2008-09-28 16:43:38

Vijon në Kretë dialogu teologjik ndërmjet katolikëve e ortodoksëve


(28.09.2008 RV)RealAudioMP3 Në përgatitje të dokumentit të punës, që do të shqyrtohet nga sesioni plenar (2009) i “Komisionit të përbërë ndërkombëtar për dialogun ndërmjet Kishës katolike dhe Kishës ortodokse”, u mblodh dje Komiteti i përbërë i koordinimit, për të vijuar punën deri më 4 tetor. Këtë herë pjesëmarrësit në takim, mysafirë të Kishës ortodokse, u mblodhën në Eulodë të Kretës, pranë Aghios Nikolaos, në metropolinë e Petrës.
Detyra e Komitetit të përbërë të koordinimit është të sintetizojë rezultatet e sesionit të fundit plenar (Ravenë 2007 ) mbi “Rolin e ipeshkvit të Romës në bashkimin e Kishës në mijëvjeçarin e parë”. Komiteti i përbërë i koordinimit do të studiojë raportet e përgatitura nga dy nënkomisione të gjuhës frënge, mbledhur në prillin e korrikun e kaluar, si dhe atij të gjuhës angleze, mbledhur në shkurt e në qershor 2008. Komiteti i përbërë i koordinimit drejtohet nga dy bashkëpresidentë: metropoliti i Pergamos, Joanis Ziziulas e kardinali Valter Kasper, në bashkëpunim me dy sekretarë: metropolitin Genadios të Sasimës dhe imzot Eleuterio Fortinon, zevendës-sekretar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.