(29.09.2008 RV)Përkujtojmë sot një nga figurat më të ndritura të Kishës katolike
shqiptare, njeriun që u bë simbol i gjakut të martirëve, derdhur nga diktatura komuniste:
kardinalin e parë shqiptar, Mikel Koliqin, në 106-vjetorin e lindjes. Kardinali
Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Shkollën fillore e kreu në vendlindje,
për t'i vijuar studimet në Milano të Italisë, ku edhe u diplomua. Ishte në moshë
të pjekur, kur ndjeu thirrjen për rrugën meshtarake, thirrje që e kurorëzoi duke
u shuguruar meshtar më 30 maj 1931. U kthye menjëherë në Atdhé dhe nisi shërbimin,
më parë si ndihmës-famullitar, e pastaj si famullitar i katedrales së Shkodrës. U
shqua edhe për veprimtarinëe tij muzikore e publicistike. Muzikoi melodramat e para
në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Don Ndré Zadejën. Qe
kryeredaktor i revistës "Kumbona e së Dieles". Gjatë regjimit komunist u burgos tri
herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie. Ati i Shenjtë Gjon Pali II e emëroi prelat
nderi në janar 1992, e takoi personalisht gjatë vizitës së tij në Shqipëri, më 25
prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994. Menjëherë pas fillimit të proceseve
demokratike, kardinali Koliqi u nderua së pari me titullin "Pishtar i demokracisë",
më pas me titullin "Nënë Tereza" dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me titullin më
të lartë "Nderi i Kombit". Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997. U përpoqëm të përmbledhim
në pak rreshta një jetë, për të cilën mund e duhet të shkruhen shumë libra; një jetë
që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë të jashtëzakonshme,
së cilës deri tani i është kushtuar vetëm libri "Mikel Koliqi", shkruar nga kushëriri
i Prelatit të lartë, Gjon Simoni. Shumë herë i ka folur popullit shqiptar nga mikrofoni
i Radios sonë Kardinali Koliqi, prandaj zëri i tij është i gjallë ndërmjet nesh, ashtu
si janë të gjalla porositë e tij në kujtesën e popullit shqiptar.