2008-09-29 20:44:10

30 vjet më parë vdiste Papa Gjon Pali I.


(28.09.2008 RV)RealAudioMP3 Në 30-vjetorin e vdekjes së Gjon Palit I, sot Papa Benedikti XVI e kujtoi Parardhësin në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, ndërsa në Bazilikën e Shën Markut në Venedik u kremtua Mesha për shpirtin e Albino Luçianit. Gjon Pali I, i lindur në Kanale d’Agordo, qe Patrik i Venedikut nga 1969 deri më 1978, kur u ul në fronin e Shën Pjetrit.
30-vjetori i fillimit të papnisë së tij u kujtua më 26 gushtin e kaluar, pikërisht në ditën kur Patriku i Venedikut, Albino Luçiani, qe ulur në katedrën e Shën Pjetrit. Një papni tepër e shkurtër, kjo e Gjon Palit I, që zgjati vetëm 33 ditë, e megjithatë qe tepër e ngarkuar me veprimtari, që mbetën në kujtesën e besimtarëve.
“Mësues i së vërtetës dhe katekist i pasionuar”: kështu e ka quajtur Papa Racinger Gjon Palin I, në përfundim të filmit “Papa Luçiani, buzëqeshja e Zotit”, shfaqur për herë të parë në Sallën e Palit VI në Vatikan më 8 tetor 2006, kushtuar Papës Gjon Pali I. Besnik ndaj traditës e i gatshëm për t’ia hapur portën së resë – pohoi në vijim Benedikti XVI – Shërbëtori i Hyjit, Albino Luçiani e kreu në mënyrë shembullore misionin baritor, duke i shërbyer Kishës si bari i palodhshëm e duke e nxitur klerin dhe laikatin të ndjekë idealin e vetëm e të përbashkët të Shenjtërisë. Këtë e tregon edhe filmi kushtuar Papës së buzëqeshjes. E tregojnë edhe fjalët mahnitëse, me të cilat përshkruante dashurinë e Zotit:
“Ne jemi objekt i një dashurie nga ana e Zotit, që nuk perëndon kurrë. E dimë: Ai i ka gjithnjë sytë e hapur mbi ne, edhe kur na duket se ka zbritur nata. Është atë. E më tepër akoma, është nënë. Nuk do të na bëjë keq; dëshiron të na bëjë vetëm mirë, të gjithëve. Bijtë, kur janë të sëmurë, duhen edhe më shumë nga nëna. E edhe ne, në se rastësisht sëmuremi nga ligësia e dredhojmë rrugë, kemi edhe më shumë shpresë se Zoti do të na dojë përsëri”.
Kujtojmë se Gjon Pali I ndërroi jetë më 28 shtator 1978.







All the contents on this site are copyrighted ©.