2008-10-01 18:44:00

Benedikti XVI në audiencë të përgjithshme kushtuar Shën Palit: Krishterimi nuk është liri për të bërë si të duash, por liri për t’i shërbyer Ungjillit e të varfërve.


(01.10.2008 RV)RealAudioMP3 Në Kishë ekzistojnë karizma të ndryshme, por ajo që ka rëndësi është që çdo i krishterë t’i qëndrojë besnik së vërtetës së Ungjillit e të vihet në shërbim të të varfërve, me atë çiltërsi e liri, që ishin tipike për Shën Palin. Apostullit të Popujve Benedikti XVI ia kushtoi përsëri reflektimin në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit. Gjatë katekizmit, në praninë e më se 20 mijë shtegtarëve e besimtarëve, Papa u ndalua tek dy çaste-kyçe të jetës së Shën Palit: Koncili i Jeruzalemit dhe i ashtuquajturi ‘aksidenti i Antiokisë’.
Është një fjalë, në përvojën njerëzore, që hap gjithnjë horizonte të pakufishme e që merr kuptime edhe më të thella, në dritën e mesazhit të Krishtit. Kjo fjalë e bekuar është ‘liria’. Benedikti XVI e theksoi, duke e vlerësuar lart Apostullin, që e vuri me forcë në dukje, falë fesë së tij të kulluar: Shën Palin. Por liria, ashtu si e kuptonte ai, ka karakteristika të mirëpërcaktuara – shpjegoi Papa - i ndjekur nga turma e besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, ndriçuar nga dielli i vaktë vjeshtarak. Kjo liri lind nga Shpirti Shenjt – vijoi Benedikti XVI - përkon plotësisht me të vërtetën e Ungjillit e nuk i harron kurrë të varfërit. Dy episodet, që kujtoi Ati i Shenjtë në katekizëm, ndriçojnë plotësisht mënyrën si e kuptonte Pali ‘Ungjillin e lirisë, të parë në lidhje me ligjin”. Kur, aty rreth vitit 50, Dymbëdhejtë Apostujt e edhe Pali u mblodhën në Jeruzalem për Koncilin e parë në historinë e Kishës, u paraqit një çështje, që kërkonte sqarim të ngutshëm: paganët e kthyer në krishterim duhet t’i nënshtroheshin apo jo Ligjit mosaik e, prej këndej, edhe rrethprerjes, ashtu si të krishterët që vinin nga hebraizmi? Pali, personifikim i apostullit ndërmjet paganëve, nuk ka asnjë dyshim:

Në dritën e takimit me Krishtin e ngjallur, ai kishte kuptuar se në çastin e kalimit tek Ungjilli i Krishtit, nuk ishte më e nevojshme që paganët të rrethpriteshin, t’u nënshtroheshin rregullave që kishin të bënin me ushqimin e me të shtunën, për t’u dalluar si të drejtë: Krishti është drejtësia jonë, prandaj është ‘e drejtë’ gjithçka përkon me Të. Nuk është nevoja për shenja të tjera dalluese, që të jesh i drejtë”.

 
Gjithsesi, saktësoi Benedikti XVI:

Liria e krishterë nuk mund të identifikohet kurrë me liberalizmin apo shthurjen e as me dëshirën për të bërë si të duash; ajo realizohet në përkim me Krishtin e, prej këndej, në shërbimin ndaj vëllezërve, sidomos të atyre që kanë më shumë nevojë”.

 
Mbledhja e lëmoshëve, si formë e ndihmës për të varfërit – vijoi Papa – ishte tipike për të gjitha Kishat që themeloi Pali në shtegtimin e tij drejt Perëndimit: nuk ishte e detyrueshme, por e lirë, e vetvetishme, dëshmi që tregon se dashuria për të varfërit e kulti i brendshëm i Kishës shkojnë krah për krah:

“Ishte fjala për një nismë krejt të re në panoramën e veprimtarive fetare (…). Mbledhja e lëmoshës shprehte detyrimin e bashkësive për Kishën e tyre nënë të Palestinës, nga e cila kishin marrë dhuratën e parrëfyeshme të Ungjillit. Aq e madhe është vlera që i jep Pali këtij gjesti të ndarjes së përbashkët të pasurisë, sa rrallë herë e quan thjeshtë ‘lëmoshë’: për të ky është ‘shërbim?, ‘bekim’, ‘dashuri’, ‘hir’, madje ‘liturgji”.

 
Edhe në rastin e dytë, është përsëri ligji i Moisiut ai që kushtëzon sjelljen e Kryetarit të Apostujve. Pjetri – vërejti Benedikti XVI – për të mos i shkandulluar të krishterët, që ndiqnin rregullat e pastërtisë së ushqimit, nisi të mos hajë më me paganët. Pali i kundërvihet me çiltërsi, duke e akuzuar Pjetrin për hipokrizi. Në të vërtetë - vërejti në vijim Papa - Pali e Pjetri nuk kishin të njëjtat shqetësime e ngjarja e Antiokisë është një mësim që duhet ta nxëmë të gjithë:

“Me karizmat e ndryshme, që iu besuan Pjetrit e Palit, ta lemë të gjithë veten të udhëhiqemi nga Shpirti Shenjt, duke u përpjekur të jetojmë në lirinë, që orientohet nga besimi në Krishtin dhe konkretizohet në shërbimin ndaj vëllezërve. Themelore është të jesh gjithnjë më shumë në përkim me Krishtin. Kështu njeriu mund të bëhet vërtetë i lirë e kështu mund ta shprehim thelbin kryesor të ligjit, që është dashuria për Hyjin e për të afërmin”.

 
Në përfundim të përmbledhjes së katekizmit në gjuhë të ndryshme, Papa, i cili në fillim të audiencës e quajti ‘ngjarje të Shpirtit Shenjt’ çdo Koncil e çdo Sinod të Kishës, i ftoi, në gjuhën portugeze, besimtarët, të luten për takimin e ardhshëm sinodal, që do të mbahet nga 5 deri më 26 tetor në Vatikan, me temë “Fjala e Zotit në jetën e Kishës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.