2008-10-01 18:47:30

Kisha kujtoi 1 tetor Shën Terezën e Krishtit Fëmijë


(01.10.2008 RV)RealAudioMP3 “Kujtojmë sot Shën Terezën e Krishtit Fëmijë, rregulltaren e re të klauzurës nga Lisië, Doktoren e Kishës, Pajtoren e misioneve. Dëshmia e saj ungjillore ju ndihmoftë ju, të dashur të rinj, në impenjimin për besnikëri të përditshme ndaj Krishtit; ju dhëntë zemër ju, të dashur të sëmurë, ta ndiqni Krishtin në rrugën e provës e të vuajtjes; ju mbështetët ju, bashkëshortë të rinj, ta bëni familjen tuaj, vend ku lulëzon dashuria për Zotin e për vëllezërit”. Këto ishin fjalët e Papës kushtuar Karmelitanes franceze, në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme.
Ndërsa fjalët më të njohura të Mësueses shenjte të kohëve moderne, Pajtores së misioneve dhe Pajtores së dytë të Francës, Shën Terezës Martë, që u bë e njohur me emrin rregulltar "Shën Tereza e Krishtit Fëmijë” janë: “Ja qielli im, fati im: të shkrihem nga dashuria për Krishtin”.
Tereza lindi në Alanson në Francë, nga një familje e borgjezisë të vogël (i ati ishte orëndreqës), ku mori edukatë katolike. Në moshë ende të njomë, u dallua për besimin e thellë fetar si dhe për një karakter të pavarur.
Zgjodhi shumë shpejt rrugën e Karmelit, duke u mbyllur në një nga kuvendet e klauzurës ku kaloi vitet e pakta të jetës së saj në një atmosferë thellësisht mistike. Vdiq nga tuberkulozi pa i mbushur ende 24 vjetët. Ndërronte jetë, në sa nata e 30 shtatorit i hapte shtegun ditës së 1 tetorit. Vinte te këmbët e Kryqit vuajtjet e saj, si flije shpërblimi për shpirtrat e mëkatarëve. Eshtë shenjtja e dialogut dhe e buzëqeshjes. Duke vdekur, la pas vetes, gjithmonë të gjallë, mesazhin e madh "të rrugës së vogël" përmes së cilës mund të arrihet te Krishti. E ky mesazh nuk do të vdiste me të.
E motra, Paolina, që e pati nxitur ta shkruante përvojën e saj shpirtërore, vendosi t'i botonte "Fletoret " e Terezës. Fama e Shenjtërisë së Motrës së vogël të Krishtit Fëmijë, të cilën ndër figure e shikojmë me Kryqin në njërën dorë e me një tufë trëndafila në tjetrën, u përhap me shpjetësi. Pati premtuar të reshte një shi trëndafilash mbi njerëzimin: reshi hire, me aromë edhe më të mirë se ajo e luleve. Më 19 tetor 1997, Papa Gjon Pali II, duke vlerësuar lart doktrinën e saj shpirtërore, i dha titullin "Dijetare të Kishës Universale": është gruaja e tretë që meriton një nderim të tillë në Kishë, pas Katerinës së Sienës dhe Shën Terezës së Avilës.Emrin e saj e mori Nëna jonë Terezë: me lumnimin e saj, Kisha universale njeh tri Tereza të mëdha!







All the contents on this site are copyrighted ©.