2008-09-26 18:10:42

365 ditë: "Martirët e Ugandës".


(26.09.2008 RV)RealAudioMP3 “Zoti ministër, nuk jam fare i kënaqur nga ju!”.
Mvanga, mbreti i ri i Ugandës, zë vend përballë kryeministrit. “Të kujtojmë përmbledhtas ngjarjet më të freskëta. Vitin e kaluar… kur sapo isha ulur në fronin e babait, gjithçka shkonte mrekullisht mirë në mbretërinë time”.
“Sigurisht zotëri!”.
Një ditë Jozefi, kryetari i pazhëve të mi, guxoi të më qortonte: arriti deri atje, sa të më thoshte se jeta ime private ishte e gabuar. Jozefi ishte i krishterë e sipas tij, unë duhet të doja një grua të vetme për gjithë jetën. Sa i pacipë, apo jo?”.
“Sigurisht, im zot!”.
“E ti pastaj më këshillove: Zotëri, ta dënojmë me vdekje këtë të pafytyrë. Kështu edhe ata pak të krishterë, që janë në vend, do të frikësohen e do ta braktisin këtë fe të huaj. E edhe priftërinjtë e bardhë, që kanë ardhur të banojnë këtu, do vënë thembrat ku vunë majat. M’i the apo jo këto fjalë?”.
“Sigurisht, zotëri!”.
“Jozefi u ekzekutua më 15 nëntor. Vdiq si heronjtë! Duke brohoritur emrin e zotit të vet. Fare mirë! Po ditën tjetër, ç’ndodhi?”.
Ministri fshin, në heshtje, ballin e dërsitur.
“Përgjigju!”, urdhëron mbreti.
“Qindra njerëz shkuan tek etërit e bardhë për të kërkuar pagëzimin” - mërmërit ministri me një fije zëri.
“Ju lumtë, zoti ministër! Rezultat i bukur! E mënyrë edhe më e bukur për t’i mbajtur premtimet”.
“Unë nuk mund ta përfytyroja se vdekja e Jozefit do t’i nxiste njerëzit të bëheshin të krishterë… nuk mund as ta mendoja se janë kaq të çmendur...! – ankohet ministri.
“Hesht! Ndërmjet të krishterëve të rinj ishin edhe… por jo, ma thuaj më mirë ti kush ishte!”.
“Të gjithë pazhët tuaj, zotëri!”.
“Pikërisht kështu, zoti ministër, të gjithë, madje edhe Kizitua i vogël, që s’i kishte mbushur ende dymbëdhjetë vjetët. Atëhere ju më thatë: “T’i dënojmë të gjithë me vdekje, e këtë herë, ju premtoj se krishterimi do të zhduket nga Uganda”.
“Isha i bindur për këtë, zotëri!”.
“Ta lemë mënjanë faktin se në këtë mënyrë ju më latë pa asnjë shërbëtor. Ju lumtë!”.
“Por, nuk është faji im…”.
“Pusho! Pazhët e mi vdiqën duke kënduar për Zotin e tyre, gjë që çoi turma të reja tek etërit e bardhë… Krishterimi vijon të lulëzojë në vendin tonë, si me magji… Përgëzimet e mia, zoti ministër!”.
“Unë mendoj se zoti i tyre është shumë më i fuqishëm se të gjithë shenjtorët tanë”.
“S’më bëhet vonë fare ç’mendon ti. Dua t’i jap fund persekutimit. E do t’ia filloj duke i falur tre të krishterët, që janë në burg. Duhet të trajtohen si heronj, zoti ministër, e të gjithë do të tallen me ju! E meritoni plotësisht këtë dënim, e duhet të më falënderoni që po kufizohem vetëm me të”.“Faleminderit, zotëri”.
Sa e vështirë të jesh ministër...







All the contents on this site are copyrighted ©.