2008-09-25 17:31:13

At Zef Pllumi OFM, një vit pas ndarjes prej nesh


(25.9.2008. RV) Konferencë në Tiranë kushtue At Zef Pllumit: “mes shkrimit dhe historisë
Me kalimin e kohës njerëzit dhe veprimtaria e tyne shihen ma mirë e ma qartë, sidomos kur publiku i gjanë i mban si të mëdhaj, pse tue u largue në kohë nji figurë e këtillë vrojtohet ma mirë. Me datën 25 shtator mbushet plot nji vit qysh se At Zef Pllumi, dëshmitari i plojës së komunizmit enverian, u nda prej nesh. Edhe pse nji vit asht pak për me fol për të në kandvështrimin objektiv të historisë, mbasi protagonistat e asaj historie janë ende gjallë, prap se prapë mund të themi diçka për ripërpunimin që kujtesa kolektive i ban nji personazhi si At Zef Pllumi. Tashma asht ngulít gjanësisht në vetëdijen e shqiptarëve ideja se të gjithë kishim nevojë për nji rrëfim paqsor dhe të vërtetë të kohës së komunizmit, si ai që na la At Zef Pllumi tek kryevepra e tij «Rrno vetëm për me tregue». Janë shkrue shumë vepra për at’ periudhë, prej shkrimtarësh të ndryshëm, por ajo e fratit françeskan qëndron si për nga pikëpamja artistike ashtu edhe nga ajo historike në nji plan ma naltë se tjerat. Rrëfimi i tij zhdrivillon rranjët e nji tragjedie kombtare që nisi në vitin 1944, nji luftë që për ne niste atëherë kur e gjithë Europa fitonte paqen e shumëandrrueme. Kjo luftë e zuni dhe e mori para edhe fratin e ri 20 vjeçar, që humbi familjen e tij françeskane dhe familjen e tij atnore, humbi të afërm, miq, shokë, të njohun, bashkudhtarë, por nuk humbi vetveten dhe ideale me të cilat ishte mbrujtë. Dy gjana e mbajtën gjallë pa e humbë për asnji çast shpresën: vetëdija e krishtenë që e keqja nuk ka me triumfue kurrë përfundimisht mbi të mirën dhe ndjenja malsore e nderit dhe e burrnisë. Gjatë viteve të burgimit të gjatë ai njohti shqiptarin dhe zemrën e tij, e pa prej afër se njerëzit e mirë kishin forcë me mbetë të tillë edhe në rrethanat ma të vështira, por pa edhe cinizmin, meskinitetin dhe zemërligësinë. At Zef Pllumi përjetoi historinë me qëllimin me mbijetue për me rrëfye udhtimin e tij përmes ferrit deri në purgator. Ky asht rrugtimi i tij në trilogjinë «Rrno vetëm për me tregue». Mbas nji viti prej ndamjes së tij prej nesh Provinca Françeskane shqiptare, revista «Hylli i Dritës», Instituti i Studimeve Politike «Alcide de Gasperi», Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Universiteti i Tiranës kanë organizue nji tubim shkencor me temën: «At Zef Pllumi: mes shkrimit dhe historisë». Ky tubim synon nxjerrjen në pah të aktivitetit dhe të veprës së françeskanit shqiptar, e për ketë qëllim janë ftue të marrin pjesë studjues shqiptar dhe të huej. Konferenca do të nisin punimet në orën 9 paradite të datës 25 shtator në mjediset e Muzeumit Kombtar. Mbi të gjitha asht me randësi kuptimi i nevojës që kemi për nji rrëfim historik të vërtetë. Sot brezi ma i ri e ndien të fortë mungesën e nji historie objektive, pse deri tashti historianët me metoda enveriste na kanë servir nji histori të paplotë, e edhe atëherë kur nuk kanë mujtë me i mshehë ma faktet reale i kanë paraqitë ato të zbehta dhe pa lidhjen strukturale shpirtnore që shpjegon faktet mbrenda kornizës historike. Metodat e vjetra të shkrimit të historisë, teoremat e gatshme, ndamja me bisturi e të mirëve prej të këqijve, mania e dhanjes së gjykimeve morale për çështje dhe fakte që qëndrojnë mbi individët dhe grupet e ndryshme, na ka përcjellë vepra historike ku e vërteta dhe rrena janë ndërthurë në mënyrë deliberative dhe me vetëdije të plotë. Mirëpo sot brezi i ri, që asht rritë në këto dekadat e fundi, larg tymit të ideologjisë komuniste, as që përfill ma disa mentorë të rremë që këtej e andej kufijve të Shqipnisë jetojnë falë polemikave shterpe dhe ideve të tyne të shtrembta. Vetë ata përfaqsojnë tashma nji botë mediokre dhe nji mendësi të perëndueme, e nuk mundet ma me rrejtë askënd me demagogjinë e tyne kallpe dhe bajate. Leximi dhe studimi i veprës së At Zef Pllumit na ndihmon me shikue historinë me sytë e mendjes sonë dhe me arsyetue lirisht rreth saj, tue kuptue kështu edhe mashtrimin e madh të pseudo-historianëve që nisnin e mbaronin historinat e tyne me selameleqe drejtue “udhëheqësit të ndritun” e lakejve të tij besnikë. E randësishme asht se sot historinat e tyne kanë përfundue në lagshtinën e bodrumeve të bibliotekave, ndërsa librat e At Zef Pllumit po gjejnë gjithnji e ma shumë lexuesa ndër të rinj e të reja që duen me kuptue se çka ishte murtaja ma e madhe që ra në Shqipni gjatë shekullit XX, komunizmi enverian. ...
25-09-2008 / nga Ardian Ndreca







All the contents on this site are copyrighted ©.