2008-09-28 17:21:46

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(28.09.2008 RV) RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të dielën XXVI të Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar. U përkujtuan edhe Shën Vençeslau, dukë i Bohemisë, martir; Shën Lorenci Ruiz e shokët e tij, martirë dhe Shën Eustokio, virgjër romake, bija e Shën Paolës, nxënëse të Shën Jeronimit.

Të hënën Kisha do të kremtojë Shenjtorët Kryeengjëj: Mikelin (ai që ndihmon), Gabrielin (ai që mbron) e Rafaelin (ai që shëron).

Të marten është festa e Shën Jeronimit, meshtar iliras e doktor i Kishës, përkthyes i famshëm i Biblës nga hebraishtja në latinisht, që njihet me emrin ‘Vulgata’ e që i bëri ballë shekujve, dhe e Shën Françesk Borgjias, meshtar jezuit.

Të mërkurën do të përkujtohet Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, virgjër karmelitane, doktore e Kishës, pajtore e misioneve. Na kujton se Jezusi është kërkues. Nuk mund të ndiqet sipas dëshirave tona.

Në liturgjinë e së enjtes, kremtimi i Engjëjve të Rojës, të cilët Zoti i dërgon për të na shoqëruar në shtegtimin tonë drejt Tij.

Të premten, festa e Shën Kandidës martire, që na kujton thirrjen e Psalmistit: “Më prij, o Zot, në rrugë të drejtë”.

Të shtunën Kisha na propozon shembullin e Shën Françeskut të Asizit, themelues i Urdhërit Françeskan e pajtor i Italisë, për të cilin Zoti ishte e vetmja e pasuri!

Të dielën e ardhshme do të kremtohet e diela XXVII e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.