2008-09-29 20:38:26

Në Festën e Kryeengjëjve, Papa na porosit: “Të jemi ëngjëj për njëri-tjetrin”.


(29.08.2008 RV)“Njerëzit duhet të bëhen ëngjëj për njëri-tjetrin”. Kështu u shpreh Papa duke kujtuar, një vit më parë, tre Kryeengjëjt: Mikelin, Gabrielin e Rafaelin, në festën e tyre.
Janë lajmëtarë ndërmjet qiellit e tokës, ndërmjet madhështisë së Zotit e mjerimit të bijve të tij engjëjt si Mikeli, i cili i krijon Zotit hapësira në shpirtin e njeriut që nganjëherë tundohet të largohet nga Hyji; si Gabrieli, që e çon Krishtin në zemrën e njeriut; si Rafaeli, mjeku që pastron dashurinë ndërmjet burrit e gruas e që shëron verbërinë e njeriut, i cili nuk është në gjendje t’i shikojë punët e qiellit. Këtë thekson Ati i Shenjtë dhe vijon të shpjegojë se engjëjt janë lajmëtarë të Hyjit, ia sjellin Zotin njerëzve, hapin qiellin e kështu hapin edhe tokën. Pikërisht nga që rrinë pranë Zotit, mund të qëndrojnë edhe pranë njeriut. Hapin qiellin e tokën e i tregojnë njeriut kush është në të vërtetë, i zbulojnë atë, që nganjëherë është e fshehur e e varrosur në shpirtin e tij. I bëjnë thirrje të hyjë në vetvete, duke e prekur nga ana e Zotit. Në këtë kuptim – porosit Papa – edhe ne duhet të bëhemi vazhdimisht ëngjëj për njeri-tjetrin, engjëj që na largojnë nga rrugët e gabuara e na tregojnë shtegun që na rikthen tek Zoti.
Duke kujtuar Shën Rafaelin, shëruesin e plagëve në shpirtrat e njerëzve që nuk e njohin ose nuk duan ta pranojnë të vërtetën dhe dashurinë e Zotit, Benedikti XVI pohon se sipas traditës kishtare Kryeengjëlli njihet për shërimin e dashurisë njerëzore, sepse dëbon djajtë, që trondisin bashkimin ndërmjet burrit e gruas. E veç kësaj, u kthen të verbërve dritën e syve:

“E dimë të gjithë se sot kërcënohemi nga verbëria, që rrezikon të na pengojë për ta parë Zotin, për ta shijuar dritën e tij, të verbuar siç jemi nga sendet materiale. E shërbimi i Rafaelit është ta shërojë këtë verbëri përmes mesazhit të fesë dhe dëshmisë së dashurisë".

(Nga homelia e Meshës në festën e Shenjtorëve Kryeengjëj, 29.09. 2007)

 
Kryengjëlli Gabriel, që i kumtoi lindjen e Jezusit Nënës së tij, është ai që shpreh dëshirën e Krishtit për të hyrë në zemrën e njeriut. Zoti – thekson Papa – është tek porta, tek porta e botës e tek porta e çdo zemre.
Gabrieli i solli Marisë lajmin e amësisë së saj të jashtëzakonshme si dhe titullin “Hirëplote”, me të cilin e përshëndeti Zojën e Bekuar. E Maria i dha një përgjigje që vijon të jehojë në zemerat e të gjithëve:

“Duke qenë e dashur nga Zoti, Maria është plotësisht aktive, sepse e pranon me gatishmëri personale valën e dashurisë që Hyji ndikon mbi të. Edhe në këtë gjë ajo është nxënëse e përkryer e të Birit i cili, me nënshtrimin ndaj Atit, realizon plotësisht lirinë e vet (...) Përballë misterit të këtyre dy përgjigjeve “Ja ku jam” të Krishtit e të Virgjërës, që pasqyrohen njëra tek tjetra e formojnë një Amen të vetëm përpara vullnetit të Zotit, ne mbetemi të mahnitur e, plot mirënjohje, adhurojmë”.

  Pra, pranimi i lajmit të Engjëllit nga Maria – shpjegon Benedikti XVI, krijon kushtet që lidhja e Besës së re ndërmjte Zotit e njerëzimit të vuloset në mënyrë të përkryer. E pikërisht në hapësirën hirëplote të përgjigjes së saj pohuese – shprehet simbolikisht Papa - Maria bëhet edhe Nënë e Kishës, aq sa të përfshijë nën mantelin e saj çdo institucion e minister, edhe atë të Pjetrit e të pasardhësve të tij. (Nga homelia e Meshës , 25 .03. 2006).







All the contents on this site are copyrighted ©.