2008-09-28 16:46:09

365 ditë: "Felisì Hervjë krijon kopshtet për të varfërit".


(28.09.2008 RV)E si mund të jetojnë në këtë mënyrë?! Sa herë që Felisì Hervjë1 shkon për vizitë në këtë familje, aq herë ia bën vetes këtë pyetje. Shtëpia është e vogël e vogël, e varfër e varfër. Felisì mund ta përshkojë kënd më kënd vetëm në pak sekonda. Fëmijët nuk kanë ku të lëvizin. Rrinë shtrënguar njëri pas tjetrit, të palarë, të kequshqyer. Nëna gatuan gjithnjë të njëjtat gjëra, sepse nuk ka ku të gjejë ushqime më të mira. E sa për babain, nuk dihet kurrë se kur do të kthehet nga pijetorja…
Felisì, si katolike e mirë, që jeton në kushte normale, shkon t’i takojë vazhdimisht për të ndihmuar nënën e familjes e për t’i dhuruar ca para. Por këtë herë dëshiron të takojë edhe babain, për t’i propozuar bashkëshortëve një rrugëzgjidhje, që do t’i ndihmojë të dalin nga mjerimi.
Atë mbrëmje të vitit 1889 babai kthehet në shtëpi më pak i dehur se zakonisht. Felisì përfiton nga rasti për t’i shpjeguar planin e saj. E këshillon të kursejë tre franga në muaj nga paratë që ajo ia dhuron familjes. Do t’i shtojë edhe gjashtë franga të tjera shumës që dhuron zakonisht. Kështu, në fund të vitit, paratë që do të vënë në arkën e kursimit, do të arrijnë në njëqind e tetë franga. Babai nuk arrin ta kuptojë bash mirë ç’përfitim do të ketë nga kjo marrëveshje me gruan e huaj, por megjithatë, pranon. E ja që, një vit më pas, kanë mbledhur shumën që mendonte Felisì.
Por plani i Felisisë është shumë më largpamës. Rikthehet për të takuar bashkëshortët, të cilëve u propozon të marrin me qira një copë tokë e ta punojnë, për të plotësuar nevojat e familjes. Këtë herë burri e kundërshton idenë: e ç’do të fitojë?
Po Felisì nuk është grua që tërhiqet lehtë. Atë që ka në kokë, do ta realizojë patjetër. Diskutojnë për orë e orë: burri në të tijën, ajo në të sajën. Por më në fund ai dorëzohet: bashkëshortët e marrin kopshtin me qira e nisin ta punojnë. Pak kohë më pas gjithçka vishet me blerim. Mbijnë barishtet e para. Familja nis të hajë më mirë. Madje nis edhe ta shesë një pjesë të prodhimit në treg. Përsa i përket atmosferës familjare, edhe kjo përmirësohet me shpejtësi. Babai kalon më pak kohë në pijetore. Prindër e fëmijë rinisin të ndjejnë gëzimin, që buron nga familja e bashkuar. Felisì e ka arritur qëllimin. Tani mund të shkojë tek një familje tjetër.E kështu lindin kopshtet familjare. Më parë në veri të Francës, ku jeton Felisì, pastaj në gjithë vendin. Nisin të quhen ‘kopshte punëtorësh’, sepse ndihmuan shumë për të përmirësuar jetën e punëtorëve.

1 Në vitin 1889 një banore e Sedanit, zonja Felisì Hervjë pati idenë të merrte me qira copa të vogla toke për t’ua dhënë familjeve të varfëra të zonës. Së bashku me disa zonja të tjera franceze, që ndihmonin të varfërit, krijoi shoqatën “Vepra e përtëritjes së familjeve”, e cila u miratua në vitin 1891.







All the contents on this site are copyrighted ©.