2008-10-01 18:45:07

Imzot Miliore në OKB - Kombet e Bashkuara duhet të mbrojë dinjitetin e më të ligshtëve nga padrejtësitë e nga dhuna.


(01.09.2008 RV)RealAudioMP3 “Parimi i mbrojtjes së vendeve nga fenomenet e natyrës, nga thatësira, përmbytjet ose fatkeqësi të tjera, që vënë në rrezik jetën njerëzore në Planet, përdoret shpesh si pretekst për veprimtari ushtarake ose për shfrytëzimin, që injoron plotësisht detyrën e solidaritetit, detyrë kjo, për të cilën duhet të luftojnë e të impenjohen Kombet e Bashkuara”. Këto janë disa nga konceptet, mbi të cilat vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë e bazoi fjalimin e tij, mbajtur pardje në Pallatin e Qelqit, gjatë punimeve të Asamblesë së 63-të të Përgjithshme të OKB-së.
Si foli për sfidat dhe krizat, që po trondisin botën gjatë vitit në vijim, duke nisur nga kriza financiare, për të arritur tek ajo ushqimore e tek konfliktet e armatosura – prelati u ndalua në mënyrë të posaçme tek përgjegjësia që ka bashkësia ndërkombëtare për të ndërhyrë në situatat, në të cilat qeveritë nuk janë në gjendje ose të gatshme për të garantuar sigurinë e nënshtetasve të vet. Gjithsesi - vërejti jo pa qortim prelati - në të kaluarën termi ‘mbrojtje’ shumë shpesh është përdorur si pretekst për zgjërime territoriale e për agresione. E ndonëse e drejta ndërkombëtare ka bërë një progres të ndjeshëm, këto praktika vijojnë ende tragjikisht.
Imzot Miliore i kujtoi Asamblesë së OKB-së, fjalët e Benediktit XVI, shqiptuar në këtë seli, në prillin e kaluar, përmes të cilave Papa preku edhe problemin e mprehtë të ‘përgjegjësisë për të mbrojtur’, duke theksuar se ndihma nga ana e bashkësisë ndërkombëtare nuk duhet parë si kufizim i sovranitetit.
Detyra kryesore e çdo shteti – vijoi prelati, duke cituar Papën - është të mbrojë popullsinë e vet nga shkeljet e rënda e të vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe nga pasojat e krizave humanitare, të shkaktuara si nga natyra, ashtu edhe nga vetë njeriu. Në se shtetet nuk janë në gjendje ta garantojnë një mbrojtje të tillë, bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë me mjetet juridike që përcaktohen në kartën e Kombeve të Bashkuara dhe me mjete të tjera ndërkombëtare.
Por ka ende nga ata - vijoi vëzhguesi i Vatikanit - që edhe sot e kësaj dite fshihen pas këtij parimi dhe e përdorin për qëllime të dhunshme, duke ia shtrembëruar kuptimin. Përgjegjësia për të mbrojtur – shpjegoi imzot Miliore – nuk duhet konsideruar vetëm si ndërhyrje ushtarake, por kryesisht si nevojë e bashkësinë ndërkombëtare për t’u bashkuar përballë krizës e për të gjetur mjetet e nevojshme për kongreset, për organizimin e bisedimeve, për mbrojtjen e forcës morale të së drejtës e për kërkimin e së mirës së përbashkët.
E këtu prelati u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara ta kryejnë me besnikëri detyrën e ngarkuar, që nuk është ajo e një qeverie botërore, por e një organizate, e cila duhet të dëgjojë zërat, shpesh të injoruara, të të sëmurëve me Sidë, të të përndjekurve për shkaqe politike ose fetare, të viktimave të skllavërive të vjetra e të reja, që kërkojnë veprime, impenjime e rezultate. Në se OKB-ja nuk u përgjigjet detyrave të veta – shtoi prelati – nuk vihet në lojë vetëm besueshmëria e kësaj organizate si lider në nivel botëror, por edhe aftësia e bashkësisë ndërkombëtare për t’u garantuar njerëzve bukë e siguri e për t’ua mbrojtur të drejtat themelore, në mënyrë që të gjithë popujt të kenë mundësi të jetojnë me dinjitet, të çliruar nga frika e kërcënimeve që vijnë prej njeriut e prej natyrës.







All the contents on this site are copyrighted ©.