2008-09-27 16:28:03

Fanatikët hinduistë djegin e shkatërrojnë një shtëpi të Motrave të Nënë Terezës.


(27.09.2008 RV)RealAudioMP3 Vijon ushtrimi i dhunës kundër të krishterëve në Indi. Më 25 shtatorin e kaluar, fondamentalistët hinduistë sulmuan e i kallën flakën shtëpisë së Misionareve të Bamirësisë, urdhër i themeluar nga Nëna jonë Terezë, në fshatin Sukananda, pranë Kandhamalit. Rreth orës 11 të natës, një turmë prej 700 vetësh doli rrugëve, duke mos respektuar ndalimin e qarkullimit vendosur nga autoritetet, armatosur me sopata, shpata e shufra hekuri dhe u sul mbi ndërtesën e rrethinat e saj, në një rreze prej 5 akrash. Më pas turma rrënoi edhe Kishën, duke e vijuar veprimtarinë shkatrrimtare deri në agimin e datës 26 shtator. Fatmirësisht në shtëpi nuk ishte askush, sepse eprorja e përgjithshme zonale e urdhërit, që kur filluan sulmet kundër të krishterëve, u nis për në shtëpinë e Bubaneshvarit, së bashku me vajzat dalit e tribali, që strehoheshin pranë motrave. Autoritetet civile e kishtare u shprehën solidaritetin e tyre motrave të Nënë Terezës, të cilat i quajtën ‘misionare në vijën e parë të frontit kundër varfërisë” e prandaj, edhe më të rrezikuara nga ‘forcat djallëzore’, siç i quajti eprorja zonale e Kongregatës.
Për herë të parë, përmes një deklarate të nënshkruar nga kryetari i Konferencës ipeshkvnore indiane, kardinali Vithaiathil, akuzohen zyrtarisht grupet e aktivizmit radikal Hindutva dhe kërkohet drejtësi nga qeveria qëndrore e nga shtetet e tjera, për të mbrojtur kështu qytetërimin indian të tolerancës, për të garantuar veprimtarinë e të krishterëve në ndihnmë të të varfërve e të përjashtuarve nga kastat, si dhe për pajtimin shoqëror.







All the contents on this site are copyrighted ©.