2008-09-26 17:54:49

Papa bashkëshortëve në vështirësi: me ndihmën e Zotit e të vëllezërve mund ta gjeni përsëri dashurinë, duke e jetuar krizën si rrugë kalimtare drejt rritjes shpirtërore.


(26.09.2008 RV)Me ndihmën e Zotit e të vëllezërve bashkëshortët që kalojnë periudha të vështira, mund ta jetojnë krizën si rrugë kalimtare drejt rritjes e ta kapërcejnë, duke bërë të rilindë dashuria: këtë tha sot paradite Papa, duke pritur shoqatën Retruvaj, me rastin e takimit botëror të lëvizjes. Është fjala për një shoqatë, lindur 31 vjet më parë në Kanada, që sot është e pranishme në shumë vende të botës. Përbëhet nga familje, të cilat kanë kapërcyer kriza të rënda e tani ndihmojnë çiftet e tronditura për rindërtimin e familjeve të rrezikuara.
Kush është në krizë, të mos dëshpërohet. Papa u përcjell këtë mesazh çifteve në vështirësi, duke theksuar se është themelore të mbështetesh në ndihmën e Zotit e të vëllezërve. Benedikti XVI e vlerësoi lart veprimtarinë e Retruvaj që, siç e tregon vetë emri i saj – i ndihmon bashkëshortët ta ‘rigjejnë’ njëri-tjetrin. Në veprimtarinë tuaj – pohoi Ati i Shenjtë - shikoj gishtin e Zotit e veprimin e Shpirtit Shenjt, në një kohë kur flitet kaq shumë për ndarje e për divorce. Papa analizoi, më pas, krizën bashkëshortore që – shpjegoi - është realitet me dy fytyra:

Nga njëra anë, posaçërisht në fazën e vet më të mprehtë e më të dhimbshme, paraqitet si dështim, si provë, që tregon se ëndrra ka marrë fund e është shndërruar në makth e, për fat të keq, nuk mbetet më asgjë për të bërë. Kjo është fytyra e keqe. Po është edhe një fytyrë tjetër, që ne shpesh nuk e njohim e që e shikon vetëm Zoti. Çdo krizë – na mëson natyra, është kalim në një fazë të re të jetës”.

 
Në vijim Papa theksoi se pikërisht kur bashkëshortët kanë humbur çdo shpresë për t’i kapërcyer vetë vështirësitë, ndjehet fort nevoja e ndërhyrjes së miqve të vërtetë të cilët, me respekt të plotë, por edhe me vullnet të mirë, janë gati t’i japin një pjesë nga shpresa e vet, atyre që e kanë humbur. Të tillë janë anëtarët e Retruvaj, të cilëve Papa iu drejtuar me fjalët:

“Ju bëheni kështu, në çastin e prishjes, mundësi konkrete që bashkëshortët të kenë një pikë pozitive, ku të mbështeten në çastin e dëshpërimit. E kjo, sepse kur marrëdhëniet prishen, bashkëshortët e ndjejnë veten thellësisht të vetmuar, humbasin horizontin e bashkimit me Zotin, me të tjerët e me Kishën”.

 
Prandaj ndihma e vëllezërve bëhet krah ku mund të mbështetesh, për t’u ngritur edhe një herë në këmbë. Kriza duhet jetuar si rrugë drejt rritjes, siç mund të kuptohet nga Dasma e Kanës: nuk ka më verë, dmth se në zemrën e çiftit nuk ka më dashuri, nuk ka më gëzim, nuk ka më entuziazëm. Por Jezusi, me lutjen e Marisë, e shndërron ujin në verë, e në një verë edhe më të mirë se e para. Çdo martesë e krishterë - theksoi Papa – edhe më e mjera e më e lëkundshmja, duhet të ketë guxim t’i kërkojë ndihmë Zotit, sepse:

“Është Ai që i fryn flakës dhe e bën të ndizet përsëri. Ndonëse jo si në çastin e parë të dashurisë, por në një mënyrë tjetër, duke e bërë më të ndritshme e më të qëndrueshme; ndonëse është gjithnjë e njëjta flakë”.

 
Por t’i ndihmosh sot çiftet në krizë – nënvizoi Benedikti XVI – është një shërbim që shkon ‘kundër rrymës’:

“Sot, në të vërtetë, kur një çift është në krizë, gjen shumë njerëz, që janë gati ta këshillojnë të ndahet. Madje edhe bashkëshortëve, të kurorëzuar në emër të Zotit, u propozohet me lehtësinë më të madhe, divorci, duke harruar se njeriu nuk mund ta ndajë, atë që e ka bashkuar Zoti” (cfr Mt 19,6; Mk 10,9).

 
Në përfundim të takimit, Ati i Shenjtë ia besoi Familjes së Nazaretit familjet që duket se nuk kanë më shpresa për të ardhmen, me besimin se kush mbështetet në Zotin, nuk e humbet kurrë shpresën.







All the contents on this site are copyrighted ©.