2008-10-02 17:17:13

Në Indi dhuna ndaj të krishterëve nuk ndalet.


(02.10.2008 RV)RealAudioMP3 Sulmet kundër të krishterëve në Indi nuk ndalen as sot në Ditën Ndërkombëtare të Jo-Dhunës, caktuar nga OKB-ja në përkujtim të ditëlindjes së Gandit, vrarë nga një fanatik hindu më 30 janar 1948. Ende sot pas 60 vjetësh India vazhdon të përshkohet nga dhuna, e cila muajt e fundit goditi pakicat e krishtera, por që në të kaluarën nuk ka kursyer as bashkësitë myslimane.
Edhe një herë Shteti i Orisës u kthye në teatër sulmesh kundër të krishterëve. Të paktën 50 mijë vetë kanë mbetur të pastrehë dhe shumë janë fshehur në pyjet përreth të kërcënuar nga uria dhe sëmundjet. Dje tre fshatra u sulmuan dhe me dhjetra shtëpi u dogjën. Për herë të parë në tre muaj policia arrestoi disa nga personat përgjegjës për shkatërrimet, anëtarë të disa shoqatave nacionaliste hindu. Për t’i bërë ballë situatës qeveria ka vendosur të dërgojë dhjetë brigada të reja paraushtarakësh, por as kjo nuk po i qetëson gjakrat. Të krishterët kanë akuzuar shumë herë forcat e rendit se nuk ndërhyjnë apo bëjnë sehir kur ushtrohet dhunë. Nga ana tjetër sot në Nju Delhi u përkujtua ditëlindja e Gandit me një marshim që mbylli tubimin e organizuar nga të krishterët kundër dhunës.
Por, situata a mos ka dalë me të vërtetë jashtë kontrollit? Mbi këtë në mikrofonin tonë flet prof. Mikelguljelmo Torri, docent i historisë moderne dhe bashkëkohore të Azisë pranë Universitetit të Torinos, autor i librit “Historia e Indisë”:
Përgjigje: Në Indi laicizmi është në krizë dhe kjo gjë nuk është një dukuri e kohëve të fundit. Prej kohësh ka nxjerrë kokë idea se indianët e vërtetë janë vetëm hindutë e si rrjedhojë myslimanët dhe të krishterët e ateistët nuk janë qytetarë indianë në vështrimin e plotë. Ka shumë shoqata që e kanë bërë të tyren këtë lloj ideologjie ndër të cilat Partia e Popullit Indian (Bharatiya Janata Party). Tashti, kohët e fundit, edhe shoqatat jashtëparlamentare e kanë përqafuar këtë ideologji dhe kanë nisur një fushatë sulmesh ndaj të krishterëve e ka patur edhe dhjetra të vdekur, në veçanti në dy shtetet Orisa e Karnataka. Qeveritë e këtyre dy shteteve kanë gisht në këto ngjarje, sepse në një kohë kur nuk kanë bërë asgjë ose pothuajse asgjë ndaj agresorëve, përkundrazi kanë ndërhyrë kundra organizatave që protestonin ndaj sulmeve.
Pyetje: Laicizmi është në rënie dhe fondamentalizmi në rritje? Çfarë barnash mund ta shpëtojnë Indinë që të mos marrë një kthesë diktatoriale apo anarkiste?
Përgjigje: […] Në Indi shtypi, në veçanti ai në gjuhën angleze është i aftë të impenjohet në këndvështrimin politik. Në fakt shumica e lajmeve, në mos të gjitha lajmet që marrim mbi dhunën ndaj të krishterëve dhe ndaj myslimanëve janë lajme të kumtuara nga shtypi i lirë indian dhe që janë dokumentuar nëpërmjet një sërë raportesh të përgatitura nga grupet e paqës. […]
Pyetje: Pra, një skenë politike që ngjallë shqetësime?
Përgjigje: Nga ky këndvështrim, vëzhguesit ndërkombëtarë, opinioni publik ndërkombëtar do të bënin mirë mos përcillnin pamje që e paraqesin Indinë si një vend demokratik e përparimtar. Realiteti i Indisë është shumë më i ndërlikuar. India, është, po, demokratike, por është edhe një vend që karakterizohet nga një zhvillim ekonomik, ku pjesa më e madhe e fitimeve përfundon në dorë të një grupi të vogël që është 10 përqind e popullsisë qytetare dhe 5 përqind e asaj fshatare. Pikërisht ky zhvillim i përçudnuar shkakton tensione të dhunshme brenda shoqërisë. […]







All the contents on this site are copyrighted ©.