(25.09.2008 RV)Së pari po kujtojmë
se në Kalendarin e Kishës katolike shënohen tre shenjtorë me emrin Firmini i Amiensit:
një abat, që kremtohet më 11 mars, një tjetër ipeshkëv i qytetit, festa e të cilit
bie më 1 shtator, dhe i treti, ipeshkëv i Amiensit e martir, që festohet me 25 shtator. Të
dhënat e para që flasin për shenjtin, vërtetësia historike e të cilave është e diskutueshme,
vijnë në kohët tona që nga shekulli V ose VI. Pavarësisht nga elementet legjendare,
ato duhen treguar, sepse shërbyen si burim frymëzimi për artistët e kohës, që realizuan
skulpturat, të cilat e zbukurojnë edhe sot katedralen e Amiensit. Sipas gojëdhënave,
Firmini duhet të ketë qenë bir i një familjeje fisnike nga Pamplona e Spanjës. Prindërit
e tij, Fermi dhe Eugjenia, ishin paganë, që u kthyen në fenë e krishterë në kohën
kur i biri shugurohej ipeshkëv. Firmini, djali më i madh i familjes, u la nën kujdesin
e Onestit meshtar, që e pagëzoi dhe e edukoi në fenë e krishterë. U shugurua meshtar
nga ipeshkvi i Tuluzës, Onorati e më pas edhe ipeshkëv. Me sa duket, në fillim shërbeu
në Pamplonë, ku sipas traditës vendase, njihet si ipeshkvi i parë i qytetit. Pastaj
u nis për të ungjillëzuar disa zona të Francës, si Akuitania, Alvernia, Anzhu e vise
të tjera në veri- lindje të vendit. Pavarësisht nga pengesat që i krijuan priftërinjtë
paganë, rezultatet e veprimtarisë së tij ungjillëzuese qenë të jashtëzakonshme. Aktet
e martirizimit të tij shënojnë se gjatë kësaj veprimtarie ungjillëzuese, u arrestua
nga qeveritari romak Valeri, u rrah mizorisht e më pas u lirua. Në vijim të shtegtimit,
u ndal në Amiens, që në lashtësi njihej me emrin Samobriva Ambianorum, ku vijoi me
sukses edhe më të madh veprimtarinë e tij ipeshkvnore. Ktheu në fenë e krishterë shumë
fisnikë; ndërmjet tyre edhe senatorin Faustian, i biri i të cilit, Firmini i Amiensit,
më pas ipeshkëv e shenjt, kremtohet nga Kisha më 1 shtator. Në fillim të shekullit
IV gjyqtarët Longulo e Sebastiani e arrestuan sërisht ipeshkvin guximtar. E torturuan
mizorisht, duke i kërkuar ta mohonte fenë e krishterë. Po ai u bëri ballë heroikisht
të gjitha mundimeve. Atëherë gjykatësit, për të shmangur rrezikun e reagimit popullor,
vendosën t’ia presin kokën në burg. Ishte data 25 shtator e një viti të papërcaktuar,
ndërmjet 290-tës e 303-së. Shenjti u varros në një vend të fshehtë, të panjohur deri
në shekullin VII kur, me ndihmën e një vegimi të mrekullueshëm, varri i tij u zbulua
nga ipeshkvi i Amiensit, Shën Salvi. Reliket e Shën Firminit nderohen në kisha
të ndryshme të Francës, sepse kulti i shenjtit u përhap me shpejtësi të madhe si në
Francë, ashtu edhe në Spanjë e, sidomos në Pamplonë, ku më 1217 u ngrit një elter
në nderim të martirit, për të vendosur aty disa nga reliket e tij. Më 1657 papa
Aleksandri VII i shpalli Shën Firminin ipeshkëv e shën Françesk Saverin, Pajtorë kryesorë
të qytetit të Pamplonës. Tani në vendlindjen e Martirit janë ngritur dy kapela
kushtuar Shën Firminit: një në katedrale e një tjetër në kishën e Shën Lorencit e
cila, sipas traditës, u ndërtua pikërisht mbi themelet e shtëpisë ku lindi shenjti.
Festa e tij në Pamplonë është bërë shumë e njohur në gjithë botën edhe për shkak
të vrapimit të demave, apo ‘enkierros’, që zhvillohet nëpër rrugët e qytetit në një
gjatësi prej 850 metrash e që përfundon shpesh me plagosjen e njerëzve, të cilët vrapojnë
lirisht njëherësh me demat, në praninë e një numri të madh turistësh kureshtarë.