“Sfidat e shumta për Evropën” në fjalimin e Papës ambasadorit të ri të Republikës
Çeke.
(27.09.2008 RV)Sfidat e shumta
që duhet të përballojë Evropa e sotme dhe roli i Kishës për të gjitha shoqëritë, ishin
sot në qendër të vëmendjes në fjalimin që Papa i drejtoi ambasadorit të ri të Republikës
Çeke, Pavel Voshalik, i cili u prit në Vatikan për dorëzimin e letrave kredenciale. Republikës
Çeke, e cila vitin e ardhshëm do të jetë presidente turni e Bashkimit Evropian për
gjashtë muaj, Papa i foli për sfidat e shumta, që duhet të përballojë Evropa, posaçërisht
në një çast kur kombet dëshirojnë të ndërtojnë një bashkësi ndërkombëtare më të qëndrueshme
për breznitë e ardhshme. E për ta bërë këtë – vërejti Benedikti XVI - liderët evropianë
janë të thirrur të pranojnë se lumturia dhe mirëqenia e njeriut nuk mund të arrihen
duke u mbështetur vetëm në strukturat e përshtatshme. Realizimi i kulturës së vërtetë,
që është në lartësinë e vetë natyrës së njeriut, kërkon bashkëpunim të harmonishëm
ndërmjet familjeve, bashkësive kishtare, shkollave, botës afariste, organizatave dhe
institucioneve qeveritare. Prandaj – nënvizoi Ati i Shenjtë – të gjitha shoqëritë
përfitojnë kur Kishës i njihet e drejta për të luajtur rolin e mbarështueses së pasurive
materiale e shpirtërore, në përkim me shërbimin e saj, pa harruar asnjëherë rolin
që luajti Ungjilli në jetën e popujve, posaçërisht atyre të Evropës lindore, të cilëve
u përcolli mesazhin e shpresës në ditët më të errëta të diktaturave, gjë që e theksoi
edhe vetë ambasadori i ri në fjalimin drejtuar Benediktit XVI. Ati i Shenjtë shprehu
besimin se gjatë presidencës në Bashkimin Evropian, Republika Çeke do të japë kontributin
e saj në impenjimin për bashkëjetesën, pa cënuar larmitë, për sovranitein kombëtar
e veprimtarinë e përbashkët, për progresin ekonomik e drejtësinë shoqërore në mbarë
Kontinentin.