2008-09-27 16:48:09

365 ditë: "Pol Klodel gjen Zotin".


(27.09.2008 RV)“Oh, shi i mallkuar, që s’ di të pushojë!”
Sot Pol Klodel është prishaqefas. Mërzitet për vdekje. Parisi nën shi i duket i zbrazët e i shëmtuar.
Ç’ mund të bëjë për t’u qetësuar sadopak? Poli gogësin e merr një libër. Janë poezitë e një poeti të madh: Artur Rembo. Rembo ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç, kur i shkroi poezitë e tij më të bukura. Poli është tetëmbëdhjetë e ëndërron të bëhet edhe ai poet, në gjurmët e Rembosë. Rembo është rebel, mendon se shumica e njerëzve janë të mërzitshëm e të mbrapshtë… “Ka të drejtë”, mendon Poli, i neveritur, ndërsa shikon shiun që vijon të reshet nga qielli i zymtë.
Ka nevojë të thithë pak ajër të pastër, përndryshe është në rrezik të çmendet duke u sjellë e përsjellë kot nëpër apartamentin e tij. Nuk di si t’ia bëjë: të dalë apo të rrijë. Vendos të dalë. Përshkon, nën shi, gjithë rrugën Sâ Zhak, në të cilën banon.
“Do të shkoj deri në breg të Sienës, deri tek Katedralja e Shën Marisë e atje do të ndalem pakëz!”- mendon.
Është pasdite vonë. Mbi Parisin ka rënë nata e rrugët janë përmbytur nga reshjet. Bën ftohtë. Brrrrr…
Si arrin para Katedrales së Parisit, çuditet, kur sheh një turmë të madhe njerëzish, që hyjnë brenda. Papritmas i kujtohet: “Sot është 25 dhjetor. Është Krishtlindje!” – mërmërin me vete. E kishte harruar fare. Nuk është kundër të krishterëve, por i pëlqen të tallet me ta. Me që s’ka ç’të bëjë tjetër, vendos të hyjë në Katedrale, thjeshtë për të parë ç’po ndodh. Është koha e lutjeve të mbrëmjes. Me që sonte është festë e madhe, mbrëmësoret këndohen nga kori i fëmijëve. Për t’i dëgjuar më mirë, Poli afrohet tek elteri e fshihet pas një shtylle më të djathtë. Fillon Magnificat, lutja që këndoi Maria, për të shprehur gëzimin e Ardhjes së Jezusit. Magnificat – Himni që madhëron Zotin, flet për gëzim, shpresë, besim. Të gjitha, në kundërshtim të plotë me humorin e Polit. Por ja që, papritmas, preket thellë në shpirt. Nuk e kupton ç’po i ndodh, por e ndjen veten të lumtur. Nis të mendojë se jeta është e bukur, se Jezusi ka lindur vërtetë ndërmjet njerëzve për t’i shëlbuar.
Më vonë do të shkruante:“Në një çast të vetëm, zemra ime u prek e besova”.
Atë natë Krishtlindjeje të vitit 1886, Poli takoi Zotin në Katedralen Notre – Dame, fshehur pas shtyllës së dytë, më të djathtë. Mjaft më me mërzitje! Mjaft më prishaqefas! Sapo kthehet në shtëpi, vrapon të gjejë Biblën, që më parë nuk e hapte kurrë. Do të ishte libri i tij më i dashur. E më vonë, kur do të bëhej poet i famshëm, do të shkruante se poezitë dhe veprat e tij teatrale ishin shkruar sipas stilit të Biblës.







All the contents on this site are copyrighted ©.