2008-09-29 20:41:08

365 ditë: "Lui Pastër, që bëri zbulime të mëdha, me rruzare në dorë".


(29.09.2008 RV)RealAudioMP3 “Vagoni është plot! Lokomotiva lëshon një fjollë tymi e vihet në lëvizje. Në këtë epokë, rreth vitit 1890, trenat punojnë me avull. Janë të ngadalshëm e të zhurmshëm, por gjithsesi duhen parë si shprehje e një progresi të madh. “Rroftë shkenca!”, thotë me vete një djalosh, që sapo ka hipur në tren. E të mendosh se ndonja dhjetë vjet më parë, i vetmi mjet transporti ishte kali. Shtegtari i ri hyn në një kupè, ku rrinte një plak e ulet përballë tij. Është një burrë i moshuar, me pamje shumë simpatike, me syze të vogla e me një buzëqeshje delikate.
“Sa i ngjet gjyshit tim!” – mendon djaloshi. Edhe ky duhet të ketë lindur rreth vitit 1820… Do të jetë çuditur pa masë nga progreset shkencore, që ka parë gjatë gjithë jetës së tij. I varfëri, duhet të jetë krejt i hutuar.
Kështu mendon djaloshi, por papritmas kujtohet se po gabohej, e rëndë madje! Zotëria plak nxjerr nga xhepi rruzaren, një lloj kolane me rruaza, që shërben për t’iu lutur Hyjit e Zojës së Bekuar. Rioshi nuk beson në Zotin. Për të Zoti nuk ekziston, gjë që tashmë është vërtetuar! Plaku do të zhgënjehet, por, durim, duhet ta dijë të vërtetën…
“Më falni, hëëëm…. Shkenca ka vërtetuar një gjë, që juve ndoshta nuk doni ta dini aspak: Zoti juaj i mirë nuk ekziston!”.
“Ashtu?” përgjigjet burri i shkuar nga mosha, pa u trazuar fare. Madje në fytyrën e tij pikturohet një buzëqeshje, gati e padukshme.
“Ju e dini, besoj, se jetojmë në epokën e përparimit shkencor, epokë shkencëtarësh të mëdhenj, si Pastër, që shpiku vaksinën kundër tërbimit. E ky është vetëm një shembull, ndërmjet sa e sa të tjerëve. Pastër e shkencëtarë të tjerë vijojnë të bëjnë zbulime e shpikje të reja, gjë që dëshmon se shkenca është në gjendje të shpjegojë gjithçka. Jetën njerëzore, sëmundjet, vdekjen… Çdo gjë shpjegohet shkencërisht! E edhe Zoti juaj i mirë, të cilin s’e ka parë kush deri më sot, sepse nuk ekziston fare. A po më kuptoni? E keni kot që thoni rruzaren. Në qiell s’është askush, që mund t’ju dëgjojë”.
Por plaku nuk do e nuk do ta shtjerë përsëri në xhep atë send të marrë. Nuk është bindur akoma? Atëherë djaloshi e quan të arsyeshme të vijojë:
“Në se dëshironi, mund t’ju dërgoj disa revista shkencore, në të cilat shpjegohet diçka nga sa ju thashë. A mund të ma jepni, ju lutem, adresën tuaj?”.
“Posi, sigurisht” – përgjigjet përvujtërisht burri plak, “Ja, kjo është kartvizita ime!”.Duke lexuar kartvizitën, djaloshi shikon emrin e zotërisë së moshuar, që vijonte Rruzaren, e skuqet flakë nga turpi. Burri që është ulur përballë tij e i buzëqesh njerëzisht është Lui Pastër!







All the contents on this site are copyrighted ©.