2008-09-30 17:44:15

Të dielën e ardhshme Papa do të hapë Sinodin kushtuar Fjalës së Hyjit: me ne, sekretari i përgjithshëm, imzot Nikola Eteroviç.


(30.09.2008 RV)RealAudioMP3 Gjithçka tashmë është gati për hapjen e Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mbahet nga 5 deri më 26 tetor në Vatikan, me temë: “Fjala e Hyjit në jetën dhe në misionin e Kishës”. Benedikti XVI do të kryesojë të dielën e ardhshme, Meshën e hapjes, duke filluar nga ora 9. 30, në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve. Do të marrin pjesë 253 Etër sinodalë, 41 specialistë dhe 37 dëgjues, delegatë vëllezër të dhjetë Kishave e bashkësive kishtare. Por, për t’u njohur më hollësisht me këtë ngjarje të madhe në jetën e Kishës, të dëgjojmë sekretarin e përgjithshëm të Sinodit, imzot Nikola Eteroviç, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Tema e Sinodit është “Fjala e Hyjit në jetën dhe në misionin e Kishës”, prandaj Etërit sinodalë duhet të përqendrohen pikërisht në dëgjimin fetar të fjalës së Hyjit, të reflektojnë mbi fjalën e Hyjit, duke iu përgjigjur pyetjes ‘ç’është kjo fjalë’, madje, për t’u shprehur më mirë, ‘kush është Fjala e Hyjit’, sepse për ne Fjala e Hyjit është Jezu Krishti; është kremtimi i kësaj Fjale në jetën e Kishës, në liturgji, në lutje, është kumtimi i saj në katekizëm, në ungjillëzim, është kremtimi në sakramentet e tjera, posaçërisht në Eukaristi. E pastaj kumtimi i saj ndër të afërt e të largët, gjë që do të thotë të jesh i dërguar në botë, atje ku punon e jeton, duke nisur nga familja e duke vijuar me mjedisin shoqëror e, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, edhe në vende të tjera, ndërmjet njerëzve e popujve, që nuk e njohin ende Jezu Krishtin e Lajmin e Mirë.

Pyetje: - Do të jenë të pranishëm edhe personalitete të mirënjohura, siç është për shembull, Patriku Ekumenik Bartolomeu I, ose Kryerabini i Haifës, Kohen; mund ta shikojmë këtë si shenjë të rëndësishme për dialogun ndërfetar…

Përgjigje: - Pa tjetër, sepse me vëllezërit hebrenj ne kemi të përbashkët nderimin për Shkrimin Shenjt. Rrënjët tona nisin atje, e Jezu Krishti na jep çelësin për interpretimin edhe të Shkrimit Shenjt, duke na shpjeguar atë që thanë për të profetët e patriarkët. Prandaj mund të themi se për ne prania e një rabini, që do të na shpjegojë si e kremtojnë hebrenjtë Fjalën e Hyjit, është shumë e rëndësishme. Nga ana tjetër Bibla, së bashku me Pagëzimin, është një nga pikat më të rëndësishme, që i bashkojnë të krishterët, pavarësisht nga përçarjet e shkaktuara në rrjedhë shekujsh. Fjala e Hyjit, pra, është me rëndësi të dorës së parë për gjithë të krishterët, për të gjitha Kishat e bashkësitë e krishtera. Përfaqësuesi i ndritur i Kishave ortodokse, Patriku Ekumenik Bartolomeu, do të jetë i pranishëm, edhe personalisht, në një takim lutjeje e reflektimi mbi Fjalën e Hyjit, në kujtim të Shën Palit, sepse Sinodi mblidhet në sa po kremtojmë edhe vitin kushtuar Apostullit të Popujve.

Pyetje: - Me ç’sy duhet ta shikojmë lidhjen ndërmjet Sinodit e Koncilit II të Vatikanit?

Përgjigje: - Sinodi lindi në mjediset e Koncilit II të Vatikanit, më 15 shtaor 1965, ndërsa Koncili përfundoi më 8 dhjetor të të njëjtit vit, kështu për Sinodin flitet në dy dokumente të Koncilit II të Vatikanit; pastaj për ne ka shumë rëndësi lidhja me Dei Verbum, Kushtetutën dogmatike mbi Zbulesën; edhe dokumentet përgatitore të Asamblesë sinodale, Lineamenta dhe Instrumentum Laboris, e kujtojnë vazhdimisht Dei Verbum. Duhet parë si është zbatuar ky dokument i madh i Koncilit II të Vatikanit në jetën e Kishës.

Pyetje: - Sinodi i ipeshkvijve i kushton vëmendje të madhe edhe Afrikës…

Përgjigje: - Në vitin 2009 do të mblidhet Asambleja II e posaçme e Sinodit të ipeshkvijve për Afrikën. Ati i Shenjtë Benedikti XVI, së bashku me mbarë Kishën, i kushton shumë vëmendje Kishës në Afrikë, e cila është plot gjallëri, në rritje të vazhdueshme, e jo vetëm sasiore, por edhe cilësore. Këtë e tregon më së miri edhe zgjedhja e ipeshkvit të Kinshasës, imzot Laurent Monsengvo Pasinia si sekretar i posaçëm i Sinodit. Afrika sjell në Kishë gjallëri të re, ndonëse nuk i mungojnë problemet, e pikërisht këtu duhet ta shikojmë shkëmbimin e dhuratave: Kisha universale, që merr aspektetet pozitive nga Kisha e Afrikës, e Kisha universale, që e ndihmon Kishën e Afrikës për t’u rritur e për t’u zhvilluar në harmoni të plotë katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.