2008-09-28 16:41:41

Urgjencat e ekonomisë globale: reflektim i Atë Lombardit.


(28.09.2008 RV)RealAudioMP3 Çdo fundjave, drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, ia kushton editorialin ngjarjeve kryesore të ditëve të fundit, në Kishë e në shoqëri. Sot vëmendja e tij shkon pikërisht atje, ku është përqendruar vëmendja e mbarë njerëzimit: tek urgjencat e ekonomisë globale, që kanë të bëjnë me të gjithë, e tek masat që mund e duhen marrë për zhvillimin e vendeve të varfëra, si dhe për paqen e mirëqenien e mbarë njerëzimit:

“Masat ekonomike që u morën në kohën e duhur për shpëtimin e sistemit financiar amerikan, me jehonë ndërkombëtare, janë tronditëse përsa u përket përmasave të tyre. Duke marrë pjesë pranë Kombeve të Bashkuara në diskutimin mbi zbatimin e Deklaratës së Mijëvjeçarit kundër varfërisë, urisë, padijes e sëmundjeve, Përfaqësuesi i Vatikanit, imzot Miliore, vërejti se përpjekja për t’i shpëtuar ekonomitë më të zhvilluara nga kriza, ia kalon shumë herë ndihmës ndërkombëtare botërore. Pa e vënë në dyshim urgjencën për kapërcimin e kësaj krize, prej këndej lind një pyetje e natyrshme: Po atëhere, a nuk mund e nuk duhet bërë më shumë edhe për të shpëtuar ekonomitë e për të nxitur zhvillimin në vendet më të varfëra? Pa harruar se burimet e nevojshme për të ndihmuar të varfërit janë tepër të vogla, në krahasim me shpenzimet ushtarake botërore e me shpenzimet e popullsive të pasura për plotësimin e nevojave të dorës së dytë.
Këto reflektime mund të duken si të njohura, madje edhe si foshnjore, por në të vërtetë janë themelore për një vizion largpamës të të njëjtave interesa të përgjithshme të njerëzimit, që duhet të kujdeset për zhvillimin paqësor e të drejtpeshuar në favor të të gjithëve. Papa e përfundoi thirrjen e tij kushtuar kësaj teme në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, 21 shtator, me fjalët: “Një impenjim i tillë, ndonëse në këto çaste vështirësish ekonomike botërore kërkon flijime të veçanta, nuk do të vonojë të japë frytet e veta si për zhvillimin e Kombeve, që kanë nevojë për ndihmë nga jashtë, ashtu edhe për paqen e mirëqenien e mbarë Planetit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.