Bisedë radiofonike e don David Gjugjës me At Zef Pllumin,OFM realizuar në Vatikanit
më 20 maj 2004.
(24.09.2008 RV)Në muajin maj 2004 Atë Zef Pllumi, françeskan shqiptar, ishte
për një vizitë në Romë. Atë Zefi, i mirënjohur për veprimtarinë e tij meshtarake,
sidomos në Tiranë e në Shkodër, për persekutimin e jashtzakonshëm nga ana e regjimit
komunist e për veprimtarinë e tij të shquar letrare, lindi më 7 prill 1924 në Mal
të Rrencit, pranë Lezhës. Ishte tepër i vogël, kur zgjodhi rrugën e jetës rregulltare
françeskane. Vijoi, kështu, mësimet ndër fretën, deri më 1942, kur kreu liceun ”Illyricum”
në Shkodër. Taman kur përgatitej për të vijuar jashtë shteti studimet filozofike e
teologjike, iu desh t’i ndërronte universitetet evropiane me një universitet tjetër:
atë të burgut. U arrestua për herë të parë më 14 dhjetor të vitit 1947. Në fillim
të vitit 1948 u dënua me tri vjet burgim, që i vuajti në Shkodër, Beden të Kavajës,
Orman Pojan të Maliqit. Sapo u lirua, u kthye ndërmjet sivëllezërve te kuvendi françeskan
i Arrës së Madhe. Në vitet 1958-1967 shërbeu si famullitar në Malësitë e Dukagjinit.
Në shtator të 1967 –tës u arrestua rishtas dhe u dënua me 25 vjet burgim. Këtë herë
iu desh të rrinte tepër gjatë në universitetin e burgut, duke lëvizur nga Spaçi, në
Kryporet e Vlorës, në Ballsh, Fier, Zejmen e Shën Vasil të Sarandës. U lirua në prill
të vitit 1989, për të rifilluar më 1990 misionin e tij meshtarak në Tiranë e në Shkodër.
Rilidhi, jo pa vështirësi të të gjitha natyrave, fillin e jetës, të këputur brutalisht.
Tani në biografinë e tij u dukën emrat e vendeve, që duhet t’i kishte shkelur në të
ri: Itali, Belgjikë, Francë, Gjermani, Poloni, Kroaci, SHBA… Shkollë e re kjo, për
fratin e vjetër! E nisi edhe veprimtaria e tij letrare, që e radhit ndërmjet shkrimtarëve
më në zë të ditëve tona, me një sërë veprash. Kujtojmë “Rrrno vetëm për të tregue”
, vepër me tre vëllime (V. I T. 1995/ v. II T. 1997; v. III T. 2001), “Antipoezi për
shekullin XX, Poemë antiepike”, (T. 2001); “Françeskanët e mëdhaj shqiptarë” (T. 2001);
“Siç thonim dje – përmbledhje publiçistikash” (T. 2001); Para njëmijë vjetëve – skenarë
filmi (T. 2003) dhe vepra e fundit “Frati i Pashallarëve”, (Sh. 2004). Disa prej këtyre
veprave, ndonëse të bazuara mbi përvojën e burgjeve, e kanë kaluar tejet cakun e kujtimeve.
Kanë marrë karakterin e veprave të mirëfillta letrare, që pasurojnë fondin aq të
varfër të letërsisë shqiptare, e cila që prej më se një gjysëm shekulli ka prodhuar
kryesisht vepra të indoktrinuara. E vepra të tilla nuk i thonë më asgjë lexuesit.
Kështu Atë Pllumi, që shkruan në dialektin gegë, sot është përfaqësusi më i shquar
i shkollës letrare të Veriut, që megjithatë nuk ka dekë. Por Atë Zefi njihet edhe
për veprimtari të tjera: firmë publicistike, që duket rishtas në shtypin e kohës
(vijon të botohet në gazetën “Bota shqiptare” të Romës, shkrimi i tij i fundit publicistik
“Demokracia shqiptare me dy diktatorë”) ai pati marrë mbi vete një vepër tjetër të
lumnueshme: ribotimin e revistës famëmadhe të Françeskanëve “Hylli i Dritës”. Dhe
ia doli mbanesh jo vetëm ta botonte, por edhe t’i jepte shkëlqimin e parë, në një
kohë kur shtypi shqiptar përgjithësisht, s’premton asgjë të mirë. Por “Hylli” i lavdishëm,
u detyrua të mbyllej rishtas për mungesë fondesh, për t’u hapur s’e di se kur….. Gjithsesi
Pater Zefi vijon të botojë, ndonëse sytë nuk duan t’i binden më. Por, si shkruan ai
për vete në fund të një autobiografie të shkurtër, për të “thonë se âsht i marrë
e nuk rrin me dekë rahat”. Fjalë filozofike që përmbledhin simbolikisht atë mendësi,
e cila nuk e lë shqiptarin të ecë përpara. Si ngjet me shumicën e njerëzve të
Kishës që vijnë në Romë për probleme të ndryshme, edhe ai erdhi të na takonte në
redaksinë e Radio Vatikanit. I ftuar nga dom David Gjugja për një intervistë, iu përgjigj
me kënaqësi ftesës dhe bisedoi gjatë e shtruar para mikrofonit të përgjegjësit të
Programit shqip pranë Radios së Papës. Po propozojmë sot transmetimin e kësaj interviste,
në të cilën preken çështje nga më të ndryshmet që kanë të bëjnë me Kishën e me shoqërinë
e djeshme e të sotme shqiptare. ****** Don Davidi: - Jam shumë i emocinuem,
shumë i kënaqun, që kam para vedit këtu, në studiot e Radio-Vatikanit, një prej atyne
figurave të mëdha, që janë dëshmi e gjallë, hallkë lidhëse, apo ma mirë me thane,
hallkë e pakëputun e traditës mijëvjeçare të krishtenimit në Shqipní, hallkë vendimtare
e Kishës, e meshtarëve dhe e rregulltarëve, që dishmon për mbijetesën e Kishës katolike
në Shqipëri, e cila pas aq shumë vuajtjesh e përndjekjesh sistematike e të tmerrshme,
mâ në fund ia doli me fitue mbi fuqitë djallëzore të komunizmit të Enver Hoxhës e
të shokëve të tij. E kam fjalën për Pater Zef Pllumin, françeskan shqiptar. Pater
Zef, po fillojmë me përshëndetjen tonë të zakonshme: mirëse ju pruni Zoti! Pater
Zefi: - Mirë se u gjeta! Don Davidi: - Si jeni? Pater Zefi:
- Jam shum mirë. Po thom mirë, se jam 80 vjeç e shokët e mij s’kanë mërrijtë me i
bâ kaq vjet. Pleqnia kurr nuk asht e mirë, por, mbasi jam në gjendje me folë e me
mendue, prap se prap ia di Zotit për nderë e thom se jam shum mirë.
Don
Davidi: - Pater Zef, ju jeni një dhantí prej Zotit për né, sepse, sikur thatë
edhe ju vetë, jeni këtu për me tregue atê që ka ndodhë; e jo vetëm të këqijat, por
sidomos për të na tregue edhe një herë se fuqia e dashunisë së Zotit, fuqia e Krishtit
të ngjallun, ka ngadhënjye mbi anmikun e Kishës, të popullit, të vendit…..
Pater
Zefi: - Po, sigurisht. Ajo asht puna mâ e mirë dhe detyra qi kena na, pleqt, për
me mujtë e me e kallëxue, në mënyrë qi të tjerët qi vijnë mbas nesh, të bâjnë si të
duen vetë, por t’i dijnë punët, të cilat na i kemi kalue, të mirat e të këqijat; kemë
lumninë qi kem pasë, kemë vuejtjet qi kem pasë e edhe shkatërrimin, termekun e madh
të komunizmit, qi shembi tokën tonë.
Don Davidi: - E, mos të harrojmë,
kemë sidomos qëndrimin burrnor, në saje të të cilit u ruejtën vlerat njerëzore, kombëtare,
shpirtnore, fetare. Ju keni shkrue disa libra, si libri me kujtime “Rrno vetëm për
me tregue”; keni rrëfye me hollësi prekëse vuejtjet e tmerret e kohës e, sikur thashë
mâ përpara, keni vû në pah fuqinë e Zotit, që ju ka mbajtë gjallë ju e ka mbajtë gjallë
fenë në zemrat e shumë besimtarëve. Cila âsht porosia kryesore që keni dishrue me
na transmetue ne, lexuesve, përmes kujtimeve tueja?
Pater Zefi:
- Çdo jetë, sado bukur qi të kalojë e sado e kandshme qi të jetë, nuk ka veshtrim
pa vuejtje. Por ka vuejtje mbi vuejtje. Moshës sonë i rá mbi krye nji vuejtje e jashtzakonshme,
diktatura komuniste. Megjithatë, nuk kje një gjâ e papritun në popullin shqiptar.
Atë Fulv Kordinjano ka shkrue në revistën “I Jesuiti” në vitin 1920 se kur popullit
shqiptar t’i vijë koha me u vû në kontakt me kulturën përendimore, ky popull ka me
përqafue o jakobinizmin antiklerikal, ose komunizmin ateist. Edhe ashtu ndodhi. Prandej
të parët tonë pak a shumë na kanë pregatitë gjatë formimit shpirtnor qi na kanë dhanë
kur ishim të rí, nuk na kanë lanë të papregatitun. Ishin të pregatitun ata për vedi,
e na pregatitën edhe né, në mënyrë qi të mund t’i rezistojshim një persekucjoni antikatolik,
persekucjonit fetar në Shqipni.
Don Davidi: - Pater Zef, gjithë
këto paralajmime, veç Kordinjanos, i kanë bâ edhe meshtarë të tjerë, priftën e rregulltarë
jezuitë e françeskanë, të cilët e parafolën ketë të zezë, ketë rrebesh kaq të rrebtë:
Ju mendoni se populli shqiptar do të kishte mujtë me e shmangë komunizmin, apo duhet
ta konsiderojmë si pasojë të ndikimit të disa faktorëve, që e sollën këtë lloj regjimi
në mënyrë të pashmangshme?
Pater Zefi: - Ishte rrjedhë e logjikë
historike. Nuk mund të shmangej. Për me hi prej një mbrapambetje, nuk po thom feudale,
se do të ishte tepër e përparueme, por prej një mbrapambetje shekullore, në shekullin
XX, qi ishte mâ i përparuemi i shekujve, duhej një hap jo i zakonshëm përpara. Hapi
duhej të ishte revolucionar, sepse revolucionet i pershpejtojnë punët. Gjithkund,
veç te na jo! Te na revolucioni, në vend qi me i pershpejtue punët, me i kapercye
epokat historike me një hap të vetëm, i zmbrapi epokat. Na ktheu mbrapshtë. Sepse
hapi mund të bâhet para, por mund të bâhet edhe mbrapa. Mjerisht ashtu ndodhi në
Shqipni.
Don Davidi: - E megjithatë, në atë periudhë kur paralajmohej
e kur çfaqej komunizmi, kur e qitëte kryet kadalë-kadalë, kemë pasë njerëz, personalitete
me nivel ndërkombëtar, botnor, me një mendje të mprehtë, me një largpamësi të jashtzakonshme,
apo jo?
Pater Zefi: - Asokohet mund të thom se në Shqipni intelektualët
mâ të mëdhaj ishin klerikë katolikë. Nuk asht nevoja me i përmendë. Mjafton me kujtue
se çdo famullitar – çdo famullitar, ishte shumë mâ i pregatitun se një profesor i
soçëm. Klerikët katolikë kishin po atë kulturë, qi kishte Evropa, kryesisht Evropa
qëndrore, Austria. E kultura austriake ishte shumë e balancueme. Ndërsa mbas Luftës
I Botnore, studentët shqiptarë nisën me shkue e me studiue edhe në Francë e në Italí,
ku sundojshin idetë antiklerikale e antifetare, që kishin mbî nga Revolucioni Freng.
Qysh këtu nisi të parashikohej ardhja e komunizmit në Shqipní. E kjo, jo pse studentët
shqiptarë në përendim ishin djelm të këqij; jo, ishin djelm të mirë, por me ato gjykimet
e tyne djaloshare, kur kthejshin në Shqipní e e shihshin vendin aq të mbrapambetun,
mendojshin me i kalue epokat me nji hap; por a kapërcehen epokat me nji hap?!
Don
Davidi: - Jo, nuk âsht e mujtun, sepse kush e bân hapin tepër të gjatë, në një
shteg me gropa...
Pater Zefi: - ... bjen mrendë. E ashtu edhe ndodhi.
Ata kishin vullndet të mirë, por nuk e kuptuen çka ishte në të vërtetë komunizmi.
Komunizmi asht idé e bukur në teori, asht dishira me i bâ gjith njerëzit të barabartë,
të bashkuem. Ide shumë të bukura. Por vjen puna qi partitë e sidomos përfaqësuesit
e naltë të tyne, kanë ide krejtësisht të tjera. E kështu, peshkaqejt e mëdhaj, që
drejtojshin komunizmin, i gllabëruen të gjithë peshqit e vogjël, pikërisht ata qi
luftuen e diqën për nji të ardhme vertetë të lumtun të njerëzimit, siç ishte djelmnia
komuniste e asaj kohe. Don Davidi: - Pater Zef, tue ju falënderue për ketë
bisedë atnore, vëllaznore, të përzemërt, më duhet t’ju kthej mbrapa e t’ju lutem
të na pikturoni kuadrin e situatës shoqnore-politike-kishtare që i parapriu komunizmit
dhe e bâni të mujtun fitoren e tij në Shqipni e në gjysën e botës.... Pse, për shembull,
Imzot Noli dështoi si qeveritar....?
Pater Zefi: - Imzot Noli dështoi
si qeveritar, pse nuk ishte njeri i politikës. Mjerisht në Shqipni nuk ka pasë kurr
njerëz të politikës. I vetmi qi mund të thomi se kishte pregatitje politike, ishte
Luigj Gurakuqi, i vetmi njeri i vërtetë i politikës qi ka pasë Shqipnia. Të tjerët
ishin përfaqësues të një politike së huej. Turkhan Pasha, Ismail Qemal Vlora ishin
poltikanë të njoftun, por përfaqësues të perandorisë turke, të një kohe së kalueme;
prandej nuk mund ta përfaqësojshin Shqipninë si vend i lirë, indipendent, i pamvarun.
Asht e vërtetë se u takoi atyne me e çpallë e me e bâ, por nuk mund të përfaqësojshin
një klasë politike ose nji grup politik të pregatitun, me idè krejtësisht shqiptare.
Një klasë apo një grup i tillë nuk ekzistonte. E ndër ta ishte edhe Fan Noli, qi ishte
i aftë për pendë, por jo për politikë.
Don Davidi: - Don me thânë
edhe pamvarësia, çlirimi nga pushtimi shumshekullor turk, e gjet popullin të papregatitun,
në kllapí...
Pater Zefi: - Shikjo, e ka thane tjetër kush para mejet,
e ka thanë Faik Konica, qi Shqipninë e krijuen idealistat, patriotë e idealista; politikanët
e shkatërruen....
Don Davidi: - e populli e vuen... Pater
Zefi: - Sigurisht!
Don Davidi: - Kur ju shikjon njeriu kështu,
veshë me zhgun të Shën Françeskut, Shejtit që i solli lulëzimin pranveror Kishës universale
në një çast aq kritik të historisë së saj, e kam fjalën për Kishën botnore, i kujtoni
medoemos historinë mijavjeçare të krishtenimit në Shqipni. Dihet se feja e krishtenë
ndër shqiptarë nisë qysh kur Shën Pali e Shën Andreu shkelën në këto treva, tue i
hapë kështu rrugën një tradite të lumnueshme, tepër të lashtë. Thue mund të mendojmë
se shqiptarët, pikërisht në çastet mâ kritike të historisë së tyne, i ranë mohit këtij
burimi, u larguen prej tij, për të rravgue larg, apo edhe në ketë rasë qemë viktima
të politikës së atyne që janë mâ të mëdhaj se na, e kam fjalën për perandoritë që
sunduen botën , për perandorinë romake, bizantine e ottomane.
Pater
Zefi: - Eeee... mjerisht këtu qindron e keqja historike e popullit tonë, pse përpara
jemë kenë si gjith popujt tjerë, por kur u ndá Perandoria Romake, na u gjetëm të dám
dysh mbrenda kësaj Perandorie. Veriu me Romën, pra me okçidentin, ndërsá Durrsi, që
kje kufini krysor i vijës së Theodosit e pjesa tjetër, i mbetën Perandorisë Bizantine.
Populli – i cili asokohe nuk ishte endè popull shqiptar, siç i thomë sot, asokohe
fise ilire, prej kah kemë rrjedhë, u gjet në nji situacion aq të vështirë historik
sa mâ s’ka, situatë lufte, që nuk pushoi kurr mbrenda kufijve tonë. Luftat i luftojshin
të mëdhajt ndërmjet vetit, po shqelmat e tyne i hajshim na, i báte ky popull. E kështu
u formue kultura e mosbesimit. Shqiptari e hupi shpresën në njanën e në tjetrën palë.
Nisi mos me i besue mâ kurrkuj. E kështu edhe kultura pësoi dame të pariparueshme,
sepse lufta bjen me vedi gjithmonë rrenim, bjen shkatërrim, e jo vetëm shkatërrim
material, por edhe moral, e sidomos kulturor.
Don Davidi: - Ç’kuptim
kanë për ju përndjekjet, martirizimi? Sa vjet keni kalue ndër burgje e kampe përqëndrimi?
Pater
Zefi: - Sa vjet? Vjet thue? Kam kalue tanë jetën.... qysh në riní, d.m.th. qysh
kur kam kenë 20 vjeç, sepse pikërisht kur ishem në ketë moshë, në Shqipní hynë komunistat.
Filloi atëherë jeta e burgut, e vijoi derisa u bâna 65 vjeç, kur u lirova. Por nuk
asht se kam vuejtë vetëm unë: vuejtjet e mia janë një pjesë fort e vogël e vuejtjeve
të mëdhá, të papërshkrueshme të mbarë popullit shqiptar. Burgjet e kampet e përqëndrimit
janë kenë si dordoleci në arë, për me trembë sorrat; njashtu janë kenë kampet e burgjet,
ku janë grumbullue njerëz pa faj pa mëkat, thjeshtë për mos me e lanë rahat pjesën
e ashtuquejtun të lirë të populli, por me i thanë: “Kqyr, a e sheh sa keq asht ai?
Njashtu ta bâj edhe ty, në kje se të shkon mendja me hapë gojën e me çilë zanin, e
aq mâ keq, në kje se të shkon mendja me kalue edhe në veprim. Por populli ka vuejtë
në njëmijë mënyra, sepse ka burg mbi burg. Tanë populli, mbrendë e jashtë, ishte në
burg.
Don Davidi: - E cila asht domethânja e martirizimit - e vuejtjes
me e pa kuptim? Sepse në sa në vetvete asht krejt pa kuptim, nuk asht aspak pa kuptim
për ata që kanë pësue për hatër të Krishtit a të etjes për liri e demokraci njerëzore
e shoqnore....
Pater Zefi: - Shikjo, e thaçë edhe nji herë qi jeta
nuk ka veshtrim pa vuejtje. Edhe ai qi mendon se asht mirë, mirë, mirë, krejt mirë,
edhe në kjoftë se s’i mungon asgja materiale, asht vetë jeta që nuk e lên rahat, sepse
ka vuejtjet e grindjet e veta të mbrendshme. Njeriut i shamatohen trutë mbrenda vedit,
jo mâ kur krijon familje e kur asht në shoqni me të tjerë. Vuejtja asht e pashmangshme
në jetë, por varet si i konsideron vuajtjet, si i bán vuejtjet, kuj ia kushton vuejtjet....
na i quejmë flijim, se vuejtjet janë flije. Në kjoftë se na këto flije ia kushtojmë
Zotit edhe i bájmë për hater të Tij e i ktehjmë në flije shpirtnore, atëherë báhen
shumë mâ kollaj e kthehen në shpëtimtare si për atë qi vuen e, ishalla edhe për të
tjerët. Mue, gjatë jetës së burgut, më kanë takue shum rasa kur, ndër tortura, s’kishem
çka me bâ tjetër, veç me i lypë ndihmë Zotit, me e lutë, tue thanë: “Aman, më pështo!”.
E më ka ndodhë në një rasë që ai, i cili po më torturonte, më tha: “Çka je kah i
lot buzët? Po lutesh, a?” . “Po – i përgjegja – tue lutë Zotin jam! Jam tue iu lutë
qi ta shndrisin menden mos me më rrahë mâ”. Edhe ai stepej përpara kësaj gjendje,
përpara buzëve që lëvizshin pa fjalë… përpara uratës së shqiptohej pa zâ. Vuejtje
ishte, por mvaret… Dikush disprohet e des mbrendë e barabar prej vuejtjes nuk pështon,
dikush tjetër e bán për hater të Zotit. E kjo na ka ndodhë në përgjithësi né, të gjithë
klerikëve katolikë. Jemë kenë të formuem kështu!
Don Davidi: - Ju
në librat “Rrno vetëm për me tregue”, e në libra tjerë, i përshkrueni pikërisht këto
vuejtje, tue dënue të keqen por, e kjo t, bân me të vërtetë përshtypje, tue mos urrye
askend, madje tue i falë autorët…
Pater Zefi: - Kur i kam shkrue
këto libra, nuk kam dashtë me bâ letërsi. I kam shkrue që mos të harrohet, mos të
harrohet - po e përsëris – çka kemi hjekë, jo vetëm na, por gjithë populli shqiptar.
Në kje se Vëllimi I kujton krysisht vuejtjet e klerit katolik e të nji pjese të intelektualëve,
Vëllimi II asht për të gjithë Shqipninë, e cila quhej e lirë, por e lirë nuk ishte.
Në sa Pjesa III përfshin vuejtjet e burgut jo vetëm të mijat, por të shumkuj, madje
mâ shumë të tjerëve. Qellimi i tyne asht kryesisht historik, për me kundërshtue historinë
krejt rrenacake, krejt gënjeshtare qi asht shkrue gjatë këtyne 50-vjetëve. E mjerisht,
mjerisht, tue kenë se burgjet e vuejtjet ishin të panjoftuna, jo prej shumkuj, por
gati prej gjithkuj, njerëzit i kanë besue asaj historisë idilike, qi asht shkrue,
aq sa po të kallxoj nji gjâsend. Më ka takue, mbas ’90-ës e këndej, me ndeshë nji
vajzë në tren, në sa udhëtojshe nëpër Itali. Ishte prej Lancianos. Babën e kishte
tregtar të madh. Jo thjeshtë tregtar, por mâ tepër industrialist. Më thotë vajza,
në sa treni përshkonte udhët e Italisë: “Në kohëne komunizmit mediat aq të mirë e
paraqitshin gjendjen e Shqipnisë, sa si baba i em, ashtu edhe unë e tanë familja,
bâmë kërkesë me shkue në Shqipni. Shyqyr që s’na kenka dhânë leja se vetëm tash e
kuptuem ku e paskemi pasë ndër mend me u mbytë. Vetëm tash, pra, e morëm vesht cila
ishte e vërteta”. Prandej i kam shkrue këto libra. Jo se kam pasë qellim me denue
kend, pse kurrkend nuk kam dënue; asht kenë nji fatkeqësi e madhe e popullit shqiptar.
Madje fatkeqësi mund ta qyejmë edhe për ata që kanë pasë detyrën e torturuesit, për
ata që kanë martirizue vëllazënt e vet shqiptarë. Nuk më duket zanat fort i kandshëm
ai i njeriut që rjep lëkura njerëzore. Prandej nuk kam urrye kurr e kurrkend…
Don
Davidi: - Ka pasë një ças vendimtar për Kishën – e âsht ai i përpjekjeve të komunistave
për krijimin e Kishës kombëtare, për shkëputjen e Kishës katolike nga Selia e Shën
Pjetrit.Ç’ju kujtojnë këto çase e cili ishte reagimi i Kishës?
Pater
Zefi: - I kujtoj ato çase, si të kishin ndodhë dje. Edhe Enver Hoxha i ka përmendë
ndër fjalimet e veta... takimet që ka kërkue qysh në fillim me Monsinjor Gjinin, me
Monsinjor Prennushin... i kujtoj, sepse mundohej me bashkëpunue, në se mund t’ia delte
me e realizue këtë bashkëpunim. Por, a mund të ketë bashkëpunim ndërmjet fesë e ateizmit?
Kjo asht krejt e pamujtun. Kleri katolik nuk mund të pranonte me u bâ vegël e hueja,
aq mâ tepër kur ishte fjala me u bâ vegël në duert e anmiqve të fesë. Ky asht qendrimi
i përhershëm i Kishës katolike. U bane shumë përpjekje, shumë bisedime, që vazhduen
me vjet e vjet, por kleri katolik nuk lëshoi kurr pê. U mërrijt te ajo, qi mandej
u quejt Kishë nacionale, qi u trumbetue aq tepër prej propagandës komuniste e prej
atyne qi nuk i dinë punët e mbrendshme. E verteta asht se kje nji marrveshtje e mbrendshme
qi të firmohej ai statut vetëm sa për sy e faqe, për mediat, por në të vertetë marrëdhanjet
me Vatikanin siguroheshin nëpermjet vetë organeve shtetnore… Ipeshkvit të vetëm qi
kishte mbetë në Shqipni, Imzot Bernardin Shllakut, i erdh letra prej qeverisë, por
nuk ndigjoi me e firmue; e jo vetëm ai, por as klerikët tjerë nuk ndigjuen me vú firmë,
pa u sigurue mâ pare për marrëdhanjet me Vatikanin…. E kjenë sigurue, mandej firmosen.
Don
Davidi: - Don me thanë këtu kemi një lloj kompromisi për me shpëtue si njenën
pale, ashtu edhe tjetrën….
Pater Zefi: - Po, njënën e tjetrën palë.
Marrëveshtja ishte e mshehtë, siç janë gjatë historisë shumë marrëveshtje sekrete.
Madje komunistët u penduen që e bânë këtë marrëveshtje me Kishën katolike, sepse qysh
në atë ditë, për 15 vjet rresht, Kisha katolike, qi kishte mërrijtë në grahmat e fundit,
filloi me u pëtrî, me e marrë vedin me forca të veta, don me thanë me forcat e popullit
besimtar. Kurr nuk asht ndihmue Kisha prej popullit të vorfën, sa në periudhën prej
vjetës 1950 deri në vjetën 1967. Ata 17 vjet Kisha erdh tue e marrë vedin, u rindërtue
edhe me kler, pamvarësisht se ishte i mbyllun e i ndaluem seminari, fidanishta e meshtarëve.
Prap se prap Zoti i dha fuqi përparimit, i dha guxim Kishës me ecë përpara në kohnat
mâ të vështira që ka mujtë me pasë Kisha, e kjo punë i terboi edhe mâ tepër komunistat
dhe vendosën shkatërrimin e plotë të fesë.
Don Davidi: - E perskutimi
komunist filloi të sulmonte njerëzit mâ të spikatun, prijësit, barijtë, trunin....
Pater
Zefi: - Ashtu filloi persekutimi. Fillimi i persekutimeve gjithmonë kapë në fillim
krenat, fillon prej nalt, për t’u ulë poshtë. Mandej, prej ’67-tës e mbrapa, kur u
ndalue krejtësisht feja e Kisha në Shqipni, atëherë nis me marrë mbarë, aq sa mund
të thomi se nuk pështoi kurrkush prej klerit katolik pa hy në burg. Mund të kenë
pështue dy-tre vetë, e edhe ata sepse ishin të sëmuet, pse nuk paraqtshin kurrfarë
rreziku imagjinar për qeverinë, po sa për të tjerët, të gjithë kemi kalue nëpër burgje....
Don
Davidi: - E çka mendoni ju se mund të mësojnë brezat e ri prej gjithë këtij rrebeshi,
që të mos shkojë dâm e mira e të mos përsëritet mâ kurr e keqja.... ?
Pater
Zefi: - Tashti termeqet nuk mund t’i parashohë kurrkush se kah vijnë e tek vijnë
e sa ballsh kanë me kenë, kur të vijnë.... këto i ka jeta... por do të mësojmë prej
tyne se si me i bájtë me durim e me vendosmëni. Ka randësí sidomos mos me i luejtë
kurr parimet. Mjerisht – tue kenë njerëz - ndoshta gabime të vogla, të parandësishme,
edhe mund të bâhen, por pa damtue idenë.
Don Davidi: - Si thotë
fjala e urtë: “Me mëkatnue asht njerëzore, me qindrue në mëkat asht djallëzore.
Pater
Zefi: - Tashti: a asht kenë kleri katolik në naltësinë e duhun; a ka pasë ndonji
qi nuk mujt me qindrue – e sot ketë po mundohen me e gjetë, tue vû gishtin ku munden
e tue thanë jo kje ky e jo kje ai. Puna asht se jo të gjith njerëzit munden me kenë
heroj e me dekë si heroj. Mund të jetë bâ edhe ndonji gabim. Por duhet të kemi parasysh
qi edhe Krishtit, qi asht Zot, në shoqninë prej 12 vetësh qi pati, nji i ka dalë trathtar.
Por tue kqyrë proporcionet prej 200 vetësh, qi përbajshin klerin katolik, ndonji qi
ka gabue nuk çon peshë aspak. Ndërsa fesë nuk i rá mohit kurrkush. Ndoshta ndokush
gaboi, ndoshta nënshkroi ndoj gjâ send, që sot dënohet, por, ka pasë thanë Nastradini:
ai qi nuk asht rrxue prej fikut, mos të vijë me më pá”. Ata qi mund të kenë nënshkrue,
e kanë bâ ketë prej torturave të padurueshme, shumë mâ të zeza se ramja prej fikut....
Don Davidi: - Tue kujtue gjithë atë veprimtari për “Fé e Atdhé”
që zhvilloi kleri, e sidomos zhguni françeskan, nuk mund të mos kemi dishirë ta ndigjojmë,
shkurtimisht, mendimin tuej për kontributin e Kishës katolike në fushën e kulturës
e, sidomos, në atë të zgjimit të vetëdijes kombëtare....
Pater Zefi:
- Tashti me folë për françeskanët e për verpimtarinë e tyne, duhet me e pa këtë
veprimtari në tanë botën, sepse Urdhni i themluem prej Sh’Françeskut, me idé thellësisht
popullore, gjindet kudo në botë. Urdhni ka si idé kryesore vorfninë, tue zhdukë kështu
atë që sot kishte me kenë pasioni themelor: dishirin për pasuní. Ideja e pasunisë
zhduket. Vendin e saj e xên ndjenja mâ fisnike që ka njoftë ndonjiherë njeriut: dashunia.
Dashunia për Zotin në radhë të parë. E kur të kesh dashuni për Zotin, do të kesh edhe
për të gjitha kreatyrët tjera, pa dallim. Si je mësue me dashtë Zotin, nisë e ndien
dashuni edhe për lule, për shpend, për shtasë... e aq mâ tepër për njeriun. Kjo âsht
karakteristika kryesore e françeskanizmit në botë. Mirë po, tue punue për me e edukue
njeriun me ketë dashuni, nuk kem dallue as trima as frikacakë, as pasanikë as të vorfën,
as të dijshëm as të padijshëm. Prej këndej edhe dashunia për Atdhé e binomi “Fé-Atdhé”,
që don me thânë me punue për Zotin e për popullin. Â’ kenë nji kohë kur françeskanët
shqiptarë janë kenë aq të paktë, aq të paktë, sa nuk ia kanë mërrijtë me i përhapë
idetë e dashunisë së Zotit. Kanë ardhë, atëherë, misionarë të huej, qi kanë pasë një
karakteristikë të veçantë: janë bâ të popullit, ku kanë shkue; janë mishnue me popull,
për me e çue te Zoti, e ka ardhë prej vedit qi edhe ata kanë punue për ketë popull,
për me i dhanë kulturë, dashuni, gjithçka kanë mujtë.
Don Davidi:
- Cili ka qenë roli i revistave të mirënjoftuna “Hylli i Dritës” e “L.E.K.A.”, në
këtë përpjekje për të rrezatue dashuni e kulturë. Mjerisht sot nuk i kemi mâ këto
dy revista, me tipare të ndryshme, por me qellime të njajta, të cilat do të jepshin
të njajtën ndihmesë edhe sot, kur ka aq shumë nevojë pikërisht për dashuni e për kulturë...
Pater
Zefi: - Kleri katolik, tue mendue për Zotin, ka mendue për popullin, ka punue
me e marrë e me e çue te Zoti. Vështirësia mâ e madhe si për klerin shqiptar, ashtu
edhe për misionarët e huej, ka kenë se populli ishte tepër i padijshëm, i pashkollë.
E ky popull i padijshem e i pakurrfarë shkollet kishte vetëm kulturën gojore të veten
e dhantitë natyrore, qi ia kishte falë Zoti. Ta pret mendja se malet e fushat, qi
nuk e kanë lodhë fort menden, mund të epshin edhe xheni të mëdhaj, siç edhe dhanë
në të vërtetë. Prandej edhe kleri i dha randësi të madhe shkollave. Thonë se shkolla
e parë në Shqipni kje hapë me 1887. Po shkollat shqipe na i gjejmë ç’prej vjetës 1680,
madje të organizueme si s’ka mâ mirë prej misionarëve. Në sa në shkollën françeskane
dihet mirë se mësohej në gjuhë shqipe qysh me 1861. Nuk quheshin shkolla kombëtare,
pse mbaheshin prej klerit katolik, por në të vertetë ishin kombëtare, e këtë e tregon
fakti se kjenë ato që formuen njerëzit e kombit. E edhe tashti, kleri katolik duhet
me i dhânë randësinë mâ të madhen kulturës, sepse kultura asht nji gjâ e perbashkët
për të gjitha besimet e për të gjitha shtresat e kështu, tue kulturue popullin, e
çojmë mâ afër Zotit, pikërisht me anë të kulturës. Për njatë qëllim u zhvillue shtypi,
u çilën shkollat, u botuen libra e revista... Deri me 1944, kur erdhën komunistat,
Kisha katolike ka pasë njaqë shkolla, sa ka pasë shteti shqiptar. Atëherë kleri katolik
kishte peshë politike e randësi të madhe.
Don Davidi: - Po e përsëris
prap pyetjen: ç’ vend kishin ndërmjet këtyre përpjekjeve “Hylli i Dritës” e “L.E.K.A.”?
Pater
Zefi: - Tashti secili ka punue në të njajtin drejtim, por me mundësitë e veta.
Kur flasim për revistat e klerit katolik, duhet të kujtojmë se e para revistë kulturore
âsht “Elçija e Zemrës së Krishtit”, qi doli shumë mâ parë se “Hylli i Dritës”- 50-vjet
përpara, por ishte revistë fetare, me përmbajtje vetëm fetare e shpirtënore, ndërsa
e para revistë kulturore kje “Hylli i Dritës”.
Don Davidi: - Me
një fjalë “Hylli i Dritës” ka luejtë rolin e Doktrinës Shoqnore të Kishës, që sot
Papa Gjon Pali II e nënvizon me forcë...
Pater Zefi: - Nuk asht
se na i kena prî Papës, por Kisha katolike kulturën e ka pasë gjithmonë në qëndër
të vemendjes. Ka luftue me anë të kulturës, qysh në kohën e të krishtenëve të parë,
për me vijue në kohë të mjesme... tashti koha e mjesme akuzohet si koha mâ obskurantiste
e historisë. Por kjo asht krejtësisht e pavertetë. Në atë kohë janë filozofët mâ të
mëdhaj, katedralet mâ të mëdhá, mâ të bukurat, mërrijtën kulmet të tana artet e shkencat
humane. Në sa shkencat ekzakte përparuen mâ vonë, por nuk duhet harrue se në Hanë
e në Mars njerëzit po shkojnë tue u nisë shi nga ato kalkulime qi kjenë bâ qysh në
atë kohë.
Don Davidi: - Pater Zef, folëm pak për Kishën, pak për kulturën,
pak për françeskanizmin. Ju keni punue e punoni për të ardhmen e vendit e të Kishës.
Posaçërisht me dërgimin e të rinjve jashtë për të studiue, me shpresën se do të kthehen
në Atdhé e të punojnë për të mirën e popullit. Ç’mendoni për politikën shqiptare e
për politikanët? Mendoni se kemi politikanë të vërtetë, me nivel?
Pater
Zefi: - Kjo âsht e meta mâ e madhae e historisë së këtij populli. Të thashë edhe
përpara: na jemë çpallë shtet në vedi, pa i pasë njerëzit që ta drejtojnë, pse zakonisht
shtete i drejton politika, popujt i drejtojnë njerëzit e politikës; janë ata që e
japin drejtimin, porse njerëzit e politkës janë pak a shum të pregatitun, duhet të
jenë kështu. Ndërsa në Shqipni asht krijue mendimi feudal se ai që ka politikën, ka
gjithçkafen në dorë, se politika asht burim fitimit. Shqiptari endè s’e ka kuptue
se politika asht shërbim e jo fitim. Vetëm kur të vijnë ata njerëz që kanë me e kuptue
se politika asht shërbim, atëherë, po, mund të shpresojmë.... Ti merre fjalën ministër.
Po ta përkthejmë, don me thanë shërbëtuer; po te na ka kuptimin sundimtar, që don
me thanë gërryes. Asht i pari mendim që duhet ndërrue. Nuk asht aspak e lehtë, por
kadalë –kadalë... Tashti po bâhen 100 vjet që jemë të pamvarun – 100 vjetori i Pamvarsisë
do të kremtohet në vjetën 2012 - por endè s’kemë mërrijtë me formue shtet! Kjo âsht
fatkeqësia mâ e madhe e këtij populli. Mbas njiqind vjetësh, alá s’ka shtet të vërtetë.
Jemi pa dritë, pa rrugë, jemi pa ujë, pa gjithçka.
Don Davidi: -
Pater Zef, e Kisha, në këtë situatë të vështirë shoqërore, ekonomike e politike, me
gjithë mungesën e infrastrukturave, mundohet me bâ çka mund të bâhet, apo jo?
Pater
Zefi: - Kam pasë dhânë nji intervistë në revistën “Jezus” para disa vjetsh. Me
njata mendime qi kam kenë atëherë, me njato jam edhe sot. Më pat pvetë ai kryeredaktori
i revistës e më pat thanë: “Po Kisha katolike si asht në Shqipní? I thaçë: “Ajo anije
s’ka zbarkue në brigjet tona”. Si – tha - po unë kam ato, statistikat. Janë ma se
njiqind priftën, njiqind mungesha. - Po, more, po – i thashë –janë, janë… Ka, si priftën,
ashtu edhe mungesha – por nuk e di a janë mâ tepër degë e Kryqit të Kuq, apo njerëz
të Kishës, qyshsè kanë hapë ambulanca e merren mâ teper me punë qi i takojnë Kryqit
të Kuq. Na në Shqipni kemi nevojë mâ tepër për mend, për trû, ata vijnë e na bâjnë
injicjone, po injicjonet nuk na i shëndoshin trutë. Kisha misjonin e vet e kryen ndër
shkolla nëpërmjet kulturës e jo tue dá pako, ndihma ushqimore.... Nuk po thom se asht
gjâ e keqe; asht gjâ e mirë, por qi ndihmon vetëm trupin, në sa menden e shpirtin
pak i ndihmon. Mjerisht edhe sot na kemi nji fatkeqësi të madhe se s’kemi klerin shqiptar
të mjaftueshëm. Ashti ai qi e din se ku i dhemb e ku i djeg shqiptarit, qi ia njeh
të metat e të mirat. Mjerisht klerikët e vjetër shqiptarë u shuen, ose nuk janë mâ
në gjendje për punë. Mosha bân punën e vet. Kështu Kisha mbet në duer të të ardhunve.
E ata që erdhen, erdhen me ‘i farë mendimi se po krijojnë Kishën. Menduen se këtu
ishte vend-bosh. Harruen se Kisha në ketë vend asht qysh në kohë të Sh’Palit. Menduen
se po vijnë si misionarë me hjedhë themelet e Kishës së re. Këtu asht e meta e Kishës
katolike në Shqipní të soçme, e cila nuk ka marrë para syshë kurrgjâ çka asht kenë
e prandej edhe asht pa themele.
Don Davidi: - Sidokjoftë, shenjat premtuese
nuk mungojnë, e nuk mund të mohohet se asht bâ një punë e madhe.....
Pater
Zefi: - Âsht bâ punë e madhe; sidomos janë bâ kishat, kuvendet, ndertesat, e edhe
shkolla janë hapë, por jo aq shum sa duhet, sepse edhe populli katolik, në krahasim
me çka asht kenë, asht shumue, pse asht shumue populli në përgjithësi. Atëherë a’
kenë folë për një qind mijë katolikë, sot sigurisht katolikët nuk janë nën 500 mijë.
Por në kjoftë se atëherë janë kenë njëqind shkolla, sot duhen me kenë 500. Pra kjo
asht e meta kryesore e Kishës katolike në Shqipni: nuk i përgjigjet nevojave të kohës,
sidomos në çashtjen e kulturës. Për kah kishat, janë mâ të mira se ç’janë kenë, kuvendet
e famullitë janë mâ të mira se ç’janë kenë, por janë të gjitha punë materiale.
Don
Davidi: - Nji prej sfidave që duhet të përballojë sot Kisha në Shqipni, asht edhe
takimi ndërmjet zonave të ndryshme, banorëve që lëvizin nga krahinat e ndryshme, që
dynden drejt zonave fushore, sidomos drejt qytetve...... kjo zhvendosje mund të krijojë
shqetësime, por mund të jetë edhe pasuri, po të shfrytëzohet si duhet....
Pater
Zefi: - Asht pasuni e paçmueshme, persè qytetet përtrihen me gjak të ri, me një
gjak shumë të fuqishem, në kjoftë se ka kush i edukon, kush i drejton. Por në kjoftë
se ne, klerikët, nuk i vêmë detyrë vedit me i marrë këta njerëz e me i çue te Zoti,
ka me dalë tjetërkush qi, për së shpejti, ka me i çue te djalli. Prandej duhet me
gjetë metodën, se si me i çue këta njerëz te Zoti. Kisha vetëm nuk mund t’ia dalin.
Sot janë mediat....
Don Davidi: - Ju keni mendimet tueja për metodat:
doni, për shembull, të krijoni një radio me vlerë, qi të punojë pikërisht për edukimin
e krishtenë, por kjo deri tash ka mbetë vetëm dishirë... të cilën urojmë ta realizoni
sa mâ shpejt...
Pater Zefi: - Ishalla ka me u realizue. Mjetet m’i
kanë dhurue qysh në vjetin 1991-92. Sigurisht qi ato janë plakë, se këto mjetet po
dalin përherë e mâ të reja. Por sidokjoftë, munden me shërbye si bazë. Mjerisht ai
plan i emi nuk u kuptue pse – si i thonë nji fjale – si të kruen dora jote, nuk të
kruen e kurrkuja – misioinarët nuk i dinë nevojat e verteta: janë misionarë të mirë
– nuk mund të flas keq për kurrnji – kanë punue përtej fuqive të veta e me flijime
të mëdha, por gjithsesi nuk e dinë se ku na dhemb e ku na djeg.
Don
Davidi: - Ju mendoni gjithnjë për kohën tuej, kur Kishën e drejtojshin personalitete
të fuqishme shqiptare. Ju i keni njoftë, madje keni jetue e bashkëpunue me disa prej
tyne, tue kenë i zgjedhun me punue në arkivin françeskan prej vetë Pater Palit, provinçalit
të parë shqiptar të Provinçës së Zojës Nunciatë. E dimë se arkivi i vjetër u grabit
prej komunistave, por dimë edhe se sot fretënt kanë një arkiv e një bibliotekë të
pasun, krijue e ruejtë falë zellit e kujdesit të fretënve mergimtarë: Pater Daniel
Gjeçajt, Pater Jak Marlekajt e Pater Paulin Margjokajt, të cilët punuen me pasion
për të vû në vend gjithçka ishte shkatërrue. E gjithë këto vlera ruhen tashti në Bibliotekën
e re të fretënve në Gjuhadol...
Pater Zefi: - Kam kenë i ri fort,
kur kam punue në arkiv, tue kenë se në atë kohë të vështirë, nuk kishte asnji tjetër
qi mund të punonte. Kjo më ka ndihmue me njoftë për së afërmi vepra të mëdha të françeskanëve
e të Kishës katolike. Mjerisht pjesa ma e madhe asht zhdukë faret; pjesa qi ka teprue,
asht në dorë të shtetit. S’ka gja! Mjaft qi mos të hupin e të jenë të hapuna për studime,
pse arkivat e bibliotekat janë për të gjith njerëzit, për ata që duen me dijtë të
vërtetën si a’ kenë, pamvarsisht se në arkiva e vërteta nuk del kurr. Në arkiv gjen
gjithçka, por jo të vertetën. Historia mund të shkrueht ma mirë tue u nisë nga letrat
personale, jo nga letrat zyrtare, se kur shkruen njeri nji letër zyrtare, mundohet
me e mshehë të vertetën, ose, së paku, me e ndryshue. Në arkiv, pra, gjen gjithçka,
të mira e të këqija, gjen paditë e njanit e të tjetrit, gjen rrena sa të duesh, por
nuk don me thanë se tue shfrytëzue arkivin, shkrove nji histori të vertetë. Megjithatë
arkivat janë të randësishme për me njoftë jetën e kalueme të popullit shqiptar, të
klerit, të Kishës, Unë kam pasë fatin me njoftë shum personalitete të mëdhá të katoliçizmit
në Shqipni: Pater Anton Harapin, Pater Pal Dodën, Pater Frano Kirin…. kam njoftë edhe
Pater Gjergjin, ndonëse krejt i vogël; kam njoftë edhe të afërm të tij. Jam përpjekë
me shkrue diçka për ta. Kam shkrue “Françeskanët e mëdhaj”. Vepra qi kanë bâ fretent
e mërguem, Pater Daniel Gjeçaj, Pater Jak Marlekaj, Pater Paulin Margjokaj, asht nji
vepër heroike, krye krejet pse nuk u asht ligshtue zemra, nuk e kanë hupë besimin
në ditën e kthimit të Kishës, të Urdhnit, kanë jetue gjithnji me shpresë, ashtu si
thotë Bibla për Abramin “Contra spem, speravit” – “”Kundra shpresës – shpresuen!”.
Pra vijuen me pune me bindjen se feja s’ka me mbarue kurr. Kështu ruejtën për të nesërmen
– don me thanë për të soçmen , së cilës ata i kanë thanë e nesermja – gjithë këtë
pasuni. Por të soçmes nuk ia mërrijën. Kështu, falë shpresës dhe punës së tyne, na
sot kemi nji arkiv të mirë, që tue mbledhë libra, filma, fotokopje ka me vijue e me
u pasunue përherë e mâ teper...
Don Davidi: - Përmendët mâ parë
arkivin shtetnor. E di se në këtë arkiv ka shumë dokumente të rrëmbyeme prej arkivave
të jezuitëve, të fretënve, prej zyrave famullitare…; mandej vepra të randësishme,
që mbahen ndrŷ e që, mendoj, se meritojnë me pá dritën….
Pater Zefi:
- Kjo nuk më duket gjâ e keqe, sepse me mbajtë nji arkiv, duhet me pasë kushte
teknike, sot për sot të jashtzakonshme, pse letra asht letër e pergamena-pergamenë:
prishen vedit; koha bân punën e vet, mikrobet të veten… Unë jam sjellë shum nëpër
arkiva, jam interesue teper për me dijtë çka ka aty e per me xjerrë edhe ndoj send
prej tyne. Kam pá, prandej, se shteti ka krijue kushte me të vertetë të mira. Kështu
nuk kishem me dishrue që të dalin prej atij vend. Mendoj, veç, se duhet t’i jepet
mundësia me i konsultue, me i studiue e me i fotografue të gjith atyne, qi kanë nevojë
për këtë material. E kjo, thjeshtë sepse na, si Kishë e si provinçë, nuk kemi mërrijtë
alá me krijue konditat që ka shteti për me ruejtë letrat e pergamenat.
Don
Davidi: - Me që e kemi fjalën për arkivin, në arkiv të shtetit ruhen edhe Kodikët,
që kanë vlerë të jashtzakonshme. Mund t’i quej letërnjoftim për popullin shqiptar,
për Kishën shqiptare, të cilën e radhisin ndërmjet kishave mâ të mëdhá, mâ të vjetra,
mâ fisnike. Si i vlerësoni Ju këta kodikë: Kodikun e Beratit e të tjerët, ku gjinden
fragmente të ungjijve ndër mâ të vjetrit.
Pater Zefi: - Unë i kam
pasë studiue në kohën kur studiojshe teologjinë . I kam pasë njoftë të tanë: Codex
Aureus, Codex Rubles; Codex Anthimi, Codex Beratensis… Këta janë kenë të ruejtuna
në nji Kishë në Berat. Sot i ka në dorë shteti. E unë mendoj se asht tepër mirë qi
i ka shteti, përse ka mundësi me i ruejtë, në sa ndër né do të ishin damtue, siç paten
fillue me u damtue.
Don Davidi: - Sigurisht ruejtja asht punë e
mirë, por nuk mund të mos e quejmë fatkeqësi që këto Kodikë të mbeten të panjoftun
për nxanësit e shkollave, sepse askush s’e ka marrë mundim me i përfshi në programet
e tekstet shkollore…Në sa do të ishte mirë që pikërisht me to të niste studimi i traditës
kulturore shqiptare….
Pater Zefi: - Këtu asht e meta e madhe edhe
e Kishës. Nuk i ka kushtue kujdes kulturës, sa i ka kushtue infrastrukturës. Shkollat
qi janë hapë sot prej klerit katolik, janë hapë me programe shtetnore e me tekste
shtetnore. Atje alá vazhdojnë idetë komuniste, materialiste... Gjithçkafja asht e
rreme. Prandej shkollat qi të hapë Kisha katolike kishte me u dashtë të jenë shkolla
të veçanta, ku të mësohet kultura e vërtetë. Tekstet duhet të bâhen të reja, të gjitha.
Na duhet një kulturë me të vërtetë evropiane. Edhe s’kishe me i thanë mâ shkolla klerikale,
por Euroshkolla, që të bâhet mësim si kudo në Evropë.
Don Davidi: -
Po kalojmë te një argument tjetër, jo mâ me pak randësi: si i vlerëson populli shqiptar
martirët e vet. Kam parasysh këtë ças një thanje të shkrimtarit francez Albert Camus,
drejtue martirëve të vendit të vet: “Martirë, miqtë e mi. Duhet të zgjedhim: me u
harrue, me u përqeshë, me u bâ objekt tallje… ose me u kthye në vegla, për t’u kujtue....”
Pater
Zefi: - Martirë ka gjithfarësh: ka martirë të së mirës e të së keqes. Na kemë
Skanderbeun e Ballaban Pashen, të dy kanë kenë shqiptarë, e shqiptar ka kenë edhe
Haxhi Qamili. Dikush vjen e na thotë se Skanderbeu asht martir, por për një tjetër
martir asht Ballabani e madje edhe Haxhi Qamili. Atë e zgjedh njeriu vetë. Randësi
ka me zgjedhë figura të deja, për me ecë përpara. E figurat mâ të dejat janë martirët
e Kombit, të kulturës të fesë. A dishrojmë me kenë të harruem? Sigurisht këtë nuk
e dishrojmë; të përqeshun, të tallun? As këtë jo e jo. Vegla – për hir të kujtimit?
Këtë kishem me e dishrue. Kishem me dishrue të ishin vegla në duert e të mirëve, por
të mirët nuk përdorojnë vegla, pse ketë e quejnë servilizëm, korrupsion….As të tallun
nuk dishroj me kenë, por prap se prap edhe i talluni mbetë gjallë e del sado vonë
ndoj’ kritik me ia vû nderën në vend. Ma e keqja asht me kenë i harruem, qi don me
thanë me kenë i hjedhun. Vêne oroe në praktikë: don me xânë kos? Dom me xânë brumin
për bukë? Ta dish se as kosi as buka nuk xêhen pa tharm. Këtë kishem me dishrue un
per martirët: me kenë tharmi i së ardhmes!
Don Davidi: - Ju, klerikët
keni qenë e jeni krypa e tokës sonë, drita e njerëzve tonë, rojtarët e së mirës, që
s’mund ta zhdukë askush nga zemrat, që ka me vijue me ekzistue gjithmonë edhe në orët
mâ të errëa të historisë së popullit, të cilin ju e keni zgjue e e keni mbajtë me
shpresë, e keni mësue me iu shmangë rrugëve ku nuk duhet të ecë. Ç’ këshill i jepni
popullit shqiptar e sidomos rinisë?
Pater Zefi: - E porosis per
tri gjana: Të kenë fé, kurr të mos e braktisin fenë; të kenë shpresë; e mbi të gjitha,
të kenë dashuni; ky asht mesazhi qi e ka dhanë Sh’Pali përpara mejet, e para Sh’ Palit
e ka dhanë Krishti vetë! Kjo asht porosia e kjo pershndetja per të gjithë popullin
shqiptar.