjekuri e përgjegjësi, e duhet ta realizojë lirisht këtë dëshirë intime”.

 
Kjo – vijoi të shpjegonte Papa - nuk është vetëm në dobi të individit, por të mbarë shoqërisë, sepse respektimi i ligjeve hyjnore ndihmon për sigurimin e një bashkëjetese më të drejtë e më solidare. Më pas Papa i dha zemër ‘grigjës së vogël’ të Azisë qendrore dhe kujtoi se besimtarët e kësaj zone përballuan prova të rënda në të kaluarën e afërt:

“Falënderoj Hyjin që, pavarësisht nga presionet e ushtruara gjatë viteve të regjimit ateist e komunist, falë vetmohimit të priftërinjve, rregulltarëve e laikëve të zellshëm, flaka e fesë mbeti e ndezur në zemrat e besimtarëve”.

 
Kështu u shpreh Papa, e më pas shtoi:

“Edhe sot, si atëherë, është Shpirti Shenjt ai, që i prin Kishës. Lëreni t’ju udhëheqë e mbajeni të ndezur flakën e fesë; përpiquni ta ruani e ta vlerësoni përvojën e vlefshme baritore e apostolike të së kaluarës”.

 Në përfundim Ati i Shenjtë i porositi ipeshkvijtë t’i edukojnë të gjithë me dëshirën për ta dëgjuar Fjalën e Zotit e të ngjallin, posaçërisht në zemrën e të rinjve, dashurinë për Eukaristinë e devocionin për Zojën e Bekuar, duke përhapur në familje praktikën e Rruzares. Benedikti XVI i ftoi ipeshkvijtë edhe të kërkojnë forma të reja apostullimi, duke i aktivizuar sa më shumë priftërinjtë, rregulltarët e shekullarët.







All the contents on this site are copyrighted ©.